“E bëra burgun, përse po më…”- Letra e Musine Kokalarit për Enver Hoxhën pas 15 vitesh në qeli, çfarë i kërkoi! Vdiq në internim nga kanceri, kur e zhvarrosën duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba

Më 13 gusht 1983 ndërroi jetë Musine Kokalari. Ajo ishte gruaja e parë shkrimtare në historinë e kombit shqiptar. Musine Kokalari ishte një nga 1 mijë gratë shqiptare dhe 1 nga 30 shkrimtarët që u arrestuan dhe u dënuan me burg si kundërshtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

 

in 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Kreu shkollën e mesme pranë institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, në Itali, të cilin e mbaroi me rezultate të larta. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në Atdhe. Vëllai i saj, Vejsimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30. Më 1937 mbaroi Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.

Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë SocialDemokrate. Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari. Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e Partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes.

Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”.

Në vitin 1962, pasi kishte bërë 15 vite burg, një vendim i ri e dënonte me internim 5-vjeçar në rrethin e Mirditës. Kokalari i shkroi vetë Enver Hoxhës, me lutjen që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, kurse internimi tani duket i pakuptueshëm. Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që t’i ktheheshin dorëshkrimet e saj folklorike që kishte mbledhur. Letra ruhet ne fondin e ish-Arkivit të Partisë në AQSH. Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte, në fakt, një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”. Në janar të vitit 1945, doli nga shtypi libri i tretë i Musine Kokalarit “…sa u tunt jeta”. Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komuniteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN). Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha. Në vitin 2008 i jepet nga Presidenti në detyrë Bamir Topi titulli i lartë “Nderi i Kombit”. Emrin e saj e mban një shkollë në Tiranë, Qendra Kulturore në Gjirokastër, një rrugë në Rrëshen, një rrugë në Prishtinë, një bibliotekë lagjeje në Tiranë.

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

LETRA

Deri sa u instalua regjimi komunist Musine Kokalari ishte një shkrimtare e re me shumë perspektivë. Ajo kishte publikuar tre libra: “Seç më thotë nëna plakë”, Tiranë, Bota e re, 1940, “Rreth vatrës” 1944 dhe “Sa u tund jeta” 1945″. Por pasi mori pushtetin, Enver Hoxha realizoi hakmarrjen ndaj Musine Kokalarit. Në 12 nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e Musinesë si armiq të popullit. Dy vjet më pas u arrestua edhe Musineja, si themelues e Partisë Socialdemokrate dhe kundërshtare e sistemit komunist të instaluar.

Ajo deklaroi në sallën e gjyqit: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”. Pas këtyre fjalëve Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burg. Ajo kaloi 15 vjet si në burgun e Burrelit. Sapo u lirua, u internua në Rrëshen dhe u detyrua të punonte si pastruese e rrugëve të qytetit. Në këtë moment ajo i shkroi një letër me 4 faqe Enver Hoxhës, në të cilën i kërkoi të mos internohej, sepse e kishte përfunduar dënimin e vet. Përmes kësaj letre të shkruar nga vetë Musineja, ajo lutet që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, por për të internimi tani duket i pakuptueshëm. Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që t’i kthehen dorëshkrimet folklorike që kishte mbledhur. Mes të tjerave në letër ajo ka shkruar: “Kur lexova fjalinë tuaj se pas dënimit të çdokujt nuk do të kishte më as ndjekje, as pengesa. Burgun e mora si një borxh që duhej larë. Vetë veprova, vetë e pagova. Por dënimi i dytë nuk është trajtim i drejtë. Prandaj, ju lutem, shqyrtojeni edhe një herë, sepse, nëse ka arsye tjetër, unë jam gati të përballem”.

“Në qoftë se unë si e internuar, nuk kam të drejtë të merrem publikisht me lëvizjen e librave, besoj se nuk më ndalohet që orët e lira të jetës sime private të merrem me metariale folklorike. Përse vallë të mos m’i jepni? Përse të bëhet ky persekutim?”. Pas kësaj letre Enver Hoxha nuk denjoi t’i kthente përgjigje. Diktatori mësohet të jetë shprehur: Akoma gjallë qenka kjo? -Musine Kokalari vdiq në Rrëshen, në internim, 21 vjet pas dërgimit të kësaj letre dhe 2 vjet para se të vdiste diktatori Hoxha. Ajo vdiq e izoluar dhe e përndjekur, duke shënuar një rast nga më të rëndët të përndjekjes së intelektualëve dhe një femre gjatë regjimit komunist.

