E ardhmja e djathtë e Italisë

Zgjedhjet italiane të këtij viti mund të sjellin një qeveri të qëndrueshme për herë të parë pas dorëheqjes së kryeministrit Matteo Renzi në vitin 2016, pas dështimit të reformës së tij. Ndërkohë, fushata zgjedhore ka parë një dobësim të ndjeshëm të partive tradicionale dhe një ngritje të lëvizjeve anti-establishment, një trend në fakt i vërejtuar në të gjithë kontinentin europian. Rezultati i këtyre zgjedhjeve të rëndësishme me siguri do të ketë sjellë pasoja të mëdha në ekonominë italiane, një nga ekonomitë më të mëdha në botë, e cila është duke vuajtur prej vitesh me rritje të ulët dhe me gjendje tepër të paqëndrueshme të bankave. Zgjedhjet do të përcaktojnë edhe rolin e ardhshëm të Italisë në Bashkimin Europian në një kohë, kur blloku është duke u përballur me sfida të njëpasnjëshme si integrimi i mëtejshëm, kriza e vazhdueshme e emigracionit dhe përballjet e shpeshta me Rusinë. Por përse po mbahen zgjedhjet e Italisë tani? Italia është drejtuar nga një qeveri e përkohshme që në dhjetor të vitit 2016, kur Renzi dha dorëheqjen. Ish-kryeministri mori iniciativën e rrezikshme për të miratuar disa reforma kushtetuese që do të ndryshonin legjislaturën, duke e vënë praktikisht lidershipin e tij në dorë të referendumit popullor, që italianët e refuzuan me një marzh prej 20 për qind. Paolo Gentiloni, një anëtar i Partisë Demokratike të Qendrës së Majtë të Renzit dhe ish- ministër i Jashtëm, u emërua si kryeministër i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Këto zgjedhje u caktuan të mbaheshim më 4 mars 2018.

Çështjet kryesore
Epiqendra e fushatës zgjedhore është pa dyshim roli i Italisë në krizën e emigracionit që ka tronditur Bashkimin Europian që në vitin 2015. Performanca e ekonomisë së vendit është gjithashtu katalizatori i pakënaqësisë masive popullore. Kriza e emigracionit në kontinent e ka shkundur rëndë politikën italiane, duke qenë se vendi ka mbajtur në kurriz peshën e mbërritjes së qindra mijëra emigrantëve dhe refugjatëve nga Afrika Veriore.
Italia ka absorbuar mbi 600 mijë emigrantë vetëm gjatë katër viteve të fundit, ku mbi 180 mijë kanë mbërritur vetëm gjatë vitit 2016. Pavarësisht një ngadalësi të lehtë të normës në vitin 2017, pasi qeveria bëri një marrëveshje të diskutueshme me milicitë e Libisë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, shumë italianë vazhdojnë të ndihen të mbytur nga ky problem dhe të braktisur nga Bashkimi Europian. Kjo natyrisht ka nxitur rritjen e euroskepticizmit në të gjithë vendin, ka ndihmuar ndjeshëm partitë e së djathtës ekstreme që janë zotuar të frenojnë një herë e mirë emigracionin dhe ka shkaktuar jo pak incidente ndërmjet italianëve dhe emigrantëve. Ekonomia e Italisë është goditur shumë fort nga kriza financiare e viteve 2008-2009 dhe është tkurrur me plot 9 për qind që nga viti 2013. Italianët kanë vuajtur nga një rënie dy-shifrore të ekonomisë gjatë recensionit, kur politikanët imponuan një shkurtim drastik të buxhetit në përpjekje për të mbajtur nën kontroll borxhin masiv publik. Bëhet fjalë për një borxh prej 2.8 trilionë dollarësh, mbi 130 për qind e produktit të brendshëm bruto. Rikthimi i Italisë në rritjen ekonomike ka qenë tepër i dobët që pas vitit 2014 dhe papunësia në normë dy-shifrore nuk ka ndërmend të ulet. Shumë analistë thonë se ekonomia ka nevojë urgjente për reforma të thella për të promovuar punësimin dhe investimin, ndërsa disa politikanë italianë fajësojnë monedhën e përbashkët euro dhe rregullat e ashpra të buxhetit të Bashkimit Europian, që po pengojnë ripërtëritjen e vendit. Disa janë të shqetësuar se rritja e ulët e vazhdueshme e ekonomisë ose një tjetër recension mund ta çojnë Italinë në krizë borxhi që mund të kërcënojë të gjithë eurozonën. Sistemi bankar vazhdon të jetë një problem madhor. Bankat italiane kanë një nivel borxhesh të këqija prej 220 miliardë dollarësh, gjë që ka frenuar shumë huadhënien dhe investimet në të gjithë vendin. Përpjekjet e qeverisë për të shpëtuar disa banka, duke përdorur fondet publike kanë gjeneruar kritika të ashpra nga Bashkimi Europian, i cili ka vendosur rregulla kundër financimit të bankave nga qeveria – dhe nga partitë opozitare që financimin e bankave e konsiderojnë si simptomë të korrupsionit kronik të institucioneve italiane. Rregullat e Bashkimit Europian përcaktojnë qartë se investitorët e bankave, kryesisht italianë të shtresës së mesme të popullsisë, duhet të absorbojnë humbjet përpara se qeveria të ndërhyjë dhe kjo i ka inatosur së tepërmi zgjedhësit dhe ka përmirësuar pozicionin e politikanëve të opozitës. Në të njëjtën kohë, analistët thonë se, Italia tashmë rrezikon një krizë akoma më të madhe financiare nëse bankat fillojnë të falimentojnë një nga një. Disa kanë frikë se kriza mund të përhapet edhe tek bankat e tjera të dobëta nëpër Europë.

