E kërkon Konte

Që Alvaro Morata dëshiron të largohet nga Reali i Madridit, ky nuk është një lajm i ri, por skuadra që do të paguajë shumën e kërkuar nga Los Bancos për kartonin e tij duhet t’i garantojë vendin e titullarit. E ardhmja e sulmuesit spanjoll, i përfolur edhe për një transferim të mundshëm në Serinë A në radhët e Milanit, me shumë mundësi do të jetë në Angli, por jo te Manchester United.
“Djajtë e Kuq” në fakt vetëm pak ditë më parë zyrtarizuan Romelu Lukakun, duke hequr dorë nga Morata, por për spanjollin ka interes serioz edhe nga Chelsi i Antonio Kontes. Sipas “AS”, “blutë” e Londrës janë gati të shpenzojnë 80 milionë euro për 24-vjeçarin, që te Reali mbetet zgjedhje e dytë për sulmin.
Morata ka admirimin e Kontes, insistimi i të cilit ishte vendimtar për kalimin e futbollistit te Juventusi në vitin 2014. Gjithsesi në atë kohë trajneri i lindur në Lecce mori drejtimin e Italisë dhe nuk pati mundësi të punonte me spanjollin.
Morata për momentin ndodhet në qendrën stërvitore Valdebebas në kryeqytetin spanjoll, por me shumë mundësi nuk do të udhëtojë me Realin për miqësoret e verës, në pritje të udhëtimit drejt Londrës. 80 milionë të ofruara nga Chelsi është një shumë, të cilën Florentino Perez nuk ka arsye ta refuzojë, aq më tepër që kjo është edhe dëshira e vetë lojtarit.
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez ka një plan për të ardhmen e Alvaro Moratës dhe James Rodriguez. Dy futbollistët nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit Zinedine Zidane për sezonin e ri, por deri tani asnjë klub nuk ka ofruar për sulmuesin spanjoll dhe mesfushorin kolumbian shumën që kërkon presidenti i Los Blancos për t’i lënë të lirë. Morata deri para pak ditësh ishte shumë pranë kalimit tek Manchester United, por Djajtë e Kuq hoqën dorë nga blerja e 24-vjeçarit, për një sërë arsyesh duke firmosur në fund me Romelu Lukakun.
Për momentin për ish-bomberin e Juventusit, interesohet vetëm Chelsea i Antonio Kontes. Blutë e Londrës pëlqejnë së tepërmi edhe James Rodriguez-in dhe duke parë interesimin e rusit Roman Abramovich për t’i patur në skuadër dy yjet e Los Blancos, Florentino Perez ia ka ofruar Chelsea-t kartonat e dy lojtarëve për një total prej 150 milionë eurosh. Shifër e lartë kjo, por jo e papërballueshme për kampionët e Anglisë. Perez nuk ka ndërmend të bëjë aspak ulje dhe nëse Konte i do vërtet Moratën dhe James-in në skuadrën e tij, Abramovich duhet të bëjë gati një çek të bardhë në vlerën e 150 milionë eurove.
Drejtori sportiv i Caracol TV, Javier Hernandez Bonnet, ka folur për të ardhmen e kolumbianit, James Rodriguez. Ai ka lëshuar bombën e ditës duke thënë se lojtari është më afër transferimit te Bayern Munich se sa PSG-së apo klubeve të tjera. “James Rodriguez nuk do të qëndrojë në Real Madrid, kjo tashmë ka përfunduar. Ai është më afër Bayern Munich se sa Paris Saint Germain apo klubeve të tjera”, tha Bonnet.

Artikulli paraprakMario Gotze shumë pranë rikuperimit
Artikulli tjetërTorres rinovon me Atletico Madrid