Vite më parë historiani dhe studiuesi, Uran Butka, në 100-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit bën publike letrën që vëllai i saj, Muntaz Kokalari, ka shkruar tri ditë para arrestimit, duke treguar arsyet e persekutimit të fisit Kokalari. Prejardhja e familjes së nderuar Kokalari, krahasuar me atë të Enver Hoxhës, por mbi të gjitha idetë e saj liberale, formimi në Perëndim dhe krijimi i Partisë Socialdemokrate ishin arsyet e armiqësisë dhe luftës së fortë që kreu komunist bëri ndaj Musinesë dhe familjes së saj, duke i pushkatuar dhe internuar. Ishte Musine Kokalari, që përmes një platforme të opozitës së bashkuar, e cila kërkonte qeverisje demokratike, zgjedhje të lira dhe njohje nga fuqitë e mëdha të neutralitet të Shqipërisë.

DËSHMIA

Bibika Kokalari është nuse në derë të Kokalarëve, por qëlloi të ishte një ndër njerëzit që do ta shihte më shpesh Musinenë, madje asaj e të shoqit, Platonit, do t’u besonte dorëshkrimet dhe disa sende personale që i ruajnë me fanatizëm edhe sot. Në vitin 2017, pikërisht në 100¬-vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit, Bibika ka rrëfyer njohjen me të dhe ditët e fundit të shkrimtares e politikanes, që dha frymën e fundit në internim, në Rrëshen, larg njerëzve të dashur. Por cili ishte takimi i fundit më Musinenë. “Kam vajtur në korrik. Në disa letra, me radhë, ajo na lutej që të shkonim të merrnim disa gjëra të saj. Ajo i kishte përgatitur dorëshkrimet dhe ca gjëra të saj, si këtë unazë, që ka qenë e nënës së Musinesë.

Na shkroi sërish dhe na thoshte që ejani se kam akoma ca gjëra për t’jua dhënë. Mirëpo unë shkova në Vlorë te prindërit dhe nuk arritëm të shkonim më, sepse ajo u shua më 13 gusht të 1983-shit. Ne ishim ende në fshat. Të dielën nuk punonte posta, të hënën kur erdhi telegrami, ne u nisëm, por kishte mbaruar gjithçka dhe ajo ishte varrosur. Kur kam shkuar në Kanada para 6¬7 viteve, kam gjetur atje varrmihësin Gjergji Gjergo, dhëndri i Beqir Ballukut. Edhe ai ishte i internuar në Rrëshen. Të komunales i thanë ta hapte varrin në fund, sepse mendonin se ishte ujë, por, në fakt, ishte shtufë, shumë i fortë dhe mezi e kanë hapur. “Edhe atje që ata donin ta dënonin, prapë nuk e dënuan dot”, më tha”. ka treguar zj.Kokalari.

Ajo ka shtuar se: “Musineja ne na dha shumë gjëra, që edhe pse unë nuk e dija që do vinte kjo ditë, i kam ruajtur. Ajo ka lënë vetë gjëra me shkrim për muze. Janë ekspozuar një çarçaf dhe një brez që i kishte në Rrëshen. Kam dorëshkrime të saj, thuajse të pabotuara. Pak gjëra janë botuar, ndonjë poezi apo “Si lindi Partia Social¬Demokrate”, për të cilën është kujdesur im shoq, Platoni, që i vinte shpesh në Rrëshen. Ka përralla, gjëegjëza, ritualet e dasmave, vdekjes, lindjes. Por ato kanë nevojë për një studiues që të botohen”. Lidhur me kushtet e jetesës së saj, Bibika ka thënë: “Musineja ka ndërruar 10 shtëpi. Parmbrëmë e kam lexuar në një dorëshkrim të sajin, ku thoshte se kishte ndryshuar 10 shtëpi në Rrëshen. Unë një herë e kam gjetur në një shtëpi të vjetër, shumë të keqe. Që aty e çuan diku tjetër, në kushte pak më të mira. Kishte një dhomë me sende të pakta: një krevat dërrase, një raft buke me rrjetë teli, një tavolinë, dy karrige, një sobë të vjetër”.

Artikulli paraprakÇështja e urës në Mitrovicë, presidentja Osmani: Nuk është në interes të Kosovës konflikti me aleatët
Artikulli tjetërPremier Liga vjen me një risi këtë sezon, episodet e VAR-it do të shpjegohen në kohë reale në rrjetin social “X”