Kandidatët kryesorë
Si shumë vende të tjera europiane, Italia ka përjetuar rritjen e forcave politike anti-establishmet dhe shpesh të veçuara. Mbështetja për Partinë Demokrate të Qendrës së Majtë në pushtet është përgjysmuar që pas zgjedhjeve të vitit 2013, ndërsa Partia e Qendrës së Djathtë, Forza Italia është e detyruar të formojë koalicion me disa parti të vogla të djathta për të krijuar qeverinë e re.
Partia Demokratike e Qendrës së Majtë: Që pas zgjedhjeve të vitit 2013, kjo parti ka miratuar legjislacione për punën që ekonomistët thonë se kanë krijuar vende pune dhe kanë filluar programin e rikapitalizimit të bankave italiane, por disa në anën e majtë të partisë janë të përçarë dhe nuk duan të mbështesin Renzin, gjë që dobëson ndjeshëm shanset e tij për t’u rikthyer si kryeministër i Italisë. Renzi vazhdon të jetë lideri i partisë, por disa vëzhgues thonë se në rast të një rezultati të paplotë të zgjedhjeve, Gentilioni mund të jetë ai që riemërohet kryeministër si zgjidhje kompromisi për kreun e koalicionit të madh qeveritar.
Koalicioni i madh i së djathtës: Ish-kryeministri Silvio Berlusconi, i cili tani është në moshën 81-vjeçare dhe ka mbajtur një pozicion qeveritar në vitin 2011 për herë të fundit, ka rifituar një mbështetje të madhe që ka mundësuar rikthimin e tij, duke mbledhur një koalicion të madh të djathtë. Këtu përfshihet Partia e tij e Qendrës së Djathtë Forca Italia, e cila konsiderohet si një parti që mbështet fuqimisht bizesin. Më radikal është aleati i tij i Ligës së Veriut, një parti që i është dedikuar pavarësisë së rajoneve veriore të Italisë. Lideri i kësaj partie, Matteo Salvini, e ka quajtur partinë e tij si një forcë nacionaliste dhe mban një qëndrim të ashpër anti-emigracion dhe ruan platformën euroskeptike. Salvini ka thënë se dëshiron ta nxjerrë Italinë nga eurozona, por këtu has kundërshtimin e hapur të Berlusconit, i cili nuk do ta lejonte kurrë një gjë të tillë.
Lëvizja me Pesë Yje: Sondazhet tregojnë se kjo parti ka një pozicion jo të keq në këtë periudhë parazgjedhore. Partia radikale është themeluar në vitin 2009 nga komediani Beppe Grillo. Bëhet fjalë për një përzierje eklektike ideologjish dhe personalitetesh, të bashkuar jo shumë fort nga shpirti i protestës kundër establishmentit politik të Italisë që e konsiderojnë shumë demode dhe të korruptuar. Liderët e kësaj partie kanë kritikuar shpesh anëtarësimin e Italisë në rregullart e euros dhe buxhetit të Bashkimit Europian dhe bën thirrje për politika më të ashpra të emigracionit.

