Dyfishim pagave të mësuesve brenda mandatit të parë qeverisës

Kryetari i PD, Lulzim Basha premtoi dje në ditën e mësuesve rritje deri në dyfishim të pagave të mësuesve. Pasditen e djeshme, Basha zhvilloi bashkëbisedim me mësuesit në çadrën e lirisë, ndërsa u njoh me problematikat e shqetësimet e tyre si dhe prezantoi se çfarë parashikon programi i PD për këtë kategori. Basha foli për shtyllat kryesore në mbështetje të arsimit të ulët, ku renditi së pari, rikthimin e orareve të rregullta arsimore si dhe dyfishimin e pagave të mësuesve deri në fund të mandatit të parë qeverisës.
“Sot dua të përsëris këtu në këtë shesh të lirisë dy shtyllat kryesore të programit të arsimit të ulët nëntëvjeçar dhe atë të mesëm. Shtylla e parë është: Kthimi i orareve arsimore të fëmijëve shqiptarë në parametra evropianë që do të thotë që fëmijët e shqiptarëve nuk do të bredhin rrugëve pas orës 11  e gjysëm, 12 apo 1, por njësoj si fëmijët e vendeve të Bashkimit Evropian  do t’i krijohen kushtet që pas mbarimit të orëve të rregullta të mësimit të kenë mundësi të kenë konsumuar edhe drekën e shkollës, të kenë orët e tyre të kryerjes së detyrave të aktivitetit sportiv, të aktivitetit kulturor, të mësimit të gjuhëve të huaja, të gjitha të paguara nga taksapaguesit dhe qeveria shqiptare që do të zgjidhet me votë të lirë e të ndershme.
Basha tha se PD do të rikthjë besimin e prindërve dhe nxënësve tek sistemi arsimor shqiptar. “Po, kjo nuk do të bëhet brenda natës sigurisht se që të bëhet kjo do të thotë që shkollat tona anembanë vendit të kenë një standard evropian, do të thotë një numër i kufizuar nxënësish nëpër klasa, do të thotë 24 orë ngrohje gjatë dimrit, do të thotë mundësinë për t’i furnizuar me të gjitha facilitetet e nevojshme për të mbajtur fëmijët nga ora 7:30 e mëngjesit deri në orën 15:30 ose deri në orën 16:00 dhe që të ndodhë kjo, sigurisht që duhen bërë investime. Ekipi ynë i ka bërë llogaritë dhe llogaritë na dalin kur t’i shporrim hajdutët nga qeverisja dhe paratë e shqiptarëve t’i harxhojmë në radhë të parë për fëmijët e shqiptarëve.
Investimet do të nisin që muajin e parë sipas një plani të mirëstudiuar do të shtrihen në çdo fshat e në çdo qytet të Shqipërisë. Fëmijët e shqiptarëve do të kenë tek arsimi publik shqiptar standardin evropian dhe prindërit e fëmijëve shqiptarë do të kenë tek arsimi publik shqiptar, partnerin më të besueshëm dhe më të dashur për rritjen e fëmijëve të tyre”, tha kreu i PD. E para, tha ai, është krijimi i infrastrukturës shkollore për të mbajtur fëmijët e shqiptarëve përtej orarit të mësimit të angazhuar me facilitete kulturore, artistike, sportive, linguistike, përtej orarit të tanishëm për të mos i lënë rrugëve dhe shesheve, por për t’i patur në shkolla që janë tempuj të dijes dhe shkolla për t’i mbajtur me të gjitha kushtet edhe me drekë fëmijët e shqiptarëve”.
Basha garantoi se në programin e saj në mbështetjen e arsimit të ulët, PD ka bërë të gjitha përllogaritjet për të bërë të mundur dyfishimin e pagave të mësuesve. “Gjithçka është kalkuluar e kostuar .Gjithçka është e përballueshme nga një buxhet i çliruar nga kthetrat e oligarkëve, hajdutëve dhe kusarëve të lidhur me qeverinë. Ne dyfishuam rrogat e mësuesve po prapë kjo është shumë poshtë nivelit evropian. Ndaj unë dua t’ju jap fjalën sot se në fund të mandatit të parë, të qeverisë së parë të republikës së re, rrogat aktuale të mësuesve do të dyfishohen përsëri. Do të dyfishohen për të dyfishuar vlerësimin tonë për këtë punë të jashtëzakonshme dhe delikate për të ardhmen e shoqërisë dhe për të dyfishuar dhe shumëfishuar përkushtimin e domosdoshëm të arsimtarëve shqiptarë ndaj të ardhmes së shoqërisë ndaj të ardhmes së kombit, ndaj të ardhmes së Shqipërisë që janë fëmijët shqiptarë, gjithçka për fëmijët shqiptarë që do të thotë investim rrobust në infrastrukturën arsimore, që do të thotë dyfishim të pagave për arsimtarët e shkollave fillore, nëntëvjeçare dhe të mesme anembanë Shqipërisë”, u shpreh Basha.
Duke denoncuar poshtërimin e figurës së mësuesve dhe pedagogëve, Basha garantoi se nën qeverisjen e PD, kjo situatë do të marrë fund. “Unë e di sesa e vështirë është puna juaj, sepse jam vetë djalë i një mësuese dhe sot kam rastin ta uroj publikisht meqë nuk pata rastin ta bëj paradite. Por, shoqëria duhet ta shprehë këtë mirënjohje, këtë vlerësim me vepra dhe jo me fjalë. E pra e bëmë këtë njëherë, dyfishuam pagat e mësuesve dhe e pamë sesi kjo ndihmoi në cilësinë e arsimit për fëmijët shqiptarë. Ky Ramë mashtruesi, ky gënjeshtar i pacipë që tund raportin e Pizës, që ja tund shqiptarëve vend e pa vend nuk e ka nga injoranca, megjithëse edhe injorant është prandaj urren shkollën, katër ngelës është ai dhe qeveria e tij, por është edhe mashtrues, sepse nuk tregon që rezultatet e Pizës janë në fakt rezultat në radhë të parë të rritjes së rrogave të arsimtarëve shqiptarë të dyfishimit të rrogave për arsimtarët shqiptarë dhe të investimeve masive në infrastrukturën arsimore që ndodhi para ardhjes së tij në pushtet, sepse me ardhjen e tij në pushtet, rrogat nuk janë rritur asnjë qindarkë në raport me inflacionin dhe kjo për të gjithë sektorët e jetës e në veçanti për mësuesit. Kjo do të marrë fund”, tha Basha.

