E ardhmja politike favorizon Lulzim Bashën!

Nga Ermal Peçi

Ajo që ndodhi në protestën e fundit të partive të reja, mes Arlind Qorit dhe Adriatik Lapaj tregon se nuk mjafton të jesh vetëm i ri në moshë për të sjellë një qasje ndryshe në politikë, por i ri je në mendësi e sjellje. Sikur mos të mjaftonte ai incident, i cili zhvendosi komplet vëmendjen nga qëllimi i protestës për policin Azbiu, në këtë debat u përfshinë dhe anëtarët e partisë në rrjetet sociale Tik Tok apo edhe facebook që filluan të sulmonin njëri-tjetrin njësoj si klasa politike, me një gjuhë të vjetër dhe duke i etiketuar “të shitur”. Kaq mjafton që bashkimi i Lapajt-Shabanit dhe Qorit tashmë është pothuajse i pamundur. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, ka nisur dhe një luftë me median e kryefjala është “pse smë ftoni”.
Në fakt “Pushteti i Thashethemeve”, i cili drejtohet nga trinomi Rama, Berisha dhe Meta dhe njerëz të medias apo dhe biznesmenë pranë tyre në këtë katër vjeçar kanë luajtur me regji qendrore që çdo 6 muaj të projektonin ndonjë të ri, i cili do të drejtonte opozitën dhe qëllimi ishte të zhbënin figurën e Lulzim Bashës.
I gjithë mekanizmi me dijeni apo pa dijeni të partive të reja, të cilat pompoheshin në prime time, ishte të goditej figura e Bashës për të vetmen arsye se ai është kërcënimi real për trinomin politik-ekonomik-mediatik që iu rrezikon dhe do t’ju marrë pushtetin politik.
Nëse aktorët politikë ankohen se pse nuk i ftojnë në media, çfarë duhet të thotë Basha, që Rama korruptoi agjentin e FBI-së, Mc Gonigal për të goditur kreun e opozitës dhe kjo tashmë ka dalë me një vendim gjykate në Washington. Çfarë duhet të thotë Basha që janë paguar 50 milionë mesazhe kundër tij në rrjetet sociale dhe sa e sa kurthe brenda partisë së tij. Çfarë duhet të thotë Basha kur e gjithë struktura kriminale nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, mblidhnin vota për Edi Ramën dhe kjo është vërtetuar tashmë nga përgjimet SKY Enchro Chat dhe SPAK që një pjesë e deputetëve të PS janë deputetë të krimit.
Në këtë realitet politik, ku partitë e reja nuk kanë një qartësi, ku dyshja politike Berisha-Meta përveç problemeve me drejtësinë dhe SPAK, kanë edhe mungesën e moralit politik, plus janë e figura të konsumuara politike.
Rama në anën tjetër ka mbetur peng i mekanizmit të tij, i cili as bie dot në këto momente por as ngrihet. Ka përfunduar një personazh i asaj që ai vetë pikturoi dhe jo vetëm që nuk del dot nga korniza, por as nuk pikturon dot më sepse hallet që ka me SPAK nuk po e lënë asnjë ditë të qetë.
Tashmë sa vjen dhe uji pastrohet, del qartazi që në opozitën shqiptare e vetmja figurë politike, e cila ka një të ardhme është Lulzim Basha.
Basha pavarësisht sulmeve që ka marrë, intrigave, pabesive, sulmeve mediatike dhe personale, ka qëndruar në këmbë dhe nuk është dorëzuar.
Sot ai është i vetmi politikan, i cili ka eksperiencën apo shtazhin politik për të drejtuar sepse jo vetëm se është një politikan që shërben si interlokutor me perëndimin dhe SHBA dhe kjo u pa jo vetëm nga fakti që ishte i ftuar zyrtarisht në prezantimin e Presidentit Trump, por sepse i ka qëndruar parimeve.
Një politikan, i cili është maturuar duke i shpëtuar kurtheve të “Elefantëve” politikë me mendësi staliniste, të cilët e kanë sulmuar me çdo mekanizëm për ta shuar politikisht, por nuk ja kanë arritur qëllimit.
Siç thoshte dhe Wiston Churchill “ nëse kaloni në ferr, vazhdoni”, Basha e kaloi këtë sprovë dhe tashmë pavarësisht se do të jenë këto zgjedhje, në opozitën shqiptare, e ardhmja politike favorizon Lulzim Bashën.

Artikulli paraprakBasha shpalos propozimet e Demokratëve Euroatlantikë për reformën e pronës: Përfundimi i saj çel një perspektivë të re për familjen dhe sipërmarrjen
Artikulli tjetërE rëndë/ U mjekua disa ditë pasi ishte me virozë, ndërron jetë në spital 6-vjeçari