Nga Ermal Peçi
Shqipëria u përball me një lajm vërtet të fortë për veshët dhe sytë e politikës. SPAK kërkoi ndryshimin e masës së arrestit për ish-kryeministrin dhe ish-liderin historik të PD-së, Sali Berisha. Ndryshimi i masës nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie ose arrest me burg. Ky është lajmi që shkundi politikën shqiptare dhe të paprekshmit e saj, të cilët për 33 vite kanë luajtur me drejtësinë. Në fakt ky është një lajm i mirë për shqiptarët sepse tashmë ata që mendoheshin të paprekshëm në sytë e shqiptarëve janë jo vetëm të prekshëm, por dhe mund të shkojnë pas hekurave. Në fakt të gjithë këtë luftë mediatiko-politike, SPAK falë parterëve ndërkombëtarë po qëndron me këmbë të hekurta përballë stuhisë që ngre trazicioni politik shqiptar. E vetmja që ka dalë krah SPAK-ut duke e mbështetur pa kushte është Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha, i cili edhe në fjalën që mbajti për 33-vjetorin e themelimit të PD-së mbajti të njëjtin qëndrim pro institucionit të drejtësisë. PD e mbështet drejtësinë sepse shteti ligjor nis pikërisht nga ky instrument, i cili duhet të jetë i pavarur dhe funksional. Nuk mund të ketë një Shqipëri më të mirë pa një drejtësi funksionale. Me të gjitha këto zhvillime që po përballet politika shqiptare, por dhe rrymat politike që po kthehen në Evropë, mesa duket edhe në Shqipëri e djathta duket si alternativa e së ardhmes.
Gjatë ditës së djeshme Partia Demokratike festoi 33-vjetorin e themelimit, me themeluesit e saj, por dhe me të rinjtë, të cilët besojnë në të ardhmen e saj. Në fakt para dy vitesh shkruaja për procesin e shkatërrimit kreativ që po përfshinte PD-në dhe kjo ishte gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte kësaj partie, të rinjtë, të cilët luftojnë klasën e vjetër politike, e cila në çdo moment kthehet në pengesë të zhvillimit. Ky proces edhe pse dukej i vështirë, tashmë duket se i ka dhënë frytet e veta. Një datëlindje që gëlonte nga njerëzit e rinj dhe një sinergji, e cila nuk kishe pranë vetes njerëz që kanë damkën e hajdutit dhe që sollën humbjen turpëruese në 2013 me 1 milion vota.
Prandaj sot përballë ndryshimeve të mëdha që po ndodhin nga korrupsioni madhor që ka përfshirë klasën politike shqiptare, frika përballë SPAK-ut dhe faktorit ndërkombëtar, e cila po jep mbështetje për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, mund ta themi me plot gojën se e ardhmja i përket Partisë Demokratike.
Një parti që lindi për të pasur sytë nga perëndimi ashtu siç thoshte dhe Sami Frashëri për shqiptarët: “dielli lind gjithmonë në perëndim.”/dritare.net