Më e madhja në historinë e Botërorëve!

Legjenda e Argjentinës, Diego Armando Maradona, e ka cilësuar dështimin e Italisë në eliminatoret e Kupës së Botës si “një nga mungesat më të mëdha” në historinë e futbollit ndërkombëtar. Katër herë kampionët e botës nuk arritën të marrin një vend në fazën finale, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Rusi, pasi u eliminuan nga Suedia në “play off”, me rezultatin e përgjithshëm 1-0. Kanë kaluar 60 vjet nga hera e fundit, që Italia nuk ka luajtur në një kampionat botëror.
“Më vjen shumë keq, që Italia nuk do të jetë në Kupën e Botës. Italianët e bëjnë shumë tërheqëse këtë veprimtari dhe mendoj se kjo është një nga mungesat më të mëdha në historinë e kampionateve botërore, deklaroi Maradona. E pashë ndeshjen. Italia luajti ashtu si donte Suedia, me krosime. Suedezët kishin qendërmbrojtës gjigantë. Eshtë shumë e trishtë që nuk do e shohim Italinë në Rusi. Kjo tregon se eliminatoret po bëhen gjithnjë e më të vështira”, u shpreh Maradona.
Gjest përgjegjësie apo deligjitimimi i trajnerit? Ajo që Daniele De Rossi bëri gjatë sfidës Itali-Suedi, ku mesfushori i Romës refuzoi të hynte në fushë, duke kërkuar që në vend të tij të luante dikush që mund të shënonte, ka ngjallur diskutime.
Në mbrojtje të De Rossi-t ka ndërhyrë pikërisht një emër i madh i trajningut botëror, Joachim Low. Drejtuesi i Gjermanisë kampione në fuqi e botës ka komplimentuar lojtarin axurr: “Lexova se kishte refuzuar të hynte në lojë, sepse Italisë i duhej një sulmues, është treguar i madh”.
Trajneri i “Die Mannschaft”, në të kundërt nga Ballack që ironizoi eliminimin e Italisë, pranon: “Më vjen keq, që nuk do të jetë në Botëror. Mendoj se është diçka e trishtuar, por përgëzoj suedezët. U mbrojtën mirë. Për Italinë, ky mund të jetë një fillim i ri, disa lojtarë po e mbyllin karrierën e tyre, kam respektin më të madh për Buffon-in, Bonucci-n apo vetë De Rossi-n”.
Vetë protagonisti i ngjarjes, De Rossi, duke rishikuar veprimin e tij në fund të ndeshjes ka kërkuar falje: “I thashë trajnerit që duhet të fitonim, dhe përmenda emrin e Insigne, sepse në atë moment nevojiteshin sulmues, nuk e kisha me trajnerin, në fund bëra nxehmjen dhe mund të hyja edhe në fushë. Asnjë problem”.

Artikulli paraprakNë Itali të gjithë duan Karlo Ançelotin
Artikulli tjetërTetë bashki takim me investitorë britanikë, organizuar nga ABCCI