Dybala: Mos më krahasoni me Mesin

Nuk i pëlqejnë krahasimet me Lionel Mesin, sidomos në këtë moment kur do të jetë kundërshtar me bashkëkombasin e tij në çerekfinale të Championsit. Paulo Dybala dëshiron të jetë Paulo Dybala, duke larguar presionin që vjen nga vënia në peshore me sulmuesin e Barcelonës. “E admiroj Lionel Mesin, sepse ka fituar disa Champions, ndërsa unë ende ëndërroj për të parin. I kuptoj krahasimet që më bëhen me të, por unë nuk dua të jem Mesi i ri apo Mesi i ardhshëm. Si Mesi apo Maradona nuk mund të ketë të tjerë, ai nuk më është shprehur kurrë se jam trashëgimtari i tij. Ai nuk flet shumë dhe ne nuk është se kemi patur marrëdhënie shumë të ngushta”, u shpreh Dybala.
Dybala ndalet më pas te marrëdhëniet me Allegrin dhe bashkëpunimin me Gonzalo Higuain. “Ndonjëherë Allegri më thotë të shkoj deri afër Buffonit për të nisur aksionin. Ndihem mirë sepse më ka dhënë liri veprimi nga e majta në të djathtë. Është ajo që dua më shumë të bëj. Nuk është e lehtë të luash larg portës, sepse mua më pëlqen shumë të shënoj, por ndihem shumë mirë edhe kur udhëheq lojën. Më duket se me Gonzalon luaj prej 5 vitesh. Në çdo seancë stërvitore mundohemi ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Me Higuainin në krah është e lehtë të japësh asiste për gol”, tha ai.
Për të ardhmen edhe vetë 23-vjeçari është i paqartë, pasi zërat e lidhin me klube të mëdha si Barcelona apo Real Madrid. “Nuk e di, mund të ndodhin shumë gjëra. Ndihem mirë në një ambient ku të gjithë më duan. Duhet të rritem më shumë për të luajtur me Barçën apo Realin, kampionët e mëdhenj janë të tjerë. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët që të ndihem futbollist i madh”, përfundoi Dybala.

Exit mobile version