Kreu i LZHK, Dashamir Shehi i ftuar në studion e News24 ka komentuar protestën e opozitës, e cila shprehu indinjatën e saj para Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës mbrëmjen e djeshme.
Shehi u shpreh se protesta ishte një celebrim i fitores së luftës së brendshme në PD, ndërsa mesazhi i vetëm që u dërgua ishte thirrja për formimin e qeverisë teknike.
Megjithatë ai u shpreh skeptik për këtë të fundit, duke thënë se nuk beson se është diçka e realizueshme, ndërsa rikujtoi precedentët e qeverive teknike të së shkuarës, të cilat sipas tij nuk ishin të suksesshme.
“Protesta ishte një celebrim i fitores së luftës së brendshme në PD. Jam i sigurtë që Berisha ka dashur të tregojë se ka edhe popullin. Besoj se në plan kjo ka qenë. I vetmi mesazh që pashë ishte ajo e qeverisë teknike. A është një objektiv real? Do ishte bukur që në shtator të niste qeveria teknike. Po kush do e bëjë këtë, Rama do e bëjë? Nuk ma ha mendja që e bën njeri.
Eksperiencat për qeveritë teknike i kemi pasur. Përfundoi me sherre në 1991, në 97-ën nuk e di çfarë i shpëtoi kombit se u morën pushkët. E fundit që u bë me Bashën, një marrëveshje që gjoja do kontrollonte votimet, asgjë nuk ndodhi, votat u grabitën. Rama nuk e mblodhi njëherë qeverinë e përbashkët. Unë e quaj një eksperiencë negative. Nëse do kishte një skemë si RMV, që ta fusim në kushtetutë, 3 muaj përpara të vijë një qeveri teknike, do kishte vlerë.
Por në mënyrë të tillë, si do bëhet, kur do bëhet. Më duket si një kauzë që po krijohet sepse nuk ka një kauzë. Berisha në eksperiencën e vetë vendos një stekë të lartë që nuk mbërrihet dhe u thotë njerëzve të tij se po pengohet qeveria teknike dhe nuk do lejohen”, tha Shehi.
Sakaq, Shehi u përgjigj ndaj një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi, i cili e ka etiketuar si “pseudoopozitar” dhe “kec i Ramës dhe Bashës”.
Kreu i LZHK u përgjigj duke thënë se njerëzit e dinë se kush është, ndërsa shtoi se kreu i PL, Ilir Meta “nuk i bën nder opozitës shqiptare” pasi linja e forcës së tij politike “është një zigzag për interesa të caktuara”.
“Unë mund të jem edhe ky që thonë këto, por nuk ma ha mendja se e beson njeri me dy gramë tru. Presidenti i Ramës ishte Ilir Meta, kryetar i parlamentit me Ramën kur erdhi ishte Meta. Meqë qenkam i Ramës i kisha bërë unë këto punë. Linja e LSI-së është një zigzag për interesa të caktuara dhe nuk besoj se Meta i bën një nder opozitës shqiptare.
Blushin e kam pasur edhe unë zëdhënës, ishte më i sinqertë atëherë. Nuk merrem unë as me Blush as me…Mua nuk më tremb fare kjo punë, më bën nder të madh. Shqiptarët e dinë kush është Dash Shehi, e ka bërë edhe Rama në mes të Parlamentit”, u shpreh ai.