“E meriton Ronaldo, jo Modriç”, Topi i Artë përçan elitën e futbollit

Votimet janë mbyllur, gazetarët kanë shprehur mendimin e tyre. 3 dhjetorin e ardhshëm “France Football” do të zbulojë fituesin e Topit të Artë 2018. Është një garë treshe: Luka Modric, Antoine Griezmann dhe Cristiano Ronaldo. Por zërat që kanë qarkulluar në ditët e fundit flasin për një Ronaldo jashtë podiumit, ashtu si Messi, për “faj” të Mbappe.
Është e mundur që në podium të jetë një lojtar që ka dominuar në Kupën e Botës të zhvilluar në Rusi. Që kur Topi i Artë është kthyer në duart e “France Football” është zhdukur menjëherë mekanizmi i votave me miqësi. Për çmimin e FIFA-s, në fakt, nuk votojnë vetëm gazetarët, por edhe trajnerët dhe kapitenët e të gjithë kombëtareve të botës. Shpesh, pothuajse gjithmonë, votat bien te shokët e skuadrës ose kombëtares, përtej meritave.
Çmimi i FIFA-s “The Best” i ka shkuar Modric-it këtë vit, ndërsa për Topin e Artë ka mendime kundërshtuese. Por duhet mbajtur në konsideratë se kriteret për të dhënë votën kanë lidhje me paraqitjet individuale të lojtarit, por edhe ato kolektive, domethënë numri i trofeve që ka fituar me ekipjn. Më pas duhet analizuar niveli i lojtarit (talenti dhe fair play) dhe karriera.
Prej muajsh bëhet pyetja: kush e meriton Topin e Artë? Përgjigjet kanë pasqyruar konceptin e votës me miqësi që përdoret për çmimin “The Best” të FIFA-s. E vështirë të dëgjosh një futbollist që të tregojë si fitues të mundshëm një lojtar që nuk e ka shok skuadre. Kështu, blloku i Juventus-it (Allegri, Cancelo, Bonucci, Nedved), Roberto Mancini dhe Fernando Santos, trajneri i Portugalisë, drejtojnë gishtin nga Ronaldo.
Francezët, nga ana tjetër, janë shumë xhelozë për Kupën e Botës të fituar në Rusi dhe janë të bindur se çmimi duhet t’i shkojë njërit prej tyre. Kroatët kanë dalë në krahun e Modric, i cili ka edhe mbështetjen e trajnerit të Roma-s, Di Francesco. Për Griezmann janë Simeone, Luca Hernandez, Pirlo. Gjithsesi, emrat më të përmendur në këto muaj janë ato të Modric dhe Ronaldo-s. Mendime këto që nuk kanë asnjë rëndësi, sepse fituesi do të përcaktohet nga vota e gazetarëve.
Në fund, ka nga ata që kanë zgjedhur Varane: janë dy francezë, Platini dhe Laurent Blanc. Duke parë se mbrojtësi i Real ka fituar Champions League dhe Kupën e Botës si protagonist, zgjedhja e tyre është e justifikuar.

Elita e futbollit zgjedh fituesin e Topit të Artë
Roberto Mancini: Cristiano Ronaldo
Gianluigi Buffon: Kylian Mbappé
Davor Suker: Luka Modric
Sime Vrsaljko: Luka Modric
Massimiliano Allegri: Cristiano Ronaldo
Eusebio Di Francesco: Luka Modric
Fernando Santos: Cristiano Ronaldo
Patrice Evra: Cristiano Ronaldo
Andrea Pirlo: njëri mes Ronaldo, Griezmann, Modric
Diego Simeone: Antoine Griezmann
Leonardo Bonucci: Cristiano Ronaldo
Pavel Nedved: Cristiano Ronaldo
Joao Cancelo: Cristiano Ronaldo
Michel Platini: Raphael Varane
André Villas-Boas: Cristiano Ronaldo
Dejan Lovren: Luka Modric
Ivan Rakitic: Luka Modric
Eden Hazard: Kylian Mbappé
Thierry Henry: Eden Hazard
Axel Witsel: Eden Hazard
Laurent Blanc: Raphael Varane
Gary Neville: Sergio Ramos
Casemiro: Cristiano Ronaldo
Zlatko Dalic: Luka Modric
Lucas Hernandez: Antoine Griezmann

Rregullorja dhe kriteret për dhënien e çmimit
Redaksia e “France Football” bën listën e 30 të emëruarve për Topin e Artë, që më pas i jepet lojtarit që merr numrin më të madh të votave nga 173 gazetarë të specializuar, me njëpërfaqësues për çdo vend.
Nga 2010-a deri në 2015-ën, Topi i Artë është dhënë në bashkëpunim mes “France Football” dhe FIFA-s duke marrë parasysh votat e kapitenëve dhe trajnerëve të kombëtarëve, përveç atyre të gazetarëve. Nga 2016-a, çmimi është kthyer të jepet nëpërmjet votës së gazetarëve.
Zgjedhja e gazetarëve duhet të bazohet te:
1 – Paraqitjet individuale dhe të skuadrës (trofetë e fituar) gjatë vitit
2 – Niveli i lojtarëve (talent dhe fair play)
3 – Karriera e lojtarit
Çdo gazetar duhet të zgjedhë pesë lojtarë: të parit i shkojnë 6 pikë, më pas 4,3,2 dhe 1. Në rast të pikëve të barabarta, do të shpallet fitues lojtari që është zgjedhur më shumë herë në vendin e parë në klasifikimet individuale të gazetarëve.

Exit mobile version