“E shkuar e pakryer”: Romani i një politologu

«Nganjëherë rrëfimi i një historie personale mund të jetë shumë më i dobishëm për parashtrimin e një pyetjeje ose hipoteze sesa një traktat filozofik apo shkencor ». Kështu e përligj politologu dhe pedagogu Ermal Hasimja zgjedhjen e formës së romanit për të komunikuar me publikun një temë thellësisht politike. Ndonëse libri rrëfen historinë e vërtetë të gjyshes së tij, të ndarë për 44 vjet nga familja e saj gjakovare pas zhvendosjes në Shqipëri, ajo që synohet është më tepër një reflektim politik e filozofik sesa një përshkrim estetik.

Libri ngrihet mbi paralelizmin mes harresës si pasojë e sëmundjes te individi dhe harresës së vullnetshme të komunizmit nga shoqëria. Pyetja themelore : A është harresa një strategji mbrojtëse ? A funksionon ajo vërtet?

“Historia nuk ka nevojë të krijohet dhe unë nuk kam merita për të. Autori është komunizmi. Unë thjesht përfytyrova dialogjet dhe përshkrova kontekstet”, – thotë Hasimja. Histori të tilla ka plot në Shqipëri, por ato sot rrëfehen vetëm në cepa të skajshëm mediatikë. Publiku i sotëm nuk është më i interesuar për dramat e komunizmit. A mos është kjo harresë një mënyrë për të shmangur çfarëdo sensi përgjegjësie si ajo që mendonte Jaspersi për gjermanët e viteve ‘30-‘40? A është harresë apo ikje nga e vërteta? A nuk është shqetësues fakti se sot e kësaj dite një pjesë e mirë e shqiptarëve ende mendojnë se komunizmi ishte një ide e mirë, por e realizuar keq, pa e pranuar kurrë se zhdukja e lirisë është një e keqe themelore në vetvete pavarësisht cilitdo qëllimi? A është e shkuara jonë ende e pakryer?

Hasimja shtron pyetje të cilave zakonisht u ka dhënë përgjigjen e vet në shkrime e debate. Në libër ai mjaftohet me ilustrimin e nevojës për t’i bërë këto pyetje sinqerisht e thellësisht./ditar.al

Exit mobile version