E moshuara Zelie Gjoni: Më dhanë 20 mijë lekë të votoja për PS

E moshuara Zelie Gjoni ka pohuar para kamerave se ka votuar për kandidatin Muharrem Rama pasi nga shtabi elektoral i Partisë Socialiste i kishin dhënë 20 mijë lekë të vjetra që të votonte për kandidatin e majtë.
Rahim Etemi, vëzhgues nga radhët e PD-së në qendrën 11/00 në Maqellarë akuzon kryetaren e Këshillit Bashkiak të Dibrës, Lule Dani, se ka ushtruar presion duke detyruar një të moshuar të votojë për kandidatin e Partisë Socialiste.
Presionet dhe kërcënimet ndaj të moshuarve nisnin me mosdhënien e pensionit, si dhe gjithfarë mjetesh të tjera të pushtetit nëse ata nuk do të votonin për kandidatin e majtë.
Teksa gazetari i “News24” në Dibër, Enver Doçi, ka tentuar të marrë një deklaratë të palës tjetër lidhur me këto akuza të ngritura nga PD, ai është shtyrë dhe i është kërkuar të largohet nga komisionerë dhe militantë të PS.
Por pavarësisht presioneve për të mos xhiruar me kamera, gazetari Enver Doçi ka arritur të marrë edhe reagimin e kryetares së Këshillit Bashkiak, Lule Dani, e cila pranon se ka shoqëruar të moshuarën drejt kutisë së votimit, por këtë sipas saj e ka bërë për ta ndihmuar pasi e moshuara nuk dinte të votonte. Gazetari i “News24” ka insistuar edhe më tej duke marrë prononcimin e vetë të moshuarës Zelie Gjoni, e cila deklaron se është paguar në shumën 20 mijë lekë të vjetra për të votuar për kandidatin e majtë.
Rasti i Zelie Gjonit është rasti i të gjithë të moshuarve në Dibër, të cilëve u janë ofruar para, e madje edhe thasë me miell në mënyrë që të jepnin votën e tyre për PS.

Exit mobile version