Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një mesazh të gjatë të një qytetari mbi atë që po ndodh në Elbasan dhe situatën e krimit në këtë qytet. Aty flitet për Petrit Çelën dhe lidhjet e tij me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Qazim Sejdini. “E vërteta e mafies Rama-don Lala në Elbasan! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje i nderuar. Ju drejtohem ju, sepse nuk kam pik besimi në asnjë organ ligjzbatues të këtij shteti. Dje të gjithë dëgjuam deklarata të zotit Petrit Çela që nuk ja ka idenë se kush e ka përplasur makinën e zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit dhe se makina e tij ka qenë e parkuar në ambjentet e tregut agro-ushqimor, ndërkohë që vetë policia deklaroi të kundërtën: Është goditur nga “Audi” i blinduar dhe në “Audi” udhëtonte djali i tij Suel Çela bashkë me dhëndrin e kryetarit të Bashkisë, Sokol Sanxhaktarin më pas janë larguar në drejtim të tregut. Dje si shumë herë të tjera këto persona hodhën baltë mbi Policinë e Shtetit, pasi e goditën policinë ikën vet në polici, sepse Policia e Elbasanit “nuk i gjen dot” dhanë një deklaratë qesharake dhe dolën të palagur, duke menduar për lëvizjen e radhës sesi të shkatërrojnë më tepër banorët e këtij qyteti apo duke përulur akoma më shumë policinë e këtij vendi.
Vërtet Petrit Çela është një biznesmen në qytetin e Elbasanit, por pse asnjë nuk po flet për djalin e tij dhe për njerëzit që e rrethojnë? Për ato njerëz që prej vitesh terrorizojnë qytetin, duke ushtruar dhunë fizike/psikologjike, vendosin gjoba të panumërta shifra që arrijnë deri në 80.000 euro, duke i marrë pronat njerëzve për shifra mëse qesharake (Rojes së tregut Valmir Dedja, që sot është i arrestuar i kanë marrë një lokal në afërsi të Universitetit “A.Xhuvani” për shifrën e 20.000 euro). Apo që nxorrën nga banesa me dhunë një qytetar të ndershëm sepse “për fatin e tij të keq” jetonte përballë shtëpisë së Qazim Sejdinit dhe kësaj shtëpie iu vu syri nga dhëndri i tij, Sokol Sanxhaktari.
Përfundimi? Personi donte apo nuk donte u largua nga shtëpia e tij duke i lënë vendin dhëndrit të Qazimit sepse ishte vendi më ideal ku Sokol Sanxhaktari do jetonte i qetë, pranë vjehrit të tij zonë në të cilën Policia e Elbasanit as nuk e çon nëpër mend të afrohet e jo më të ushtrojë kontrolle që të gjejë persona që sipas tyre janë shpallur në kërkim. Kelmend Xhaferri shoferi personal i Petrit Çelës ka qenë i dënuar me 16 vjet burg në Greqi për heroinë, të cilën e merrte nga djali i tij Sueli (heroinë të cilën ky person e merrte nga Turqia, duke e shpërndarë më pas drejt Europës) dhe duke qenë se nuk hapi gojë e ndihmuan të dalë nga burgu dhe e morën si ushtar pranë vetes.
Një person tjetër për të cilin ligji i sekuestrimit të pronave të vëna falë parave të pista mesa duket e “ka harruar” është miku i ngushtë i Suel Çelës, Klodian Çopja, i cili është dënuar me 17 vjet heqje lirie, pasi trafikoi 530 kg kokainë me vlerë 60 milionë paund. Dënim që e vuan në burgjet e Anglisë. Ky person është pronari i një prej lokaleve më luksozë në Elbasan. Pronë e cila kap vlerën e 1 milion eurove dhe asnjë organ nuk ka dënjuar të vazhdojë procedurat e sekuestrimit të pronës, pasi dihet mjaft mirë si është vënë pasuria e këtij personi.
Pavarësisht se është harruar nga ligji i sekuestrimit të pronave, ai nuk është harruar nga shokët e tij Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari që bashkë me vëllain e Klodion Çopes vazhdojnë aktivitetin e paligjshëm e lënë përgjysëm nga ky person, duke u vënë në krye të këtij rrjeti dhe duke e bërë të lulëzojë akoma më shumë tani në gjithë Europën. Ky grup është një kontigjent mjaft i rrezikshëm kriminal që vepron në çdo fushë të Elbasanit dhe më gjerë akoma falë shtetit që kur vjen puna te këto njerëz “nuk i shikon” ose akoma më keq i ndihmon siç ndodhi para disa ditësh që u mundua me të gjitha forcat ta fshihte ngjarjen e shëmtuar që ndodhi karshi zv/drejtorit të policisë. Shumë e shumë gjëra ka “harruar” ky shtet ndaj këtyre njerëzve. Jo më larg se disa muaj u kapën kamionët me drogë që vinin nga Maqedonia dhe ishin kaluar në dogana nga Agjensia Doganore “Ujori” që është në pronësi të familjes Sejdini.
