Konferenca për media në Ohër ku Edi Rama sulmoi publikisht liderët kosovarë në prani të Vuçiqit për shkak se refuzuan t’i bashkohet iniciativës për minishengenin ballkanik, ka prishur raportet e Thaçit me Edi Ramën të cilët viteve të fundit ishin shndërruar në një jarani të vërtetë. Sot në Tiranë është shfaqur një pamje tjetër. Atje Presidenti Thaçi është parë shumë i afërt me Presidentin Ilir Meta.
Sot u mbajt në Tiranë konferenca ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” të organizuar në bashkërendim me Departamentin e Shtetit të SHBA.
Të pranishëm ishin liderë e përfaqësues të disa vendeve të Rajonit si nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut etj.
Ndërsa në fokus të konferencës ishin çështjet dhe bashkëjetesa fetare, ra në sy se shpesh herë presidenti Meta dhe homologu i tij në Kosovë, Hashim Thaçi, të cilët diskutonin ‘vesh më vesh’, ndërsa ishin ulur krah njëri-tjetrit.
Madje, ata kanë shpeshtuar bisedat me zë të ulët edhe kur fliste kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Kujtojmë se së fundmi, të dy liderët kanë patur përplasje me kryeministrin Edi Rama .
Thaçi pas kritikave për pjesëmarrjen e Shqipërisë pa Kosovën në samitin për mini-Shengenin Ballkanik në Ohër, ndërsa Meta për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. /Gazeta Express