Nëse Roma vazhdon ndjekjen nga Juventusi dhe matematika i lejon ende të shpresojë, kjo ecuri ka të bëjë shumë edhe me ecurinë e sulmit verdhekuq, e në veçanti të Muhamed Salah. Kjo për faktin se, nëse Edin Dzeko me 34 gola të shënuar këtë sezon, është vetëm dy gola larg rekordit të tij personal, egjiptiani po përjeton vitin e tij më të mirë të karrierës. Me golin ndaj Bolonjës që erdhi pikërisht me një asist nga boshnjaku, Salah, ka arritur kuotën e 15 golave dhe jo vetëm, pasi ka dhënë edhe 11 asiste.
Roma është skuadra më e mirë e fazës së dytë në Serinë A, ku ka grumbulluar 30 pikë, një më tepër se Juventusi dhe madje ka edhe sulmin më të mirë për sa i përket dysheve titullare. Dzeko dhe Salah formojnë një çift me rendimet jashtëzakonisht të mirë, të dy së bashku kanë shënuar 49 gola, duke dhënë 21 asiste. Në kampionat askush nuk është si ata, pasi kanë shënuar në total 35 gola, ndërkohë që Dybala dhe Higuain, dyshja e Juventusit kanë shënuar 29 gola, Mertens dhe Insigne te Napoli kanë shënuar 32 gola. Nëse Dzeko dhe Salah nuk ndalen, Roma mund të ketë ende ndonjë shans për të ëndërruar një përmbysje të pabesueshme ndaj Juventusit në fundin e sezonit.