Në Elbasan më shumë se kudo tjetër vlen shprehja e njohur nga filmi shqiptar “Çudia më e madhe 3 dit zgjat”. Të gjitha bëmat kriminale të Suel Çeles, Sokol Sanxhaktarit dhe Qazim Sejdinit kanë zgjatur jo më shumë se 3 ditë duke u mbyllur e duke u harruar nga kushdo. Prej vitesh rreziku kryesor për Elbasanin ka qenë Metalurgjiku, i cili po helmon këtë qytet tani është ky grup i mirëstrukturuar kriminal që po kërcënon jetët e të gjithë banorëve të qytetit, duke helmuar rininë me drogë me synim të afrojnë sa më shumë ushtarë pranë vetes që në një të ardhme të afërt t’i përdorin për interesat e tyra në dëm të qytetarëve të pafajshëm.
Doktor jeni personi i vetëm që kam besim të shprehem, pasi në Elbasan nuk jam unë i vetmi që di për këta njerëz. Këto fjalë dhe shumë e shumë të tjera qarkullojnë çdo ditë në qytet, sigurisht me frikë, sepse fjala shkon në veshin e kriminelëve dhe më pas ndëshkohesh nga ligjet e këtyre njerëzve. Shpresoj ta publikoni. Ju uroj shëndet dhe shpresoj një ditë të vendoset drejtësia në këtë qytet”, shkruan qytetari.
Xhafa u informua për autorin që sulmoi policinë, por nuk e arrestoi
Zbulohen të tjera detaje për sulmin ndaj nëndrejtorit të Policisë në Elbasan më 18 shtator. Në një raport konfidencial të Policisë së Elbasanit që i është dërguar ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, punonjësit e policisë kanë rrëfyer se gjithçka nisi për një radio dore, të ngjashme me radiot e policisë, që e mbanin dy persona që udhëtonin me “Range Rover”. Raporti konfidencial përgënjeshtron versionin zyrtar të policisë, sipas të cilit aksioni nisi për kontrollin e mjeteve luksoze në qytet.
Suel Çela, djali i biznesmenit që ka lidhje me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Qazim Sejdini, është personi që sulmoi me makinë zëvendësdrejtorin e Policisë në Elbasan. Pavarësisht se emri i tij i është dërguar edhe ministrit Xhafa dhe qarkullon në të gjitha mediat, policia jo vetëm që nuk e arreston, por nuk guxon as t’i përmendë emrin. Në asnjë deklaratë zyrtare nga policia nuk citohet emri i personit që drejtonte mjetin tip “Audi”, me të cilin u sulmua zëvendësdrejtori i Policisë.
Në materialet e Policisë, shkruhet se rreth orës 20:00 të datës 18 shtator në “Range Rover” ishin dy persona, Ledio Zabeli dhe Endri Çopja. “Më parë këtij automjeti i ishte bërë thirje të ndalonte, dhe ai kishte ndaluar përpara derës së tregut Agroushqimor. Në ndjekje të këtij mjeti, policët i kishin parë në dorë pasagjerit të këtij mjeti, një radio si atë të policisë.
Ndërsa ky mjet i ishte ndaluar policisë, dhe policët kishin kërkuar të shihnin radion që pasagjeri mbante në dorë, Ledio Zabeli kishte tentuar tia linte radion e dorës, rojes së tregut Agroushqimor, por policët nuk e kishin lejuar ta bënte këtë. Policët i kërkuan drejtuesit të mjetit dokumentat e makinës, dhe ai u deklaroi se mjeti ishte në pronësi të Petrit Çelës”.
Efektivët e policisë fillimisht debatuan me dy personat e ndaluar, që nuk pranonin të shoqëroheshin për verifikim në komisariat. Ndalimin e bëri zv/drejtori i Policisë, i shoqëruar nga tre policë të tjerë. Kur vunë re se, situata po tensionohej, policët kërkuan përforcime.
Pasi mbërriti një furgon i “Shqiponja” dhe një furgon tjetër “patrullë policie”, njëri prej punonjësve të policisë hipi në “Range Rover” bashkë me drejtuesin e mjetit Endri Çopja, ndërsa Ledio Zabelin e fusin në furgonin e Policisë “Shqiponja”.
