“E kishin sjellë nga Spaçi, për…”-Dëshmia e rrallë e shqiptaro-maqedonasit: Mbeta si i ngrirë, kur Josifi, me të cilën ndaja qelinë më besoi diçka, që nuk mund ta imagjinoja

Nga Nestor Topençarov

                                                                 DRAMA E JETËS

                                                     (HISTORIA E NJË FAMILJEJE)

Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.

                                                            P A R A TH Ë N I E

Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.

Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.

Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.

Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.

                                                   Autori.

                                            Dhjetor, 2022

KAPITULLI I DYTË

Pas kësaj që na tregoi, zuri të qajë prapë me dënesë, duke përsëritur, se ai nuk dinte asgjë. Më vonë, kur u qetësua pak, i fola që të kishte kujdes dhe të mos merrte në qafë të pafajshëm. Cilido që të ishte. “Përsa i përket ikjes pa lejë, ke bërë një shkelje që të kap ligji”, – i thashë.

Më pas shtova:

– “Shtrëngoje prapanicën, përballoje vetë dhe bëje burgun si burrat”.

Pas këtyre fjalëve, Maqo nuk u ndie, por pashë edhe Josifin që u mbështet në qoshen e tij, i heshtur. Ndoshta edhe ai reflektonte për ato që kisha thënë.

Të nesërmen, Maqon e morën dhe nuk e kthyen më. Mendova shumë variante, që mund t’i kishin ndodhur, por më pas historinë e tij, e harrova.

Nuk do ta kisha marrë vesh, se çfarë përfundimi do të kishte patur takimi i tij i fundit në Degë, sikur të mos kishte ardhur në Spaç, oficeri Niko. Pas disa ditësh që ishte në kamp (unë isha në Spaç, disa muaj para tij), iu afrova si nga zona e Korçës që ishte dhe e përshëndeta. Pasi më tha sa e kishin dënuar, e pyeta për Maqon. Kishte qenë dëshmitari i tij kryesor. Pyetjes se nga e dija, nuk i dhashë përgjigje. “Këtu në kamp dëgjova”, iu përgjigja. Nxjerrja në dritë e kësaj të vërtete, Nikon nuk do ta lironte, kurse për mua, do të ishte një ri dënim.

Kishin kaluar disa ditë, që Maqo nuk ishte më në birucën tonë. Për më shumë se dy muaj, me Josifin gdhiheshim e ngryseshim, në të njëjtën birucë. Në atë ambient, nuk kuptohej shumë diferenca midis ditës dhe natës. Kisha humbur llogarinë e ditës së javës, o të datës së muajit. Çdo 24 orësh, ishte i ngjashëm. Kisha vështirësi të orientohesha në kohë, por e kisha të lehtë të kuptoja gjendjen shpirtërore, të shokut të birucës.

Sa fillonte një lëvizje, e dija se do të shtrihej apo, do të çohej, kur kishte dëshirë të bisedonte, e kur jo. E shikoja që donte të më thoshte diçka, por nuk merrte guximin. Vërtitej nëpër birucë, duke u përtypur. Më pas u ul afër meje dhe më besoi diçka, që nuk mund ta imagjinoja.

E kishin sjellë nga Spaçi, për të zbuluar veprimtarinë time armiqësore. Mbeta si i ngrirë. Nuk arrija të kuptoja kuptimin e këtyre fjalëve. Deri në atë çast, nuk e kisha ditur se kisha qenë një armik kaq i rrezikshëm. Nuk e mendoja kurrë që organet e Sigurimit, të impenjoheshin në një operacion të tillë sekret, sa të sillnin një të burgosur. Një bashkëpunëtor të tyre, që të më provokonte e të më spiunonte, për të zbuluar. “Çfarë”???!!!

Si kam shpjeguar më lart, ne ishim një familje që kemi parë punën tonë dhe nuk i kemi bërë keq njeriu. Babai, njeri që i qëndroi punës në kokë, deri në fund. Doli në pension në muajin mars, dhe arriti ta merrte vetëm një here pensionin. Si duket diktaturës i shkonte mirë, sa ishte në punë. E zëvendësuan me dy specialistë. Mamaja ka qenë shtëpiake e, gjithmonë ka mbajtur rregullin e shtëpisë dhe ka kontrolluar ecurinë tonë në shkollë. Unë kam qenë djalë i urtë dhe studjoz. Motra, vajzë e rregullt dhe nxënëse e mirë.

Duke mos patur edhe njerëz shumë të afërt në farefis, kemi bërë në përgjithësi, një jetë në familje. Me sa dukej Dega e Brendshme për ne, kishte një tjetër opinion. Këtë tani e lidha: Me shpifjet e përhapura të Sigurimit në qytet, se në shtëpinë tonë kishin gjetur radio transmetuese dhe fotografinë e madhe të Titos. Me orën e dorës. Me kontrollet e shumta të shtëpisë.

