Dyshim për sulmin

Stërvitja e pasdites e kuqezinjve u përqendrua kryesisht te rreshtimi taktik që Shqipëria do të ketë në ndeshjen eliminatore për Botërorin Rusi 2018 kundër Izraelit. Pas minutave të para që ishin kryesisht shtrydhëse dhe që zgjatën shumë pak krahasuar me ditët e kaluara, trajneri De Biasi u përqendrua te mënyra se si do të luajë në ndeshjen e së dielës, duke treguar se dyshimet më të mëdha i ka në fazën e sulmit. Për këtë arsye italiani zhvilloi një ndeshje brenda grupit, ku në njërin krah rreshtoi atë që duhet të jetë formacioni titullar, me Strakoshën në portë, në mbrojtje Hysaj, Mavraj, Gjimshiti, Aliji në mesfushë pak më i tërhequr Kukeli me Abrashin dhe Memushajn në qendër, ndërsa Hyka e Roshi të hapur nga krahët.
Në sulm ndërkohë në pjesën e parë të lojës stërvitore u aktivizua Cikalleshi, ndërsa në të dytën Sadiku. Lëvizje këto që tregojnë deri diku se trajneri ka ende dyshime sa i përket lojtarit që do të luajë titullar në këtë repart ndaj Izraelit. Pas përfundimit të seancës stërvitore, Kaçe, Cikalleshi dhe Sadiku zhvilluan një stërvitje specifike për goditje nga jashtë zone duke qenë se të 3 janë futbollistë që kanë një goditje të fortë dhe e njohin mjaft mirë portën.
Tri gola të pësuar dhe një lojë jashtëzakonisht e keqe nuk mund të justifikohen vetëm me dy kartonët e kuq. Përballja direkte ndaj Izraelit që u humb në “Elbasan Arena” ka sjellë edhe të gjithë zinxhirin e problemeve për kuqezinjtë, ndaj edhe trajneri De Biasi është duke përgatitur në mënyrën e duhur sfidën për “hakmarrje”.
Lojërat e fundit që ka bërë Shqipëria kanë qenë shumë larg paraqitjeve në Europian dhe para Europianit. Për këtë, trajneri ka ngulmuar ndaj të tijve për mënyrën si duhet të sillen në 90-minutëshin e radhës. Presing, vrapime, lojtarë të lëvizshëm dhe grup që nuk do t’i lërë hapësira kundërshtarit.
Këto janë kërkesat që ka ushtruar De Biasi ndaj lojtarëve gjatë seancave stërvitore për mënyrën e lojës. Tekniku ka kërkuar që më së paku të mos lejojë kundërshtarin që të udhëheqë takimin, si dhe të mos kenë topin në zotërim gjatë gjithë lojës për t’u organizuar rrezikshëm në portën tonë.
Si gjithmonë, De Biasi ka dilema për 11-shen që do të hedhë në fushë. Edhe pse janë zhvilluar pjesa më e madhe e përgatitjeve, pasi sot do të jetë dita e fundit e ushtrimeve intensive para udhëtimit, tekniku italian ka ende mëdyshje për titullarët. Strakosha në kuadrat është i sigurt në 11-shen titullare, ndërkohë që përpara tij e gjejnë veten Hysaj, Mavraj dhe Gjimshiti.
Vazhdon ende dilema mes Alijit dhe Lenjanit për mbrojtësin e majtë. Në mesfushë, Kukeli thuajse e ka të fituar një fanellë së bashku me Memushajn në të majtë të tij. Abrashi dhe Kaçe po duelojnë mes tyre për një rol në tredhëmbëshin e mesit të fushës, ndërkohë që pas nuk mbetet edhe Basha. Në anët e mesfushës me Roshin pritet të luajë në të djathtë, ndërkohë që Hyka është i avantazhuar ndaj Llullakut në të majtë. Në majën e sulmit, Cikalleshi mbetet i favorizuar përballë Sadikut.

Exit mobile version