Dybala refuzon Realin

Paolo Dybala refuzon një ofertë marramendëse të Realit të Madridit, duke i premtuar besnikëri Juventusit, që pagoi plot 40 milionë euro për ta rrëmbyer nga Palemro një vit më parë. Nga Spanja raportojnë se klubi merengues është gati të shpenzojë nga 70-80 milionë euro për kartonin e talentit argjentinas, që shkëlqeu që në sezonin e parë me fanellë bardhezi. Interesimit të presidentit Florentino Perez, Dybala i është përgjigjur negativisht, duke iu bashkuar qëndrimit të kampionëve të Italisë, që nuk dëshirojnë të privohen nga një lojtar që mund të bëjë diferencën jo vetëm në Serinë A. Dybala gjatë sezonit të parë me Juventusin ka mundur të shënojë 23 gola, 19 vetëm në Serinë A, 2 në Kupën e Italisë dhe nga një në Champions dhe në Superkupën e Italisë.
Jo keq për një 22-vjeçar, që ka vendosur të qëndrojë nën urdhrat e Massimiliano Alegrit.
Ndërkohë, drejtuesit e Juventusit po përpiqen të përforcojnë skuadrëm me elementë të rëndësishëm dhe një prej objektivave është Andre Gomes i Valencias. Javën e ardhshme pritet të formulohet një ofertë konkrete për mesfushorin që nuk do ta kalojë shifrën 30 milionë euro, edhe pse klubi spanjoll i ka vendosur një çmim fillestar prej 50 milionë eurosh.
Një tjetër synim i bardhezinjve është afrimi Diawara nga Bolonja, të cilin Marotta e vlerëson nga 10-12 milionë euro. Alternativë për mbrojtjen mbetet Medhi Benatia, për të cilin Bayerni kërkon 15 milionë euro, po drejtuesit e Juventusit dëshirojnë ta marrin fillimisht në formën e huazimit. Paulo Dibala, një lider i padiskutueshëm. Juventusi ka gjetur një tjetër yll për të synuar fronin europian nga sezoni i ardhshëm.
Juventusi ka gjetur pasardhësin e Pirlos. Transferimi i mesfushorit Miralem Pjaniç në radhët e bardhezinjve, do t’i japë një tjetër imazh mesfushës së kampionëve të Italisë. Kjo është pikërisht, ajo që do trajneri i Juves, Massimilianno Alegri për sezonin e ardhshëm, një mesfushë të konsoliduar dhe të fortë, ku sigurisht do të tentohet dhe fitimi i  Champions League. Përpara se tekniku toskan të firmoste rinovimin e kontratës, u kërkoi drejtuesve të klubit, që për sezonin  e ardhshëm të kryenin blerje cilësore. Realizimi i kërkesës së tij, nuk vonoi. Edhe pse merkato ende nuk ka nisur, Presidenti i Juventusit Agnelli, ka vendosur t’i bëjë dhuratën e parë trajnerit Alegri.
38 milionë është vlera e klauzolës së Pjaniç dhe duke parë aftësitë e mira që ka  mesfushori, mund të konsiderohet një goditje cilësore nga ana e drejtuesve të klubit bardhezi. Për trajnerin Alegri, boshnjaku është mesfushori ideal për skemat e tij, duke parë dhe cilësitë që ka futbollisti në kontrollin e topit. 26-vjeçari ndoshta do të marrë në skuadër vendin e lënë bosh nga Andrea Pirlo, i cili gjatë verës së vitit të kaluar u transferua te New York City në Major League Soccer. Statistikat e Pjaniç në këtë sezon të Serisë A janë të kënaqshme. Ai  ka arritur të realizojë 12 gola dhe 13 asisite. Karakteristikat e tij të lojës, janë ato të një mesfushori modern, pasi mund të luajë si organizator, si mesfushor krahu dhe si trekuartist.

Exit mobile version