Dyshimet për deputetët malazezë u heqin imunitetin

Parlamenti i Malit të Zi, me 42 vota të deputetëve, u hoqi imunitetin dy ligjvënësve të opozitës, Andrija Mandiç dhe Millan Knezheviç, të akuzuar për konspiracion kriminal.
Për imunitetin e tyre u votua me kërkesë të Prokurorisë Speciale, e cila akuzon Mandiçin dhe Knezheviçin se, më 16 tetor, në ditën e zgjedhjeve parlamentare, kanë përgatitur sulm terrorist me qëllim ndryshimin e dhunshëm të qeverisë.
Ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në një komplot për të vrarë kryeministrin e atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviç.
Seanca nisi me vonesë, pasi në sallën e Kuvendit u shfaq tym i bardhë, por që nuk dihet ende nga kush.
Deputetët opozitarë në Mal të Zi bojkotojnë punën e Parlamentit qysh nga zgjedhjet e tetorit, të cilat, sipas tyre, nuk kanë qenë të rregullta sepse janë mbajtur në atmosferë të “grushtshtetit të dyshuar”.
Mandiç dhe Knezheviç janë deputetë të partisë opozitare Fronti Demokratik, e cila ka qëndrime pro Kremlinit.
Me zhveshjen nga imuniteti, ata mund të ndiqen penalisht.

Exit mobile version