Drejtoritë rajonale të arsimit janë kthyer në qendra korrupsioni e krimi

Shndërrimi i institucioneve arsimore në fole korrupsioni dhe krimi u denoncua dje nga kreu i PD Basha, ashtu si edhe mësuesit e pranishëm në bashkëbisedimin në çadrën e lirisë.
“Sot pas katër vitesh buxheti  katërvjeçar i Rilindjes është buxheti më reaksionar, më regresiv që Shqipëria ka patur. Rrogat e mësuesve janë në vend numëro. Infrastruktura arsimore është në vend numëro dhe hapa prapa. E gjitha kjo, sepse dhe arsimi ashtu si shëndetësia dhe fusha të tjera të qeverisjes vuajnë nga profaniteti vuajnë nga korrupsioni qeveritar, vuajnë nga mungesa totale e vizionit dhe e modelit evropian të zhvillimit. Ju e dini fare mirë këtë dhe e dini po kështu se goditja dhe diskriminimi ndaj mësuesve dhe pedagogëve është një e keqe e dyfishtë për çdo shoqëri, sepse godet në radhë të parë mësuesit, pedagogët dhe godet në radhë të dytë brezin e ri, nxënësit dhe prindërit e tyre. Nuk ka investim më të mirë që një shoqëri, një komb, një qeveri, një shtet mund të bëjë sesa investimi në arsimimin e brezit të ri. Dhe nuk ka krim më të rëndë sesa dritëshkurtësi më të madhe sesa të presësh fondet për arsimin të godasësh  mësuesit, të bësh fushata spastrimi politike apo korruptive në korpusin e mësuesve apo pedagogëve të një vendi. E pra, të gjithë jemi dëshmitarë se në këto katër vite ka ndodhur kjo e fundit. Drejtoritë rajonale të arsimit janë shndërruar në qendrat të pastra korrupsioni, janë shndërruar në qendra krimi ndaj brezit të ri, ndërkohë që mësuesit ndodhen përpara një presioni psikologjik dhe politik të përmasave të papara e të padëgjuara në këto 26 vite, duke përfshirë edhe presionin  politik elektoral, ku i ka vendosur tani qeveria e krimit dhe e drogës, duke kërkuar evidentimin me listë të mësuesve, të familjarëve dhe të komshijve të tyre, për zgjedhjet fasadë që duan të mbajnë më 18 qershor. Sot është dita që t’i japë përshëndetjet e mia më të përzemërta çdo mësuesi e çdo mësueseje në veçanti atyre në pension dhe akoma më në veçanti atyre që janë larguar padrejtësisht nga sistemi arsimor dhe nga universitetet e Shqipërisë”, tha Basha. Kreu i PD e cilësoi si të dështuar projektin e Ramës për arsimin ashtu si edhe buxhetin e akorduar për këtë kategori. “Përfaqësues të brezave të pedagogëve që janë përgjegjës për edukimin e shumë brezave të të rinjve dhe të rejave  shqiptarë, por dhe të moshuarve që janë sot këtu në këtë shesh. Sot është dita juaj dhe pavarësisht rrethanave, ju përsëris atë urim që ju dhashë në mëngjes: Gëzuar 7 Marsin, respekt, dashuri dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit e Shqipërisë kudo që janë. Në këtë 130-vjetor të Mësonjëtores së Korçës, arsimi shqiptar gjendet në një ditë shumë të vështirë, në një ditë të vështirë gjenden mësuesit shqiptarë, të cilët për këto katër vite nuk kanë patur asnjë të vërtetë shtetërore. E kam fjalën për përkrahjen shtetërore, jo për llafet e bukura që merr era. Po qe për llafe të bukura mësuesi i hartimit të Edi Ramës duhet të marrë medaljen e artë, por po qe për punën, mësueis i punës duhet t’i vejë gishtin kokës, të mos na nxjerrë më asnjë nxënës e aq më pak kryeministra aq dështakë e kaq mashtrues. Katër vite më parë u premtua rritja e buxhetit për arsimin shqiptar”, tha Basha.

A.Shahini

Artikulli paraprakVrasje makabre në Bërzhitë, maskat lidhin 74-vjeçaren këmbë e duar
Artikulli tjetërVendimi i qeverisë “Rama”, për importimin e lëndëve radioaktive