Koalicionet e mundshme
Në vitin 2017, Italia ndryshoi sistemin elektoral në mënyrën që ekspertët thonë se, bëjnë më të vështirë që një parti e vetme të fitojë mazhorancën e nevojshme në Parlament për të formuar qeverinë. Ndryshimi i sistemit zgjedhor kishte për qëllim të stimulonte krijimin e koalicioneve, por kjo mund ta komplikojë ndjeshëm formimin e qeverisë. Çdo parti apo koalicion do të duhet të dalë nga zgjedhjet me një rezultat prej më shumë se 40 për qind për të fituar mjaftueshëm vende në Parlament për të krijuar qeverinë e re të Italisë. Sondazhet aktualisht tregojnë se, Silvio Berlusconi është i vetmi që mund të arrijë këtë rezultat, i ndjekur nga Lëvizja me Pesë Yje që rrotullohet në nivelin 28 për qind dhe partia e Renzit me diçka më shumë se 20 për qind. Blloku i Berlusconit, në rast se nuk arrin rezultatin e nevojshëm, mund të jetë i detyruar të krijojë një koalicion të madh ndërmjet të djathtës dhe së majtës me Matteo Renzin për të formuar një qeveri të re centriste. Megjithatë, një votim i paplotë mund të gjenerojë edhe një rezultat akoma më radikal. Në varësi të rezultatit, Liga e Veriut mund të përpiqet të formojë qeverinë e saj, ashtu siç mund të tentojë edhe Lëvizja me Pesë Yje, edhe pse këto janë skenare me më pak gjasa. Lëvizja me Pesë Yje ka deklaruar se nuk ka ndërmend të formojë koalicion me asnjë parti tjetër, lideri karizmatik Luigi Di Maio e ka zbutuar këtë qendrim pas sondazheve para-zgjedhore.

Ndikimi në Bashkimin Europian
Çdo qeveri e re italiane do të sjellë pasoja në të gjithë Europën. Tani që Britania e Madhe po largohet nga unioni, Italia do të kthehet në ekonominë e tretë më të madhe të bllokut dhe aftësia – ose paaftësia – e saj për të rimëkëmbur bankat, rikthyer rritjen ekonomike dhe mbajtur nën kontroll borxhin kombëtar, do të influencojë në shëndetin e ekonomive të tjera europiane si dhe në politikën bankare të Bashkimit Europian. Zyrtarët europianë kanë frikë për armiqësinë e vërejtur kundrejt institucioneve europiane që është vënë re kohët e fundit në politikën italiane. Një qeveri e drejtuar nga Liga e Veriut ose Lëvizja me Pesë Yje mund të gjenerojë një referendum potencial për anëtarësinë e Italisë në eurozonë, apo një thirrje për të rinegociuar traktatet thelbësore të Bashkimit Europian. Edhe pse këto lëvizje dramatike nuk kanë shumë gjasa të ndodhin, një qeveri eurospektike do të jetë përsëri pengesë për planet ambicioze të presidetit francez Emmanuel Macron për zgjerimin e Bashkimit Europian. Në fund, pjesa më e madhe e kandidatëve të opozitës kanë qëndrime në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë që mud të bien në kundërshtim me status kuonë. Berlusconi është mik personal i Presidentit Vladimir Putin. Liderët e Lëvizjes me Pesë Yje kanë folur në mbështetje të politikës ruse në Siri, kanë kritikuar sanksionet mbi Rusinë për aneksimin e Krimesë dhe kanë bërë thirrje që Italia të ketë një rol të reduktuar në NATO. Qeveria e Putinit ka krijuar lidhje edhe me Ligën e Veriut dhe parti të tjera të djathta në të gjithë kontinentin, duke ngritur kështu pikëpyetje nëse qeveria e re e Italisë do të mbajë të njëjtin qëndrim me pjesën tjetër të Bashkimit Europian për Rusinë në të ardhmen.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakBanorët e Dibrës ngrihen në protestë kundër ndërtimit të HEC-eve
Artikulli tjetërOBSH: Rreth 350 mijë të rritur shqiptarë janë obezë