Dyshja Bardhi-Noka/ Sot “liderë” të aksionit opozitar, por shihni me çfarë tmerresh penale kanë akuzuar njëri tjetrin!

Pas rreth 3 orësh mbledhje me dyer të mbyllura të grupit të deputetëve, Noka- Bardhi, të dy “liderët” dolën njëri pas tjetrit dhe thanë pak a shumë të njëjtën gjë që është thënë pas çdo mbledhje: Aksioni vazhdon, do luftojmë me çdo mjet regjimin Rama.

Pas mbylljes në shtëpi të Berishës në zbatim të masës së gjykatës, duket se ky grup tani ka dy “liderë” udhëheqës, të cilët edhe flasin në emër të deputetëve pjesëmarrës në mbledhje, por për të cilët nuk u mësuan as emrat as numri, pasi Bardhi refuzoj të tregojë kur u pyet nga gazetarët. Noka- Bardhi që po udhëheqin aktualisht këtë “aksion opozitarë”, nuk janë të panjohur për publikun për sa i përket marrëdhënies dyshe.

Vetëm një vit e ca më parë ata kanë qenë protagonistë të një beteje të ashpër por jo për të rrëzuar regjimin Rama, por kush akuzonte më shumë njëri tjetrin dhe cili e donte apo e urrente më shumë Berishën. Nga ky konflikt i egër publik që për pak nuk përfundoi në fizik në korridoret e SHQUP dhe sallën e parlamentit, dolën akuza të rënda për vrasje, vila qindra-mijë euro, e të tjera.

Meqenëse politikanët shqiptarë janë kampion botërorë për “kujtesë të dobët” në lidhje me ato që kanë thënë edhe në të shkuarën e afërt, Alfapress.al, po risjell sërish luftën e egër mes Bardhit dhe Nokës të cilët sot së bashku drejtojnë “aksionin opozitar” në parlament.

Rikujtesë

Një vit më parë akuzat mes çiftit Bardhi-Noka ishin shumë të rënda.

Ata oligarkë që ti mendon se i sulmon Gaz Bardhi, jam unë dëshmitar që u rrinte mbas dere me dorën shtrirë për të mbushur thesin”, thoshte Noka për Bardhin.
I menjëhershëm erdhi edhe reagimi i Bardhit me një status të gjatë.

Reagimi

Një përgjigje e detyruar për Flamurin e keqpërdorur të opozitës së rreme

Shumë miq më thonë të mos e marr seriozisht Flamur Nokën për shpifjet që shpërndan herë pas here. Por nuk do të hesht më pas serialit të ri të shpifjeve, të nisur ditët e fundit ndaj meje dhe disa kolegëve të tjerë. Ndryshe prej tij, ne nuk kemi ngritur flamurin e opozitarizmit të rremë. Kur denoncojmë korrupsionin dhe paligjshmërinë nuk selektojmë në “tanët” dhe “të tyret”.

E kuptoj që kjo e shqetëson Flamur Nokën, prandaj ka gjetur një shpifje të re ndaj meje, duke më akuzuar se denoncoj oligarkët për t’u vendosur gjoba atyre!!!

Le t’i marrim me radhë dhe e nisim nga denoncimi im i fundit për të cilin grupimi i Flamur Nokës nuk ka hapur gojën akoma.

Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? I kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë!

Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje. Nga personi që akuzoi demokratët e Kukësit se ishin të orkestruar nga Edi Rama për protestat kundër traut të Kastratit në Rrugën e Kombit dhe bëri çdo gjë për shuarjen e tyre, mund të presësh gjithçka.

Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë.

Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi.

Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar.

Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të rastësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit. Kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm dhe tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë. Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve.

Investimi im kryesor është tek dija.

Nuk kam as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe, mbi të gjitha, nuk jam peng i asnjë financuesi apo krimineli, që ditën punon me Qeverinë, ndërsa natën financon flamurin e opozitarizmit të rremë.

Për Flamur Nokën kam një premtim: sa më shumë të shpifë, aq më shumë të verteta do jem i detyruar të them! /Alfapress.al

Exit mobile version