E dielë e zezë, tre pushues të mbytur në plazhe

E diela që lamë pas shënoi një bilanc tragjik në plazhet e vendit tonë. Tre persona kanë gjetur vdekjen, pasi u mbytën në det përkatësisht dy në plazhin e Spillesë në zonën e Kavajës dhe një në plazhin e Velipojës

Dy persona nga Maqedonia e Veriut, të identifikuar si Cvetko Mitanovsi 78 vjeç dhe Mirko Miçevski 79 vjeç, gjetën vdekjen pas dallgëve të forta në det. Të moshuarit kishin hyrë në det për t’u larë por për shkak të detit të trazuar, atë nuk kanë mundur të dalin të gjallë prej andej. Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:25 minuta të së dielës.

“Rreth orës 11:25, në plazhin e Spillesë, dy shtetas të gjinisë mashkullore dyshohet se si pasojë e dallgëve janë mbytur në det. Shtetasit që humbën jetën si pasojë e mbytjes në det janë M. M., 79 vjeç dhe C. M., 78 vjeç, pushues nga Maqedonia e Veriut. Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia e Tiranës me anë të një njoftimi.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Vrojtuesëve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, Gent Lasku, tha se pushuesit nga Maqedonia që humbën jetën në plazhin e Spillesë kanë qenë në një plazh publik që nuk mbulohej prej tyre.

“Ata kanë qenë pjesë e një grupi turistik nga Maqedonia e Veriut. Kanë qenë në plazhin publik. Vrojtuesi ka ndërhyrë kur ka parë trupat në ujë. Si fillim ka parë një trup. Por, kur ka hyrë në det më tej ka parë dy trupa. Ata nuk kanë qenë pjesë e atij plazhi që monitorohej. Ata janë nga Maqedonia e Veriut. Shkaku i mbytjes ka qenë arresti kardiak. Të dy janë meshkuj. Është bërë masazh kardiak nga vrojtuesit e plazhit dhe më pas nga ndihma e parë. Ndihma e specializuar është dhënë dhe me mjetet më të fundit. Nuk është bërë i mundur rikthimi në jetë me parametrat e tyre. Duhet patjetër një vrojtues plazhi, pasi ata japin ndihmë të specializuar”, tha ai.

Rreth së njëjtës orë, një 59-vjeçar nga Kosova gjeti vdekjen në plazhin e Velipojës. Edhe në këtë plazh, dallgët kanë qenë të forta gjatë ditës së djeshme. “Rreth orës 11:15, në plazhin e Velipojës, shtetasi H. H. rreth 59 vjeç, dyshohet se është mbytur në det. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia e Shkodrës. Më vonë, rezultoi se viktima ishte një punonjës Policie në Republikën e Kosovës, i identifikuar si Hasan Hysenaj, banues në fshatin Petrovë të Komunës së Shtimes.

“Me keqardhje morëm lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor, Hasan Hysenaj nga fshati Petrovë. Me këtë rast shprehim ngushëllimet të sinqerta familjarëve, të afërmve, kolegëve të punës dhe miqve të tij! Do ta kujtojmë përherë Hasan Hysenajn, jetën dhe veprën e tij në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, përkushtimi i pashoq dhe profesionalizmi i lartë, ishin virtyt i tij, andaj, kujtimi për të do të jetë i përjetshëm!”, thuhet në reagimin zyrtar të Komunës së Shtimes.

Exit mobile version