E akuzojnë për gjumë, por po i lë pa gjumë!

Nga Ermal Peçi

Viti 2023 do dhe dy ditë që të largohet për t’i hapur rrugë vitit të ri, ngjarjeve politike që po na presin dhe të papriturave të jetës. Ditën e nesërme në orën 12:00 pritet të shpallet vendimi për arrest shtëpie për ish-kryeministrin dhe ish-liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha.

Në fakt ky vit ka pasur dhe personazhet e veta, të cilët janë sulmuar më së shumti nga oligarkët, media dhe klasa politike, e cila ka drejtuar demokracinë hibride shqiptare.

Altin Dumani kreu i SPAK ka qenë personazhi më i sulmuar nga këto trinome duke përfshirë edhe grupet kriminale. Të trembur nga një drejtësi që nuk e kontrollojnë dot dhe të veshur me mëkate në rrugëtimin e tyre duke e ditur shumë mirë se çfarë i kanë bërë Shqipërisë, janë hedhur në sulm për ta trembur sado pak.

Personazhi i dytë e ka emrin Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, njeriu më i sulmuar, më i anatemuar nga ky trinom, ku kanë përdorur çdo mjet për ta dobësuar dhe për ta shfaqur të dobët në sytë e publikut. Pushteti i Thashethemeve e kam quajtur gjithë këtë aureolë, e cila është ngritur për të goditur vetëm Bashën. Goditet Basha sepse është i vetmi politikan, i cili ka fuqinë për t’iu marrë pushtetin politik Berishës-Metës-Ramës. Është i vetmi kandidat potencial për t’u bërë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë dhe i vetmi njeri që i rrezikon vërtet pushtetin politik.

Ky pushtet, i cili sapo shikon që Partia Demokratike bën një lëvizje apo një festë hidhet menjëherë në sulm. Për të sulmuar atë që nuk sulmohet siç ndodhi dje dhe me festën e Partisë Demokratike.

Një festë, e cila kishte mbledhur pranë vetes njerëz që nuk kanë mëkate politike dhe nuk janë pengje të askujt, me një frymë politike larg të shkuarës.

Një e shkuar, e cila ulëret sa herë që Basha bashkë me grupin e tij bëjnë një dalje. Një dalje, e cila edhe kur nuk është politike, por thjeshtë një bashkim miqësor për të festuar qëndresën e tyre të gjithë hidhen në sulm për të goditur politikisht.

Politikë, e cila ngriti Pushtetin e Thashethemeve bashkë me median për ta quajtur Bashën “gjumash”, i cili me artin e tij politik po i lë të gjithë pa gjumë./dritare.net

Artikulli paraprak“Berisha e ka lënë vendin pa opozitë, Foltorja biznes familjar”/ Mertiri: Po angazhon të bijën se nuk i beson më askujt
Artikulli tjetërZëdhënësja e PD: Nën sulmin e vazhdueshëm të ‘Foltores’, PD mbijetoi në 14 maj!