Me fijen e kabllit elektrik në bodrum. Me etiketat e kostumeve, që duhej të ishin me markën jugosllave. Me monedhat e floririt, me te cilat paguheshin agjentët. Dhe së fundi, me praninë e njeriut të tyre në birucë. Siç duket, në imagjinatën e tyre, ne ishim njerëzit idealë.

Duke ditur se akuzat që më bënin nuk kishin asnjë bazë, isha i qetë, se çdo gjë do të sqarohej. Por, pas kësaj nuk isha më i sigurt, pasi Sigurimi, atë imagjinatë të sëmurë, po përpiqej ta kthente në realitet. Nuk e kisha menduar kurrë që ata, të ishin organizuar deri në këtë pikë, duke bërë të pamundurën, për të dënuar dy të pafajshëm.

Unë, që në fillim, dallova disa gjëra që nuk shkonin te Josifi, si djalë Tirane me opinga. Kur e kisha pyetur, ishte justifikuar se meqë do të arratisej, donte të dukej si fshatar, që të mos binte në sy. Nuk i thashë se në atë kohë, edhe fshatarët mbanin këpucë. Por, edhe rrobat që kishte veshur, nuk ishin në masën e tij. I rrinin të ngushta.

Kur bisedonim për Tiranën, qytetin e tij, disa ndryshime të reja që ishin bërë në qendër, nuk i dinte. Unë e njihja kryeqytetin, edhe më parë se të vija në fakultet, pasi vinim shpesh familjarisht në shtëpinë ku kishim jetuar dhe ku na prisnin me shumë ngrohtësi. Kështu dija edhe ndryshimet e kryeqytetit.

Një diçka tjetër ishte, se Josifit nuk i vinte njeri në takim, për t’i sjellë ndërresa. Kjo edhe mund të ndodhte. Por tjetra që nuk shkonte, ishte që polici, komandanti i birucave, Haxhiu, çdo javë i blinte djathë të bardhë, ose kaçkavall, sheqer e biskota. Në fillim më tha, se kishte ca pare me vete dhe hetuesi i tij, kishte lejuar që me ato pare t’i bliheshin ushqime. Javët e muajt kalonin, ushqimet vazhdonin dhe lekët nuk mbaronin.

Më kishte rënë në sy, që kur dilnim për në banjë, policët e shërbimit vështronin nga Josifi dhe diçka bisedonin mes tyre, me zë të ulët. Unë e kam zakon, që nuk pyes shumë, por edhe besoj te njerëzit.

Më pas Josifi më tregoi se kishte krijuar një respekt të madh për mua. Jo vetëm si njeri i sinqertë dhe me karakter, që këto muaj i kisha rezistuar presionit të fortë të hetuesisë, me akuzat e rënda që më bënin, por edhe për mënyrën, se si i fola Maqos, për t’u përballur me problemin e tij. E dinte se kjo që më tregoi, po të merrej vesh, do të ishte fatale për të. Por besimi që krijoi dhe dëshira për t’u hapur, ishin më të forta.

Ai vinte nga një familje komuniste. Ishte e vërtetë që e kishin kapur në kufi. Por kjo kishte ndodhur gati 10 vite më parë dhe ai në atë kohë, ishte dënuar me 15 vite burg. Kishte probleme me shëndetin dhe për këtë, nuk punonte në minierë. Pak kohë përpara, e kishte kontaktuar operativi i kampit, duke i bërë mjaft presion që t’i ndihmonte.

“Bëhet fjalë për një rast shumë të rëndësishëm”, – dhe më pas kishte shtuar: “Kjo gjë, është në vëmendjen e Degës së Brendshme të Korçës. Prandaj për këtë mision, ti je shumë i nevojshëm”. Kishte mbyllur bisedën operativi.

Situata për Josifin ishte shumë e vështirë. Nga njëra anë kërcënimi, se mund ta ri dënonin, pasi shoqërohej me persona që kishin qenë dënuar në revoltën e Spaçit. Nga ana tjetër, do të shikonte kë do të spiunonte e, do të mundohej pa dëmtuar veten, mos i bënte keq.

– “Në qoftë se nuk do isha unë, – shtoi Josifi, – do të vinte një tjetër, për të bërë këtë punë të qelbur”. M’u betua që kjo do të ishte hera e parë dhe e fundit, që ai përdorej për këtë rol.

Më kërkoi një nder. Kur të vija në Spaç, të më takonte më dikë nga shokët e besimit. Jo që ditët e para, kuptohet, pasi aty të ardhurit e rinj në ato ditë, survejoheshin për të parë se me cilët persona do të bisedonin e, me çfarë grupi do të rrinin. I dhashë fjalën.

