Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me ndryshimin e ligjit për tatimin mbi fitimin, i cili u miratua për herë të dytë nga mazhoranca pas kthimit nga Presidenti Meta, duke e quajtur haptazi si anti-kushtetuese.
Manjani citon nenin 9 të atij ligji përmes të cilit ai shpjegon se lehtësia fiskale ka fuqi prapavepruese ku sipas tij do të thotë se kjo shtrihet në kohën e para veprimit të këtij ligji.
Duke përmendur edhe nenin 155 të Kushtetutës i cili përcakon se, “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”, Manjani shkruan se, “Kushtetuta ka rënë”, sepse sipas tij, Kushtetua NDALON rreptësisht që një ligj fiskal të veprojë në kohën e para hyrjes së tij në fuqi!
Postimi i plotë i Manjanit
E pa imagjinueshme!
Nuk është as interpretim, as supozim, as sharje as paragjykim, por fakt.
Ligji për ndryshimet në tatimin mbi fitimi, të cilin miratuan për së dyti, ps kthimit nga Presidenti i Republikës, është HAPTAZI e DUKSHËM kundër Kushtetutës.
Lexojini vetë ti kuptoni! Janë fare të thjeshta. Nuk duhet të jesh jurist të kuptosh këtë shkelje të hapur të Kushtetutës!
Neni 9 i atij ligji thotë:
“Në nenin 38, “Dispozita kalimtare”, shtohet pika 9 me këtë përmbajtje: Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 % do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”.
Pra, lehtësia fiskale ka fuqi prapavepruese, dmth shtrihet në kohën e para veprimit të këtij ligji.
Ndërkohë Kushtetuta në nenin 155 të saj përcakton se:
“Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.
Pra Kushtetua NDALON rreptësisht që një ligj fiskal të veprojë në kohen e para hyrjes së tij në fuqi!
Nuk e di se ç’duhet më shumë, për të kuptuar se Kushtetuta ka rënë!!!
Arroganca politike sot është mbi Kushtetutën e mbi Republikën!
Gjykata Kushtetuese nuk ekziston….