E paralizuara bën 3 herë në javë dializë, shteti i rimburson vetëm 4600 lekë në muaj

Tre herë në javë në këtë gjendje ajo duhet të kryej shërbimin e dializës në Spitalin Rajonal Fier, pasi ai i Lushnjës nuk e ofron si shërbim.

Në këto kushte familjarët detyrohen të marrin një makinë me qira ditore 4000 lekë që nisen në ora 6 të mëngjesit dhe kthehen në shtëpi në ora 11:00. Plus makinës me qira u duhet edhe ndihmë njerëzore, pasi e sëmura e paralizuar duhet të ngarkohet e lëvizë me barelë.

Kësaj paciente nuk i është ofruar asnjë ndihmë për transportin e saj apo mbulim financiar të këtij transporti, përveç rimbursimit prej 4600 lekësh në muaj, ndërkohë që në një javë ajo shpenzon 12 mijë lekë, që paguan makinën me qira. Burrë e grua jetojnë me pension të cilin e kanë 17 mijë lekë secili, pra të ardhura totale 34 mijë lekë në muaj. Bashkëshorti sqaron për Fiksin se zonjës së tij nuk i rimbursohen as ilaçet, të cilat kanë një kosto të konsiderueshme.

“Sa herë që bëjmë analizat pas dializës del dhe receta dhe unë vetëm herën e fundit i bleva 8300 lekë ilaçe. Nuk ia dal dot se ajo do ilaçet, makina do 4 mijë lekë në ditë, bebelina etj ” shprehet ai.

“Unë ndaj i jam drejtuar Fiks Fare që të më zgjidhet puna e transportit nuk kërkoj gjë tjetër, sepse janë interesuar dhe më kanë thënë në Spitalin e Lushnjës që nuk na takon as kemp dhe as kujdestari. Ndërkohë që për transportin më kanë thënë që spitali nuk ka buxhet, zgjidheni vetë”, tha Zaimi.

Fiksi pa nga afër një ditë të dializës të çiftit Baci. Nisja herët në mëngjes me një makinë tip furgoni. Zaimi me ndihmën e djalit e fusin 73-vjeçaren me anë të barelës në makinë dhe nisen drejt Spitalit Rajonal të Fierit.

Aty sërish në barelë e dërgojnë Hidajeten tek dhoma ku merr shërbimin e dializës dhe së bashku me shoferin që kanë paguar presin aty deri sa ajo të mbaroj, rreth orës 10:00. Në përfundim ata rikthehen në shtëpi rreth orës 11:00. E njëjta situatë për këtë familje ndodh tre herë në javë.

Fiksi u interesua në Spitalin e Lushnjës ku drejtori i këtij spitali nuk pranoi të prononcohej por pranoi se nuk e njihte rastin. Ai u shpreh se do të pyeste në ministri se si veprohej në të tilla raste dhe më pas do i kthente një përgjigje gazetarëve të Fiksit.

Por vetëm një ditë më vonë i menjëhershëm ishte reagimi nga ana e Spitalit Lushnje duke i çuar familjes Baci një autoambulancë e cila do të mundësojë  transportin e të paralizuarës drejt Spitalit të Fierit për të kryer shërbimin e dializës.

Artikulli paraprakMedia e madhe gjermane: Rama po minon demokracinë dhe drejtësinë, Berisha kërkon të shkrijë SPAK!
Artikulli tjetër“Lekët e laboratorit shkuan për kuzhinë”, gazetari Poli Hoxha zbardh skandalin