E ardhmja e Paulo Dybalas duket gjithnjë e më larg Juventusit, pasi klubi e ka tërhequr ofertën e fundit që ia kishte bërë atij për vazhdimin e kontratës.
Marrëveshja e sulmuesit argjentinas me Juven, nga e cila i fiton 7.5 milionë euro në vit, mbaron në qershor të vitit 2022, prandaj klubi ia kishte ofruar një kontratë të re me pagë vjetore më të lartë, 10 milionë euro.
Dybala dhe përfaqësuesit e tij e refuzuan atë ofertë, duke kërkuar pagë vjetore prej 15 milionë eurove, por sipas mediave italiane, Juventusi e ka tërhequr ofertën e fundit për të.
Kjo ndodhi pasi argjentinasi i shkeli rregullat e koronavirusit javën e kaluar, duke marrë pjesë në një aheng privat në shtëpinë e Weston McKennie bashkë me Arthur.
Juventusi i gjobiti të tretë dhe trajneri Andrea Pirlo i la ata jashtë ekipit për ndeshjen kundër Torinos fundjavën e kaluar.
Por sipas mediave italiane, Dybala përballet me pasoja më të mëdha.
Juventusi ia ka bërë me dije Dybalas se mund të vazhdojë të qëndrojë në klub vetëm nëse i pranon kushtet e njëjta si në marrëveshjen e tanishme.
Kjo e ka tensionuar situatën dhe Dybala mund të largohet në verë, apo verën e ardhshme si lojtar i lirë.