E mposhtim Juven

Fillimisht, kampionati dhe më pas Kupa e Italisë. Napoli i Sarrit luan gjithçka ndaj Juventusit në 4 ditë. Për të kaltërit në lojë janë dy objektiva madhorë në këtë sezon dhe trajneri kërkon që futbollistët e tij të mos i tremben emrit të madh të Juventusit, por të shfaqin në fushën e lojës nivelin e tyre më të mirë.
“Ndeshjet perfekte nuk ekzistojnë, ka momente në të cilat bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, por ka edhe momente në ndeshje të ndryshme, në të cilat bëjmë gabime amatore. Është e qartë që kemi përballë një skuadër shumë të fortë dhe duhet t’i lejojmë pak hapësira Juventusit, pasi vetëm kështu mund të marrim maksimumin ndaj tyre. Ata kanë diçka më shumë, por ne jemi aty të aftë për t’i befasuar në çdo moment. Do të jenë dy ndeshje të bukura ndaj tyre”, u shpreh Sarri.
Sarri në vijim të konferencës për shtyp konfirmoi praninë në formacionin titullar të mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj, që ishte në dyshim, por edhe atë të kapitenit Marek Hamsik, ndërkohë që shkëputi një mendim edhe për Gonzalo Higuain.
“Elseidi kishte një problem në kavilje, por është rikthyer të stërvitet me grupin dhe do të jetë pjesë e sfidës, të njëjtën gjë mund të them edhe për Hamsik. Higuain? Nuk më intereson aspak, i uroj më të mirat dhe ja ka thënë diçka të tillë. Në San Paolo, ai do të jetë thjeshtë një kundërshtar këtë herë. Unë kurrë nuk kam thënë se Gonzalo do të përjetojë një mbrëmje të keqe, mbrëmja e keqe do të jetë për Juventusin që do të vuajë shumë ndaj nesh”, tha trajneri i Napolit.
Ndërkohë, tifozët e Napolit janë revoltuar ndaj Higuain. Pritja për Gonzalo Higuainin në “San Paolo” pritet të jetë shumë e nxehtë, një 90-minutësh që do të duket si një jetë e tërë, por ndërkohë, përveç tifozëve të pranishëm, i gjithë qyteti është mobilizuar për t’i bërë pritjen më të keqe të mundshme “tradhtarit”.
Fantazia e tifozëve, por edhe e bizneseve ka qenë e shfrenuar, aq sa në treg janë hedhur edhe letrat higjienike “Higuain”, me të cilat kuptohet se çfarë duhet të bëhet…

Artikulli paraprakCikalleshi në formë, supergol te Akhisar
Artikulli tjetërAlegri: Ndaj Napolit vendoset titulli