Edin Dzeko i ka të qarta objektivat e tij dhe të skuadrës së Romës për sezonin 2017-2018. Sulmuesi boshnjak dëshiron që këtë sezon, verdhekuqtë të mos dështojnë në tentativën e tyre për të fituar titullin kampion, edhe pse është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që do të ketë skuadra e tij.
“Dua të fitoj dhe të bëj edhe më mirë për Romën, sepse kampionati italian në aspektin taktik është më i miri në botë. Këtu kam mësuar shumë gjëra që nuk i kisha hasur më parë. Këtu, të gjitha skuadrat janë të përgatitura mirë taktikisht, edhe të ashtuquajturat ekipe të vogla”, tha Dzeko.
Pas një sezoni në Europa League, Roma kthehet në Champions League, në të cilën Dzeko pretendon se ai dhe skuadra e tij do të bëjë mirë. “Championsi është një kompeticion që më pëlqen, e ku do të kërkojmë të bëjmë një figurë shumë të mirë. Por prioriteti ynë është fitimi i titullit në Serinë A”, deklaroi boshnjaku Dzeko.
Pas Romës edhe Interi është vendosur në gjurmët e Riyad Mahrez. Algjeriani i Leicester, siç raporton “The Mirror”, ka përfunduar edhe në “radarin” e klubit zikaltër. Roma prej kohësh nuk po gjen akordin me anglezët, të cilit kërkojnë rreth 55 mln euro, teksa verdhekuqtë ofrojnë deri në 35 mln. Megjithatë, në tratativat mes palëve ka ndërhyrë dhe Interi, me Walter Sabatinin, që është i gatshëm të lëvizë për të sjellë në Milano 26-vjeçarin.
Marco Benassi mund të jetë goditja e radhës e Fiorentinës në merkato. Klubi vjollcë, pasi ka humbur disa elementë cilësorë në këtë verë po mendon të përforcojë ekipin. Një ndër objektivat kryesorë është pikërisht mesfushori i klubit granata, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Stefano Pioli. 22-vjeçari luan që prej vitit 2014 me Torinon dhe në 85 ndeshje ka arritur të shënojë 11 gola.