Nga Namir Lapardhaja
Në ciklin poetik “Asnjë fill i gjelbër”, Simon Vrusho rishfaqet pas një pauze të gjatë si lëvrues i poezisë, duke shpalosur botëkuptimin e tij për këtë zhanër.
Rikthimi është jo i lehtë. Kohët janë të vështira dhe uni lirik nuk sheh asnjë fill të gjelbër, nuk sheh rrugëdalje dhe dritë në errësirën e himnit të hungërimave. “Jam këtu në mes të pyllit/ Ku nuk shihet asnjë fill i gjelbër// Himni i hungërimave ka rënë në koma/ Nën një qiell të hapur jashtë// Mjerë ju, o kafshë!”
Simoni si njeri ishte sqimtar. Këtë karakteristik e mishëron më së pari poezia e tij. Fraza e sendërtuar me elegancë dhe rregullësia e vargëzimit të bien në sy. E bukura si kategori estetike shenjonte gjithçka që kishte të bënte me shkrimtarinë e poetit, duke filluar nga një koment i çfarëdoshëm në rrjetet sociale e deri tek krijimet e mirëfillta artistike. “Nuk të del kurrë e keqja në rrugë/ kur rruga është e keqja vetë.” – shkruan Vrusho. Ose: “Kur poshtërsia ngjitet lart/ Malet shkundin shifrën e lartësive në harta.”
Ai shfaqet përgëzues dhe urues në vargjet e tij. Një gjë e tillë del në poezinë “Urim për filizin”, ku “filizit” i dëshirohet që në rritje ta shohë botën nga sytë e një peme. Në fakt, nuk është gjë tjetër vetëm se një metaforë e mrekullueshme për njeriun, i cili duhet të tejkalojë vetveten dhe të mos ngelet i vogël: “Rritu filiz,/ I brishtë, i hollë, i lehtë si një gjethe./ Kur të rritesh, mos harro/ Ta shohësh botën me sytë e një peme.”
Vrusho krijues nuk besonte tek letërsia “në vete e për vete”, por ai e shihte krijimtarinë të lidhur me mesazhin poetik, me jetën dhe realitetin e përditshëm. Disa prej poezive të tij duken të tejkaluara në këtë drejtim, mirëpo ato janë moderne përsa i përket larmishmërisë së gjuhës, figuracionit të pasur, ritmit, muzikalitetit të vargut dhe të strofës.
Poezia “Harrim” është shprehje e një lakonizmi të thellë, gjuhe të pasur dhe ritmi të shpejtë, që krijon një muzikalitet gjatë gjithë vargjeve: “Pasi u artikuluan me radhë vendimet/ Për të parin, të dytin, të tretin… të tridhjetë e nëntin/ I njëqindi nuk e dëgjoi të tijin dënim../ Zoti gjykatës, ku e latë dënimin tim?/ Po, ti je dënuar me harrim…”
Në krijimtarinë e tij Simoni shprëfaq përbrendësinë e prejardhjes dhe të vendlindjes. Velçani, fshati ku lindi dhe kaloi fëmijërinë, është një lloj Makondoje markeziane, ku bota aty jo vetëm zë fill, por gjithçka “gatuhet” me baltën, ëndrrat, gojëdhënat, rrëfimet dhe rrëfenjat e vendlindjes.
Poezia “Për ku jeni nisur të paudhë?” me motive folklorike, i përngjet një valleje të ngjashme me valët e detit, alla-lasgushiane: “Për ku jeni nisur të paudhë?/ Më kot tani hiqni frymën thellë,/ Mallkimi pas ju ndjek – gunë e zezë/ Dhe më s’ju qas tani asnjë shpellë.// Për ku jeni nisur të paudhë?/ O të paudhë të mëdhenj!/ Kur s’ka faltore për ju kurrëkund/ Si mund të ketë një Shëmbërdhenj?!”
Vrusho është shpotitës në lirikën e tij. Është i pakompromis me të keqen, e lufton atë dhe duket sikur shtron shinat e një rruge vetjake që udhëhiqet nga e bukura dhe sublimja.
Në poezinë “Ejani”, e ndërtuar mbi bazën e një kontrasti të thellë, poeti shndërrohet në misionar të shpirtit njerëzor, duke e shpëtuar atë nga shuarja: “33 lisa mbledhur mbi një degë,/ Mbështetur në të dhe shtëpia ime./ Dëborë dhe shqotë/ Dhe një diell i hollë në dimrime./ Dhe rrënjët tok me limfën ngjisin lart/ Një shkëmb ku platitet çdo erë,/ Ejani, ndizni këtu një qiri/ Që shpirti mos t’ju shuhet, o të mjerë.”