Kur shkova në Spaç, erdhi e më takoi, më prezantoi, duke u thënë se, unë isha Nestori, shoku i birucës, me të cilin kishte qenë 4 muaj bashkë. Me këtë, ai ju vërtetoi ndershmërinë e tij. Gjatë viteve që isha në Spaç, me Josifin kisha vetëm një përshëndetje, nga larg. Kjo ishte e nevojshme, për të ruajtur njëri-tjetrin. Dikush në kamp, për të, fliste me dyshim se një herë kishte ikur spiun birucave. Por unë që e dija të vërtetën, qëndroja në heshtje e, vija buzën në gaz.

Në fillim kur mua më merrnin në hetuesi, më tregonte Josifi, e çonin shpesh edhe atë dhe e kthenin para meje, në mënyrë që mos kuptohej. Pyetjet ishin, se çfarë tregoja për akuzat që më bëheshin, nëse përmendja ndonjë emër, ndonjë kontakt, çfarë thosha për babanë, për ambasadën dhe për Jugosllavinë. Më kujtohet që unë në atë kohë, i kisha treguar gjithë hetuesitë Josifit, nuk kisha çfarë të fshihja. Ai ju përsëriste fjalët e mia, që nuk kënaqnin kërkesat e tyre.

Kjo situatë vazhdoi deri në momentin e rrëfimit. Shpesh i thoshin, që ishte e pamundur që unë, kaq i ri në moshë, të kisha eksperiencë, sa të mos bija prè e provokimeve. Se sipas tyre, isha shumë i rrezikshëm dhe kisha shumë të fshehta. Nga që presionet, edhe atij po i bëheshin të forta, iu kishte kërkuar lejë që të më provokonte, për të më rrahur. Këtë gjë ata nuk e deshën, pasi në këtë mënyrë, do të digjnin rolin e provokatorit e spiunit. Por kjo nga ana tjetër, bëri që të lehtësohej presioni mbi të.

Jemi në muajin Dhjetor. Në hetuesi si për mua ashtu dhe për Josifin, nuk pati asnjë ndryshim. Të njëjtat pyetje dhe të njëjtat përgjigje në hetuesi, të njëjtat tregime në birucë dhe të njëjtat ritregime nga Josifi, hetuesit. Koçollari vazhdoi hetuesinë e tij, për gati dy muaj. Këtë po e quaj periudha e dytë, pasi e para ishte me Reshatin, që zgjati dy javë. Edhe ky, po ashtu si shefi i tij, nuk mbante asnjë lloj proces-verbali.

Mbase ende nuk i kishte të qarta idetë, se përse do të më akuzonte përfundimisht. Pyetjet ishin gjithmonë të përgjithshme dhe nuk kishte asgjë konkrete. Ndihma që prisnin nga Josifi, iu dështoi. E para, se nuk kishte patur çfarë të zbulonte dhe së dyti, sepse tani isha bërë më i kujdesshëm, për të mos rënë në kurthin që mundoheshin të më ngrinin.

Monotonia e hetuesisë sime, u thye një ditë. Erdhi polici, e pasi më vuri hekurat, më futi në një zyrë hetuesie. Mbrapa tavolinës Irakliu, i cili më dukej ndryshe atë ditë. Kishte fituar sigurinë e ditëve të para. Më vështronte me një pamje triumfuese. Përpara tij në tavolinë, ishte një dosje. Mendova se çfarë kishte ndodhur, ç’të re kishte sajuar! Nga dosja nxori një letër, të cilën e vuri sipër, dhe me ton të rreptë kërkoi të dinte, se ç’më lidhte me Vasfi Samimin.

Me Dr. Samimin, isha njohur në fakultet, në vitin e tretë. Ai në atë kohë, ishte në pension, por shpesh vinte në sallat dhe në laboratorët e Veterinarisë e Zooteknisë, ku jepte kontributin e tij te çmuar, në leksionet dhe praktikat e rritjes së gjedhit. Doktori ishte shumë i apasionuar, në fushën e zooteknisë. Ia kishte dedikuar gjithë jetën e tij, blegtorisë shqiptare. Kishte bashkëpunuar me Dr. Bilal Golemin. Ishte ndër themeluesit e shërbimit veterinar e zooteknik, në vend.

