Ish-oficerë të Policisë në rrethet Mirditë, Lezhë e Laç dyshojnë se në afërsi të makinave të gjetura, gjatë tri ditëve të fundit nga palombarët në liqenin e Shkopetit, mund të ketë edhe kufoma njerëzish. “Është plot me makina liqeni i Shkopetit. Persona me precedentë të rëndë penalë kanë hedhur këtu makina të shumta. Dyshoj se këtu do të ketë edhe kufoma njerëzish. Ato janë mbuluar nga llumi dhe inertet. Por tharja e liqenit të Shkopetit, e cila realizohet lehtësisht, do të zbulojë mistere. Nuk mund të them me saktësi se janë të njëjtët persona ata që kanë hedhur makinat, por ka ekzistuar mendimi se liqeni është shumë i thellë dhe makinat nuk do të zbulohen kurrë”, tha ish-oficeri i Krimeve që nuk dëshiron të identifikohet.
Nxjerrja e makinës së tretë nga ujërat e liqenit të Shkopetit, në Njësinë Administrative të Ulzës, ka ngritur dyshime të forta se pikërisht në afërsi të vendit të quajtur Vabli mund të jenë hedhur disa makina.