Sapo u bënë gati të lëvizin drejt Komisariatit, ndodh sulmi nga një “Audi” i zi, që më pas rezultoi se ishte i blinduar. Në raport përshkruhet momenti i sulmit si më poshtë:
“Një makinë e tipit “Audi”, ngjyrë e zezë, ka ardhur me shpejtësi nga qyteti/juglindja e Elbasanit, dhe pasi është futur mes dy makinave të policisë, automjetit “Wolswagen” autoveturë me targë policie MB 002 AA, dhe furgonit patrullë policie, ka ndeshur me pjesën anësore, majtas të mjetit, autoveturën me targë policie MB 002 AA, në pjesën fundore, majtas, krahu i shoferit, në prapakolp, dhe menjëherë ka hyrë në territor të tregut Agroushqimor, porta e të cilit është hapur nga dikush/roja i objektit, në distancë, me anë të pultit të komandimit (pasi vetë roja nuk është vënë re tek porta), dhe menjëherë pas kësaj porta e objektit është mbyllur përsëri”.
Në raportin konfidencial theksohet qartësisht se, sulmi me “Audi” rrezikoi jetën e policëve. “Nga ky manovrim i drejtuesit të autoveturës “Audi”, u rrezikua dukshëm jeta e oficerëve të policisë që ishin brenda kësaj makine në këtë moment, dhe e policëve të tjerëve, që ndërkohë po përgatiteshin të hipnin në makinat përkatëse për të shkuar në Komisariat”, thuhet në raport.
Në përgjigje, një nga efektivët e policisë qëlloi me armë në ajër, por drejtuesi i “Audit”, ndërkohë ishte futur në tregun Agroushqimor. Policët tentuan ta ndjekin me shpejtësi, por në këtë moment, roja i tregut mbylli derën përmes pultit telekomandues. Thirrjet e policisë për të hapur derën ishin të kota, deri në mbërritjen e pronarit të objektit, Petrit Çela. Biznesmeni rezultoi se ishte edhe pronari i mjetit me të cilin u sulmua policia. Me mbërritjen e Çelës u hap dera e objektit, por policët saktësojnë se, “kjo gjendje zgjati shumë në kohë”.
Një tjetër moment i ngjarjes është ai i gjetjes së makinës “Audi”. Megjithëse policët janë të bindur se ishte ky mjeti me të cilin u sulmuan, çelsat e saj i solli Petrit Çela. “Çelësat e “Audit” i solli Petrit Çela, dhe ajo u hap. Në pamje të parë, ajo dukej makinë e blinduar. Në të, nga jashtë, në pjesën anësore, majtas, krahu i shoferit, viheshin re shenja gërvishjeje që fillonin nga dera e shoferit dhe vazhdonin deri në derë të pasagjerit, majtas, e ndërsa shiriti i këtij krahu u gjet në tokë. Kjo përforcoi dyshimin që ky mjet kishte goditur mjetin e policisë më parë”, thuhet në raport.
Raporti i policisë ka qenë në tryezën e ministrit Fatmir Xhafa menjëherë pas ngjarjes. Një burim pranë Ministrisë së Brendshme që mundësoi raportin për Lapsi.al, tha se, vendimi për të dislokuar në Elbasan Forcat Speciale nuk ishte i lehtë për ministrin. Megjithatë është e lehtë të kuptohet që fakti, se policia veproi vetëm 3 ditë më pas dhe se nuk bën ende me dije emrin e të dyshuarit kryesor për ngjarjen, e gjitha mund të konsiderohet një çështje e mbyllur. Autori që sulmoi policinë nuk do të arrestohet për shkak të mbështetjes politike që ka.
Policia ka në video autorin, pse nuk arrestohet?!
Çfarë ndodhi në Elbasan mbrëmjen e 18 shtatorit, kush është njeriu që thuhet se goditi mjetin e policisë së këtij qyteti? “Top Channel” disponon dosjen në të cilën është referuar incidenti që pasoi prezencën e RENEA-s dhe të FNSH në këtë qytet. Në informacionin përcjellë Krimeve të Rënda thuhet se, nuk ishte vetëm operacioni “Vjeshtë 2017” shkaku i ndërhyrjes së policisë, por edhe një telefonatë e bërë specialistit të Krimeve që besohet se ka qenë një shtetas me emrin Sokol Ç.
Mesazhi i telefonatës ishte ky:
“Koli jam. Më ndihmo se në brendësi të tunelit më kanë dalë dy makina dhe më kanë bllokuar rrugën. Është një ