Një grua dyshohet se ka humbur jetën në qytetin e Pogradecit, pasi është marrë nga rrjedha e lumit që derdhet në liqen. Kanë qenë banorët, të cilët njoftuan policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. Dëshmitarët kanë dërguar në redaksinë e tvklan.al një video nga vendi ku dyshohet se është mbytur gruaja. Policia e Pogradecit thotë se, pritet që në vendngjarje të mbërrijnë polumbarët për të nisur kërkimet për gjetjen e trupit. “Më datë 08.03.2018, jemi njoftuar, se në lumin që derdhet në liqenin e Pogradecit, në afërsi të vendit të quajtur “Oktapodi”, disa banorë kanë parë në rrjedhën e lumit një kufomë, dyshohet të jetë mbytur në lumë, ku rrjedha e lumit e ka çuar në liqen.
Pritet ardhja e polumbarëve, për të vijuar kërkimet me qëllim gjetjen e trupit në liqen”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në fshatin Kalivaç, Njësia Administrative Trebinjë, Bashkia Pogradec, ka pasur rrëshkitje masive të tokës që rrezikon varrezat e fshatit. Në fshatin Vërri, Njësia Administrative Proptisht, Bashkia Pogradec, ka pasur rrëshkitje masive të tokës, e cila rrezikon një pikë karburanti në aksin rrugor rural Golik-Proptisht.
Bashkia Pogradec ka ngritur grupe me specialistë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë verifikuar situatën e krijuar nga këto dy rrëshkitje masive të tokës. Me kërkesë të QKOEC pritet që të shkojnë në vendngjarje specialistë të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për të bërë studimin e zonës.