Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, i cili drejtoi seancat e caktimit të masës së sigurisë dhe marrjes në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj lidhur me kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit, evidenton probleme të patrajtuara nga prokurorët e SPAK, duke vlerësuar se ndaj ish-ministrit duhej të ishte ngritur një akuzë shtesë, e shoqëruar me masën e sigurimit “arrest me burg”.
Në vendimin prej 303 faqesh për seancën e marrjes në pyetje të Beqajt më 20 nëntor, konstatohet se kontrata koncesionare nuk është lidhur bazuar në procedurat ligjore dhe arsyetohet se ish-ministri Beqaj ka shkelur ligjin gjatë procesit të negociimit të kontratës, duke shtuar dëmet për shtetin dhe favoret për kompanitë private.
Përplasja mes gjyqtarit Bani dhe prokurorëve të SPAK për rolin e ish-ministrit Beqja në koncesionin problematik të sterilizimit nuk ndodh për herë të parë. Në gusht të këtij viti, emri i Beqajt mungoi në kërkesat për masë sigurie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa Bani vlerësoi se kishte prova të mjaftueshme për të ngitur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tij.
Në seancën e marrjes në pyetje të 20 nëntorit 2023, Beqaj u rezervua të japë shpjegime, por përmes një statusi të publikuar në Facebook, ai i ka quajtur akuzat të pabazuara dhe shprehu besimin se emri i tij do “të pastrohet përfundimisht nga akuzat”.
Sipas gjykatës, pas hetimeve shtesë të bëra nga prokuroria duke administruar aktet e ekspertimit të telefonave të personave në hetim, krijohet bindja se Beqaj ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar Komisioni i Dhënies me Konçesion. Bani shkon më tej në arsyetimin e tij, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Beqaj ka cilësinë e organizatorit në këtë veprimtari kriminale të dyshuar për dhënien e koncesionit të sterilizimit fituesit të paracaktuar.
Bazuar në këto rrethana, gjykata çmon se Beqaj duhet të procedohet jo vetëm për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, por edhe për veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë, i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burgim nga tre deri në 7 vjet.
Kjo akuzë buron nga ndryshimi që pësoi kontrata e partneritetit publik privat gjatë fazës së negociimit, ku sipas gjyqtarit Bani u hoq vlera maksimale e mbështetjes buxhetore si dhe u ngarkua sektori publik me kostot e energjisë elektrike dhe ato të ujit në favor të kompanive private. Sipas tij, procedura e përzgjedhur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e hapur me negocim kontrate, si dhe negocimi i kontratës me operatorin ekonomik fitues të kryesuar nga Servizi Italia s.p.a, është bërë në kundërshtim të “hapur dhe flagrant” me aktet ligjore dhe nënligjore.
Ai argumenton se nuk duhej të kishte negocim lidhur me kushtet e kontratës, por fituesi duhet të lidhte kontratën menjëherë pas publikimit të njoftimit të fituesit, pasi kriteret e paraqitura në ofertë përbëjnë kushte të panegociueshme dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë rast.
Në vijim, gjykata vëren se gjatë negociatave është hequr vlera maksimale e mbështetjes financiare në shumën 9 miliardë e 657 milionë lekë pa TVSH, e llogaritur si pagesë e 10 viteve së bashku, duke ndryshuar një nga kushtet thelbësore të kontratës, nga çmim i përcaktuar në të papërcaktuar.
Në vendim thuhet se për të bërë një gjë të tillë duhej kërkuar miratim paraprak nga Ministria e Financave. “Ndryshimet e kushteve thelbësore të kontratës, që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit kërkojnë zbatimin e një procedure të re të dhënies së kontratës së koncesionit. Po ashtu, negocimi i kontratës në favor të konҫesionarit ka sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit,” citohet në vendim.
Komisioni i Dhënies së Koncensionit akuzohet në vendim se e ka negociuar kontratën në favor të koncensionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit, për vlerën 505 milionë lekë. Evidentohet se gjatë negocimit të kontratës, shoqërisë konҫesionare fituese i është ulur kjo vlerë nga sa kishte ofruar gjatë konkurrimit dhe se oferta e saj paraprake është bërë vetëm për të marrë pikët maksimale në konkurrim. “Pra, në rastin konkret jo vetëm që nuk duhet të zhvilloheshin fare negociata, por edhe nëse do të lejohej ato nuk mund të bëhen në kundërshtim me ofertën e dhënë nga vetë fituesi”, shprehet Bani.
Në plan-biznesin e dorëzuar nga fituesi me dokumentet që janë përdorur në garën fillestare nga koncesionari, janë parashikuar shpenzime të energjisë eletrike dhe asaj termike, të ujit, si dhe shpenzime të tjera që do të ofroheshin nga fituesi. Por, në kontratën koncesionare është parashikuar se “në qendrat Back-up, përveç qendrës Back-up tek QSUT, Autoriteti i siguron Konçensionarit energji elektrike, uji, avull, vepra civile, impiante etj., me shpenzime në ngarkim të Autoritetit”.