Interesi për të mësuar diçka më shumë, nga ajo që merrja nga bankat e fakultetit dhe i njëjti interes për shkencën e rritjes së gjedhit, na bëri miq. Më ftoi në shtëpinë e tij, për një vizitë, ku më prezantoi me gruan dhe të dy djemtë. Shtëpinë e kishte afër Medresesë, në “Rrugën e Dibrës”. Ndërtesa ishte njëkatëshe, shumë e bukur dhe e rrethuar me pemë frutore. Ajo që më bëri përshtypje kur hyra brenda, ishin disa faqe muresh, nga dyshemeja në tavan, plot me libra. Shtëpia ishte e mobiluar me shumë shije dhe krijonte një ambient shumë të këndshëm. Mbizotëronte rregulli dhe pastërtia.

Në dy vitet e fundit të fakultetit, kisha temën e diplomës me Prof. Drita Çaushi, shefen e Katedrës të Gjenetikë – Seleksionimit. Tema zhvillohej në katër ekonomi bujqësore, dy ferma dhe dy kooperativa bujqësore, të rrethit të Tiranës. Kjo më bëri të njoh mjaft specialistë e punonjës të sektorit e, më ndihmoi të pasuroj njohuritë e mia, në fushën e gjedhit.

Paralelisht me këtë studim, me Dr. Samimin, po punonim një Manual për teknikët dhe brigadierët e ekonomive, me lopë qumështi. Ky libër, do të ndihmonte në punën e tyre të përditshme. Ishte i shoqëruar edhe me skica humoristike, për ta bërë më të këndshëm dhe më të efektshëm, përdorimin e tij. Bazoheshim edhe në një libër të kësaj fushe, në gjuhën bullgare, të cilën unë e zotëroja.

Gjatë verës, doktori me bashkëshorten, vinin për pushime në qytetin e Pogradecit dhe nga aty më kishte shkruar këtë letër, që Irakliu mbante përpara, si një provë e fajësisë sime. Unë isha krenar, që kisha njohur një personalitet të këtyre dimensioneve, në fushën e veterinarisë e zooteknisë shqiptare. Kishte qenë një privilegj për mua, që më trajtoi jo vetëm si bashkëpunëtor të librit, por edhe si mik të familjes. –

“Na fol në lidhje me armikun Samimi”! Vazhdoi Irakliu.

– “Ku jeni njohur dhe çfarë veprimtari armiqësore keni bërë? Tani duhet të na i shpjegosh, pasi i kemi të gjitha faktet”.

Priste përgjigjen time dhe herë pas here, i hidhte nga një sy letrës që kishte përpara.

– “Me doktorin jam njohur në fakultet, – iu përgjigja. – Ka qenë profesori im. Kur sipas jush qenka armik i pushtetit, si i paskeni dhënë të drejtën, t’i japë leksione brezit të ri”?

Pas kësaj përgjigje, që e la pa fjalë, Koçollari i nervozuar, lajmëroi menjëherë policin, i cili më ktheu në qeli. Kjo ka qenë hetuesia më e shkurtër, që kam bërë gjatë atyre muajve.

Më kujtohet nata e fundit e përballjes me të. Ishim në dhomën e tij të gjumit. Ai ishte ulur në spond të krevatit, ndërsa mua më la në këmbë, si gjithmonë, në mes të dhomës. Filloi të më bënte të njëjtat akuza, por me një ndryshim. Këtë radhë insistonte hapur; “që të akuzoja babanë”.

– “Futja! – më tha. – Ai është i vjetër. E ka bërë jetën e tij”.

Dhe vazhdoi: – “Në këtë mënyrë, akuza për ty, do të jetë më e lehtë”. Kur më arrestuan, kisha menduar se hetuesia zhvillohej për të zbuluar të vërtetën. Gjatë asaj periudhe, kam qenë gjithmonë në pozicion mbrojtje. Mundohesha t’i bëja të arsyetonin, duke ju shpjeguar se gabonin me akuzat që më bënin. Por shpejt e kisha kuptuar se qëllimi i tyre, ishte të më fundosnin sa më thellë.

Këtë radhë, pas këtij propozimi të paturpshëm, mora fjalën duke iu kundërvënë: – “Si!? Ti kërkon të më detyrosh, t’ia fus babait? Të dal dëshmitar kundër babait tim? Babait që më ka bërë kokën!? A nuk kuptove gjatë gjithë kësaj periudhe hetuesie, që unë, jo për babanë që nuk diskutohet, por edhe për asnjë person tjetër, që ju deshët të ngatërronit në planet tuaja djallëzore, nuk mundët të më përdornit”?! Memorie.al

Artikulli paraprakMungesa e aksesit në autostradën Thumanë-Kashar, PD-Demokratët Euroatlantikë 8 muaj në krah të banorëve të Krujës dhe Fushë Krujës
Artikulli tjetërDrejtori i CIA-s vizitë në Sarajevë, ende nuk dihen motivet e mbërritjes së tij. Ja kë pritet të takojë