E Ngarkuara me Punë e SHBA: SPAK po lufton për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike! Por vettingu nuk ka mbaruar

E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, mori pjesë sot në aktivitetin përmbyllës të Vettingut.

 

Teksa përgëzoi punën që është bërë deri më tani nga institucionet për personat të korruptuar në politikë e drejtësi, ajo tha se prokurorët dhe hetuesit në SPAK po luftojnë për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike.

Sakaq ajo theksoi se procesi i vettingut  nuk ka mbaruar. Vanhorn tha se kërkesa e popullit shqiptar për llogaridhënie dhe transparencë, për drejtësi dhe barazi është po aq e fortë sot sa ishte në vitin 2016.

“Prokurorët dhe hetuesit në SPAK po luftojnë për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë po marrin përsipër përgjegjësinë për të vendosur standarde integriteti për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe për të vazhduar vlerësimet, të cilat ruajnë besimin e publikut”, tha zyrtarja.

Në përfundim të fjalimit Nancy VanHorn u shpreh se Shtetet e Bashkuara nxisin autoritetet shqiptare të vazhdojnë punën e mirë, pavarësisht nga pengesat me të cilat përballen.

“Krahas partnerëve tanë të BE-së, ne kemi qenë me ju në çdo hap që nga viti 2016 dhe kemi filluar të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit. Ecuria e vazhdueshme kundër korrupsionit do të sigurojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe kjo varet nga vigjilenca dhe përkushtimi juaj”, tha e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn.

Nancy VanHorn: Komisioneri Ilia, Gjyqtar Como, Ministër i Drejtësisë Manja, të nderuar deputetë dhe anëtarë të institucioneve të drejtësisë, dua t’i bashkohem Ambasadorit Gonzato për të uruar 12 Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë për përfundimin e punës suaj. Hapi i parë në lëvizjen e reformës në drejtësi në Shqipëri ishte kur Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që krijuan kuadrin për reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi në vitin 2016, siç e pamë në video.

Sondazhet në atë kohë treguan se 25% e gjyqtarëve pranuan korrupsionin në gjykatë dhe 57% pranuan ndërhyrjen politike. Më shumë se një e treta e gjyqtarëve kishin sasi të mëdha pasurie të pashpjegueshme.

Pra, një sistem për të vlerësuar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ishte i nevojshëm për të filluar rivendosjen e besimit të publikut se gjykatat do t’i trajtonin njerëzit në mënyrë të drejtë.

Që nga viti 2018, Komisionerët kanë punuar me zell për të vlerësuar integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë, dhe duke e bërë këtë, ata – ju keni vendosur një standard që mbahet jo vetëm në Evropë, por edhe për vendet e tjera që po fillojnë këtë proces shumë të vështirë, por rrugë premtuese drejt një shoqërie më të drejtë për të gjithë qytetarët. Ne e kuptojmë se kjo punë nuk ka qenë e lehtë.

Ka pasur rezistencë të madhe ndaj reformës në drejtësi dhe kjo rezistencë vazhdon në disa vende ende sot e kësaj dite.
Komisionerët e KPK-së, Komisionerët Publikë dhe gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Apelit kanë bërë sakrifica të mëdha profesionale dhe vetjake, duke marrë vendime të vështira.

Ata kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm në përballjen me pasojat e këtyre vendime të papëlqyeshme, por të nevojshme shkarkimi – dhe unë thjesht dua të shpreh vlerësimin tonë jo vetëm për sakrificat tuaja, por për sakrificat e familjes suaj, sepse ne e kuptojmë se ka pasur presion edhe ndaj tyre, kështu që ju lutemi ndajeni këtë me ta.

Populli i Shqipërisë duhet ta dijë se zyrtarët e qeverisë po mbajnë përgjegjësi çdo ditë dhe se llogaridhënia do të vazhdojë falë punës së shqiptarëve të guximshëm si ju. Ndaj ne festojmë sot këtë arritje historike të organeve të vettingut. Dhe të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për arritjet tuaja. Por vettingu nuk ka mbaruar.

Kërkesa e popullit shqiptar për llogaridhënie dhe transparencë, për drejtësi dhe barazi është po aq e fortë sot sa ishte në vitin 2016, dhe kjo është pjesërisht për shkak të punës suaj, sepse ju keni justifikuar pritshmëritë e tyre dhe keni ndihmuar në rritjen e tyre [pritshmërive]. Institucionet e tjera që krijoi reforma në drejtësi po punojnë fort. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vendos standarde të reja për profesionalizmin në fushën e zbatimit të ligjit, për Policinë e Shtetit dhe për vetë inspektorët e saj.

Prokurorët dhe hetuesit në SPAK po luftojnë për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë po marrin përsipër përgjegjësinë për të vendosur standarde integriteti për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe për të vazhduar vlerësimet, të cilat ruajnë besimin e publikut.

Dhe këto nuk janë përgjegjësi të thjeshta apo të lehta.
Ndaj ju nxis të gjithëve ju sot, të gjithë ju që jeni pjesë e peizazhit të drejtësisë, të ndiheni jashtëzakonisht krenarë për këto arritje. Megjithatë, ka gjëra të tjera që duhet të ndodhin. Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të përfundojë rishikimin me rëndësi të vendimeve të KPK-së, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre të vazhdueshme për të ruajtur integritetin që ju keni punuar kaq shumë për të vendosur.
Dhe SPAK duhet të vazhdojë të hetojë rastet më të ndjeshme të korrupsionit, duke kërkuar llogari nga ata që kanë abuzuar me postin e tyre pavarësisht politikës apo favoreve. Ka më shumë për të bërë. Ju keni ndërtuar institucione të reja drejtësie në emër të popullit shqiptar dhe është po aq e rëndësishme t’i përdorni ato në fuqinë e tyre të plotë në emër të bashkëqytetarëve tuaj. Duhet të jeni efektiv, të pavarur dhe të paanshëm.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin të vazhdoni punën e mirë, pavarësisht nga pengesat me të cilat përballeni. Krahas partnerëve tanë të BE-së, ne kemi qenë me ju në çdo hap që nga viti 2016 dhe kemi filluar të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit. Ecuria e vazhdueshme kundër korrupsionit do të sigurojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe kjo varet nga vigjilenca dhe përkushtimi juaj.

Artikulli paraprak“Çuditë e ligjit të investimeve strategjike”
Artikulli tjetërKosova nënshkruan marrëveshje me prodhuesin turk për fabrikën e municioneve