E djathta mes pasqyrës së Berishës dhe Bashës!

Nga Ermal Peçi

Në Devoll ndodhi një episod që, për fat të keq, nuk është më i rrallë në kampin e djathtë – kandidati i PD-së në listën e sigurt në qarkun e Korçës, Bledion Nallbati u përfshi në një përplasje me një shofer kamioni. Në pamje të parë, një incident banal. Por në thelb, ky akt zbulon një sindromë të rrezikshme që po zë vend në të djathtën shqiptare: arrogancën që lind nga ndjesia e pandëshkueshmërisë. Një sjellje që ngatërron forcën me dhunën, zërin e lartë me të drejtën.

Ky nuk është një rast i izoluar. Është pjesë e një tabloje më të madhe. E djathta që dikur mishëronte vlerat e ligjit, maturisë dhe përfaqësimit qytetar, po shndërrohet në një skenë rrëmuje, ku britmat zëvendësojnë alternativën dhe agresioni merr vendin e dialogut.

Në Elbasan, Tomorr Alizoti – një figurë që dikur pretendonte të mishëronte finesën konservatore – u dëgjua t’u thotë mbështetësve të Partisë Socialiste: “Do ju hamë të gjallë”. Retorikë e rrugës, që nuk ka lidhje me përgjegjësinë politike. Ndërsa figura si Xhelal Mziu vazhdojnë të sillen sikur dhuna është përparësi, jo dështim.

Këto nuk janë aksidente. Janë simptoma të një shpartallimi të thellë – moral dhe politik. E djathta që dikur frymëzohej nga shteti ligjor, ndershmëria dhe forca e argumentit, po e zëvendëson veten me një model që ngre grushta në vend të mendjes dhe i thërret ndjekësit si turma, jo si qytetarë.

Por ka edhe një tjetër model. Një përpjekje për të rikthyer seriozitetin dhe qytetarinë në të djathtën shqiptare, e udhëhequr nga Lulzim Basha. Në listën e tij nuk ka spektakël, por ka përmbajtje. Ka njerëz si Pëllumb Seferi – një sipërmarrës me profil të qartë konservator, besimtar dhe i lidhur me komunitetin. Ka intelektualë si Rudi Erebara, profesorë si Gazmend Koduzi, akademikë si Nevila Nika dhe mjekë si Neli Demi – figura që nuk bëjnë zhurmë, por ndërtojnë. E njëjta pasqyrë është në çdo qarkë ku ka një ndërthyrje mes njërëzve të sukseshëm, intelektual, sipërmarrës të cilët kanë fibër të djathtë e kanë qënë në PD që në vitet 90 e në vazhdim.

Kjo listë nuk është një dekor për fushatë. Është një deklaratë. Një përpjekje për t’u kthyer te rrënjët e arsyes, jo te instinktet e shfrenuara. Një ftesë për të djathtën që nuk kërkon të sundojë me frikë, por të bindë me ide.

Në fund të ditës, gjithçka është zgjedhje.

Njëra rrugë ofron përplasje, nostalgji dhe britma. Tjetra ndërton me dije, përfaqësim dhe maturi. Njëra i fryn zjarrit të rrëmujës. Tjetra propozon një të ardhme më të drejtë dhe më të qetë.

Qytetari i djathtë duhet të pyesë veten:
A do të vazhdojmë të ndjekim rrugën e frikës dhe rrëmujës, apo do të zgjedhim një të djathtë që ngre ura, jo mure?

Sepse të jesh i djathtë nuk do të thotë të jesh i zhurmshëm. Do të thotë të jesh i përgjegjshëm dhe vetëm mbi këto premisa ti nis ndërton rotacionin politik që është kaq shumë i nevojshëm në Shqipëri.

Artikulli paraprakOrjola Pampuri: Vota është arma për të thyer 34 vite padrejtësi dhe për të ringritur shpresën në Shqipëri
Artikulli tjetërEndri Hasa: Në Elbasan fitojmë besimin, jo votat e blera – Voto për një marrëveshje të ndershme me qytetarin