E do Augsburg, e ardhmja e Rei Manajt jashtë Italisë

E ardhmja e Rei Manajt do të jetë larg Interit, skuadër që zotëron kartonin e futbollistit shqiptar. Menaxheri i 20-vjeçarit lushnjar, Alberto Fontana ka zbuluar për mediat italiane se sezonin e ardhshëm klienti i tij do të luajë jashtë Italisë, ku do të mund të gjejë qetësinë dhe vazhdimësinë në fushën e blertë. Gjatë sezonit që sapo u mbyll Manaj u huazua për pjesën e parë te Pescara në Serinë A dhe më pas te Piza një kategori më poshtë, por në të dyja rastet performanca e tij ishte poshtë pritshmërive, madje edhe me probleme të tipit karakterial. Pavarësisht se me Pescarën dhe Pizën luajti në total 29 ndeshje duke shënuar 4 gola, dy për secilën skuadër, potanciali i vërtetë i djaloshit kuqezi nuk u shfrytëzua.
Fontana zbuloi më tej se në Gjermani interes konkret ka shfaqur skuadra e Augsburgut, që e mbylli sezonin në vendin e 13-të në Bundesligë. Përfaqësuesi i futbollistit kërkon një zgjidhje ideale, pra një skuadër ku Manaj do të ishte zgjedhje e parë për të gjetur minutat që i mungojnë në këmbë.
Për shkak të ulje-ngritjeje të sezonit të kaluar Manaj nuk është grumbulluar as në kombëtare, megjithatë mbetet një sulmues me potencial për përfaqësuesen kuqezi. Një fillim i ri te një skuadër e re jashtë Italisë konsiderohet zgjidhja më e mirë për të ardhmen e futbollistit.

Artikulli paraprakPochettino dëshiron Smalling
Artikulli tjetërRonaldo s’ka çmim