Dybala gjen golin

Më në fund ka shënuar. Nuk është folur kurrë për krizë pasi kontributi i Dybala-së ka qenë evident te Juve, edhe pse kërkonte golin e parë sezonal prej më shumë se një muaji. Një gol që e gjeti në Zagreb me një gjuajtje që nuk i la shpëtim portierit të Dinamos. Një shenjë në një ndeshje të dominuar që nga minuta e parë. “Bëhej gjithçka më e vështirë pas çdo ndeshjeje që kalonte pa shënuar. Për fat të mirë gjeta golin dhe më e rëndësishmja është se luajtëm mirë. Shpresoj që për mua të jetë një pikë kthese për sa i përket shënimit, por unë mendoj para së gjithash për të dhënë gjithçka për skuadrën”, u shpreh Dybala.
Dybala te Juventusi luan në një rol që shpesh e çon larg zonës kundërshtare, duke ja bërë më të vështirë gjetjen e golit. “Nuk e di nëse do të luaj tani më përpara, unë do të vazhdoj të luaj sipas mënyrës time dhe do të bëj atë që më kërkon trajneri”, tha ai.
Një tjetër lojtar, të cilit i mjaftuan 45 minuta për të vendosur ndeshjen është Miralem Pjaniç, autor i golit të avantazhit dhe i asistit për dyfishimin për Gonzalo Higuain. Dalja e tij nga fusha para kohe mbetet i vetmi shqetësim edhe pse mbeten ende dyshime se cila mund të jetë vendosja ideale për të në fushë.
“Roli im i preferuar në mesfushë? Më pyesin për diçka të tillë prej 5 vjetësh. Unë jam në dispozicion të trajnerit. E gjej veten mirë para mbrojtjes, i spostuar djathtas apo dhe si trekuartist, por ajo që ka vërtet rëndësi janë lëvizjet e skuadrës”, u shpreh Pjaniç.
Juventusi shëtit në stadiumin “Maksimir” ku mposhti me lehtësi 0-4 Dinamon e Zagrebit, duke marrë kryesimin e Grupit H. Bardhezinjtë e vunë në kasafortë fitoren që në pjesën e parë me golat e Miralem Pjaniç dhe Gonzalo Higuain që shënuan respektivisht në minutat 24 dhe 31. Në pjesën e dytë gjeti rrugën e rrjetës edhe Paulo Dybala, me argjentinasin që shfrytëzoi një pasim të Dani Alvesit, ndërsa në minutën e 85-të Semper shënoi autogol.
Spektakël në “Signal Iduna Park” mes Borussias së Dortmundit dhe Realit të Madridit, në raundin e ndeshjeve në grupe të Champions League. Dy herë kaluan Los Blancos në avantazh, por verdhezinjtë e Tuchel arritën të shmangnin humbjen, duke ruajtur vendin e parë në Grupin F. Cristiano Ronaldo shënoi në minutën e 17-të pas një kundërsulmi të shpejtë të madrilenëve i asistuar nga Gareth Bale, mirëpo Aubameyang barazoi shifrat në të 43-ën pas një goditjeje të lirë të verdhezinjve. Në të 68-ën Varane shfrytëzoi një top të kthyer nga shtylla pas goditjes së Benzema për të rikthyer në avantazh Los Blancos, ndërsa në të 87-ën Andre Schurle shënoi një gol me peshë duke shmangur humbjen e Dortmundit.

Artikulli paraprakLila merr çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes
Artikulli tjetërReforma Zgjedhore, PD: Ndjekje penale për shitblerjen e votës