Simoni është mjeshtër i gjuhës dhe artizan i fjalës. Ai luan me fjalën në ndërtimin e vargut ngjashëm si gurskalitësi me gurin e tij për ndërtimim e një kalldrëmi.
Poezia e tij “Vesë dhe Brymë” ka karakteristika të mirëfillta tregimtare. Lexuesi duket sikur po lexon një prozë poetike të Martin Camajt, ku disa elemente të thjeshta të agimit të ditës arrijnë të na japin poetikisht kuptime të thella jetësore: “Pllajë…/ Ku janë këtu varret e këmborëve?/ Brinjë…/ Ku janë këtu varret e zileve?/ Një vesë e hajthme, e trishtuar/ Ka rënë nga yjet si përshpritje…/ Dhe fryn një erë,/ Bie një fyell në një degë lisi…/ Ku je o mali ynë?/ Bari ngjethet,/ Vesa-mornica/ Kthehet sakaq në brymë…”
Ironia deri në sarkazëm është një armë e fortē e poetikës së tij. Ai kritikon, por nuk tallet, ironizon, por nuk anatemon, mban qëndrim, por nuk përbaltë. Në poezinë “Delirius” ironia duket se arrin shkallën më të lartë, duke e shpirtëzuar delirin si humbje e vetëdijes dhe funksioneve njohëse për një periudhë të shkurtër kohore, e duke i dhënë atij tipare dhe karakteristika njerëzore, madje edhe duke e emërzuar: “Të hipën në skenë dhe të thanë: Luaj! Teatër, teatër, teatër/ Skenë, skenë, skenë/ Kanë kaluar vite dhe teatri ende s’ka një emër// I veshur me djersë si me lotë/ Ti nis monologun: – Një emër, ju lus! Pas vdekjes nominohesh: DELIRIUS”
Simoni e tejlakon ironinë duke shkuar deri në autoironi si shkalla më e lartë e saj. “Midis tinëzarëve/ naiv kam qenë…” – shprehet ai në një varg. Ndërsa më tej nëpërmjet dy krahasimeve poeti i bën të qartë lexuesit se çfarë ka qenë ky “naivitet”: “…Si dëbora/ Si një kristal i butë në ajër/ Goditur jo befas nga krahu i një zogu/ Që ia ndryshon trajektoren// Dhe që atëherë mbeta/ në familjen e ortekëve.”
Poetika e Vrushos ka karakteristika që shprehin përbrendësinë intelektuale të poetit: “Sipas Nerudës duhet të thosha/ Se ata janë një tufë minjësh/ Që kanë hipur mbi supet e popullit/ dhe që aty ia brejnë/ Të gjithë flamujt e parimeve të shenjta” Në këto vargje ai mbështetet tek poetë të tjerë për të kuptuar realitetin jetësor të përditshmërisë së tij, njëkohësisht ato tregojnë njohjen e thellë që ka ndaj letërsisë së mirë.
Po ashtu, në poezinë “Filozofi”, veçse këtë radhë burimi është një plak që është shndërruar në filozof, i ngjashëm me filozofinë e Lindjes së largët: “Dhe më ka thënë dikur një plak:/ Trokitjet e hapave në tokë,/ Trokitje të lehta,/ Por pyetja është e rëndë:/ Jemi ne që trokasim në tokë/ Apo toka që troket në ne?”
Vrusho poet është i ngjashëm me Simonin njeri. Kjo, në dallim nga shumë poetë të tjerë. Është njeriu që beson tek arti poetik si përbrendësi e tij dhe tek aftësia që poezia ka jo vetëm për të kritikuar dhe nxjerr në pah, por, mbi të gjitha, për ta kuruar qenien njerëzore. Ai beson në ato që shkruan dhe shkruan vetëm ato që beson.
Në përmbyllje të kësaj analize të shkurtër tekstuale të disa prej poezive të Simon Vrushos, më vjen ndër mend vargu i sivëllait të tij poet, Ndoc Gjetja, që kumpton: “I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna”.
Dhe ky është përkufizimi më i drejtë për të si krijesë dhe krijues: Simoni ishte dekoruar “Njeri” qysh në lindje. Dhe sa nevojë kemi sot pikërisht për Njeriun….!