Dyshohet se urdhëroi eliminimin e dhëndrit të Qazim Sejdinit, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Florenc Çapjas: Janë përfituar nga aktiviteti i tij kriminal

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Florenc Çapja, pasi dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i tij kriminal.

 

“Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i aktivitetit kriminal të subjektit Florenc Çapja”, informon Prokuroria e Posaçme.

SPAK njofton se procedimi pasuror u rregjistrua pas hetimeve në ngarkim të Florenc Çapja, i cili dyshohet për veprat penale:“Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”“Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë më 09.01.2025 kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të procedimit pasuror nr.6 të vitit 2022.

Ky procedim pasuror u rregjistrua në bazë të hetimit penal në ngarkim të shtetasit Florenc Çapia, i dyshuar për veprat penale:“Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”“Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.

Mbi bazën e dispozitave të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar me ligjin nr.70/2017 janë identifikuar dhe sekuestruar pasuritë* e luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit Florenc Çapia dhe personave të lidhur me të.

Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i aktivitetit kriminal të subjektit Florenc Çapia.

Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi janë:

  1. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.
  2. Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m, sipërfaqe ndërtese, 25.73 m, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
  3. Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).
  4. Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
  5. Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.
  6. Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
  7. Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
  8. Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
  9. Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.
  10. Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

DËSHMIA E KILLERIT

Dëshmitë e Henrik Hoxhajt dhe Nuredin Dumanit kanë hedhur dritë mbi një tjetër atentat që ata do të kryenin për llogari të grupeve kriminale ku shënjestër do të ishte dhëndri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktari i cili aktualisht ndodhet pas hekurave.

Dumani i ka thënë grupit hetimor se vrasja e tij i është kërkuar nga Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri të cilët kanë ofruar një shumë parash prej 200 mijë eurosh për “kokën” e Sanxhaktarit, pasi sipas tij ai kishte lidhur me Suel Çelën.

Nga ana tjetër Henrik Hoxhaj i konsideruar si ushtari i Dumanit është shprehur se për këtë “kontratë” vdekje që nuk u finalizua ka biseduar me vetë Dumanin ditën kur ndodheshin te shtëpia e tij, para se vrasjes së vëllezërve Haxhia në Durrës.

Hoxhaj u tha hetuesve se takimi me Bledar Muçën nuk u realizua dot pasi në atë kohë u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Ai shprehet se vrasjen kishte marrë përsipër ta kryente vetë pasi nuk donte që paratë të ndaheshin me persona të tjerë, ndërkohë që një bashkëpunëtor i tretë do të kishte rolin e shoferit dhe vëzhguesit të lëvizjeve të Sokol Sanxhaktarit.

Aktualisht Sokol Sanxhaktari ndodhet në burg për vrasjen e shokut të tij me sende të forta në një lokal në Elbasan, ndërsa një nga porositësit e vrasjes së tij Bledar Muça u vra në fillim të këtij viti në Belgjikë.

Pjesë nga dosja “Plumbi i artë” e siguruar nga Panorama.al

Lidhur me faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari.

13.1        Lidhur me këtë fakt janë marrë deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani i cili ka shpjeguar se i është kërkuar nga shtetasit Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri, që të godiste shtetasin Sokol Sanxhaktari për një shumë prej 200,000 euro, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës. Në lidhje me këtë fakt penal bashkëpunëtori i drejtësisë Henrik Hoxhaj i cili ndër të tjera ka shpjeguar se: Në lidhje me shtetasin Sokol Sanxhaktari unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia. Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi.

Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin.

13.2        Prokuroria në kërkesën e paraqitur arsyeton se: Tërësia e këtyre provave krijon dyshimin se shtetasit Nuredin Dumani, Florenc Çapja, Eljo Bitri, Vis Korçari dhe Bledar Muça (aktualisht i vdekur), kanë konsumuar elementë të veprave penale të  “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.

Exit mobile version