“E trishtë që Biden nuk fali dhe veten!”- Donald Trump jep intervistën e parë si president! Nga TikTok te hetimi i paraardhësit të tij, çfarë deklaroi republikani pas marrjes së detyrës

Donald Trump ka dhënë intervistën e tij të parë që pasi u betua si president i SHBA-së, ku theksoi edhe njëherë angazhimin e tij për të dëbuar miliona emigrantë pa dokumente nga SHBA.

 

Në këtë intervistë për  Fox Neës, republikani siguroi se “mijëra terroristë” ndodhen në vend për shkak të politikës së imigracionit të ndjekur nga paraardhësi i tij Joe Biden.

Trump theksoi se vende si Venezuela “i hoqën bandat nga rrugët e tyre dhe i sollën në SHBA”. “Do merremi me të”, siguroi presidenti i ri i SHBA-së.

Pak para kësaj interviste, zëdhënësja e presidencës amerikane, Caroline Leavitt, njoftoi se republikani kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të dërguar 1500 trupa shtesë në kufirin e SHBA-së me Meksikën. Ata do t’i shtohen më shumë se 2,000 ushtarëve tashmë në kufirin jugor të vendit.

Në intervistën e tij, Trump përmendi edhe vendimin e paraardhësit të tij për të falur paraprakisht disa anëtarë të familjes së tij, si dhe zyrtarë publikë, si Anthony Fauci.

Republikani tha se është e trishtë sipas tij, që Biden nuk e fali veten.

“Dhe ju e dini, gjëja qesharake, ndoshta e trishtueshme, është se ai nuk e fali veten,” tha Trump.

Kur u pyet nga gazetari i Fox News nëse do të dëshironte që Kongresi të hetonte paraardhësin e tij, Trump u përgjigj: “Unë mendoj se do ta lë Kongresin të vendosë”.

Trump ndër të tjera u ndal edhe te zjarret qe kanë përfshirë Los Angeles-in, duke lënë të kuptohet se ai po konsideron eliminimin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA).

“FEMA nuk e ka bërë punën e saj për katër vitet e fundit,” tha ai. “FEMA do të jetë një bisedë e madhe shumë shpejt, sepse unë do të preferoja që shtetet të merren me problemet e tyre,” përfundoi ai.

Republikani kritikoi mënyrën se si po menaxhohen zjarret në Los Anxhelos nga guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom.

Trump hodhi poshtë gjithashtu shqetësimet se TikTok po mbledh të dhënat personale të amerikanëve në emër të Kinës, duke thënë: “A është kaq e rëndësishme që Kina të spiunojë të rinjtë? Fëmijët e vegjël duke parë video të çmendura?”

Gazetari replikoi duke thënë se platforma në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, është “një aplikacion spiun për kinezët komunistë”, ndërsa republikani tha me humor: “Po amund të thuash këtë për të gjitha produktet që prodhohen në Kinë? Shiko telefonat, ne i kemi prodhuar kryesisht në Kinë, kemi kaq shumë gjëra që prodhohen në Kinë, kështu që pse të mos i referohemi kësaj?”

Artikulli paraprakDemokratët Euroatlantikë: Nuk ka parti të re, vazhdon beteja ligjore për PD, në zgjedhje me koalicion
Artikulli tjetërDETAJE/ Aksioni antidrogë në Fushë-Krujë “çoi” në duart e policisë nipin e ish-deputetit të PS-së, si u arrestua Ariel Rraja!? Blutë shkuan për të kapur…