Ky parashikim vlerësohet se është bërë në kundërshtim me të gjithë dokumentet e procedurës, pasi ishin përcaktuar të ofroheshin prej koncesionarit. Sipas gjykatës, Ministria e Shëndetësisë ka negociuar kontratën në favor të koncesionarit dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një vlerë prej 58.8 milionë lekësh.
Po ashtu, nga kontrata rezulton të jenë hequr asete që parashikoheshin në dokumentacionin e operatorit fitues, me vlerë totale 89.4 milionë lekë, shumë me të cilën dhe në këtë rast është favorizuar konsecionari e dëmtuar buxheti shtetit.
Konstatimet e gjykatës shkojnë më tej, duke evidentuar se kontrata ka disa ndryshime nga ato ҫfarë janë parashikuar në Dokumentet Standarde të Konҫesionit dhe ofertën fituese, edhe pas negocimit, duke sjellë kundërshti mes ndryshimeve që janë bërë gjatë negocimit me vetë kontratën e negociuar.
Ndërkohë, kontrata e koncesionit rezulton të jetë nënshkruar vetëm nga Beqaj në cilësinë e titullarit të institucionit dhe shoqëria Saniservice sh.p.k., ndërkohë që duhej të ishte firmosur nga të gjithë anëtarët e bashkimit të operatorëve ekonomikë që kanë garuar e janë shpallur fitues.
Në vijim, Bani arsyeton se nga analiza e kuadrit ligjor, arrihet në përfundimin se koncesionari duhet të kryejë investimet dhe si rezultat i tyre të përfitojë të ardhura nga vënia në përdorim e produktit të krijuar. Sipas tij, një nga elementët thelbësor të kontratave koncesionare është transferimi i riskut tek koncesionari dhe jo tek autoriteti publik – ndërsa në rastet e partneritetit publik provat ndahet midis koncesionarit dhe autoritetit publik.
Për rrjedhojë, gjykata çmon se në kontratën e konciesionit të sterilizimit, mungon një nga elementët thelbësor të kontratave konçesionare, që është transferimi i riskut tek koncesionari.
Nga aktet e hetimit ka rezultuar se është Ministria e Shëndetësisë që i ka vënë në dispozicion koncesionarit ambjentet e spitaleve, ujin, dritat dhe në QSUT një qendër moderne sterilizimi me pajisje të pavendosura në punë.
“Pra, në rastin konkret, koncesionari ka marrë pagesa të rregullta nga spitalet publike për sete kirurgjikale, duke i garantuar kështu një fitim të sigurt këtij të fundit (koncesionarit) nëpërmjet blerjes së seteve kirurgjikale të sterilizuara,” thuhet në vendimin për masën e sigurisë.
Gjyqtari Bani çmon kjo kontratë koncesionare nuk është gjë tjetër veçse një mbulim i një kontrate prokurimi me afat të gjatë për të monpolizuar shërbimin për dhjetë vitet e ardhshme.
“Gjykata krijon bindjen se në rastin konkret është përzgjedhur për një procedurë prokurimi publik të zakonshme (de facto), një procedurë koncesionare (de jure), për t’i mundësuar fituesit të paracaktuar një kontratë me afat të gjatë dhe me një vlerë të konsiderueshme, duke monopolizuar kështu shitjen e mallrave dhe shërbimeve vetëm nga një operator ekonomik, për një kohë të gjatë konkretisht nga miqtë dhe shokët e personave në hetim I.B.(ilir Beqaj) dhe K. R.(ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj), të cilët kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e dokumentacionit që në vitin 2013 deri në shpalljen fitues të tyre”, citohet ndër të tjera në vendim.
Bazuar në këtë arsyetim, gjykata vlerëson se Beqaj ka konsumuar edhe elementët e veprës “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, përveç “shpërdorimit të detyrës”.
Nisur nga fakti se për këto vepra penale parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim, vlerësohet se masa e përshtatshme do të duhej të kishte qenë “arresti me burg” dhe jo ato të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë territorit të vendit.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me dashje ish-ministri Ilir Beqaj i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën prej rreth 8.6 miliardë lekësh. “Kjo është pasoja duke prezumuar që vlera e kontratës do të ishte aq sa është njoftuar fillimisht në fillim të procedurës, pasi gjatë zhvillimit të procedurës vlera e kontratës ndryshoi nga vlera totale në shumën 9, 657, 000, 000 (pa TVSH) në një vlerë indikative, ku nuk dihet se sa do të jetë kosto e koncesionit në përfundim të afatit 10 vjeçar,” argumenton gjyqtari, ndërsa shton se pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por lidhen edhe me cilësinë e shërbimit jetik sikurse është sterilizimi i sallave operatore që lidhet drejtëpërdrejtë me shëndetin e pacientëve.
Bani thekson se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, është i gabuar. Ndërkohë, ai sqaron se në kushtet kur legjislacioni nuk e lejon gjyqtarin të caktojë një masë sigurimi personal më të rëndë nga sa kërkon prokurori, është i detyruar të miratojë masat e kërkuara nga prokuroria.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
/BIRN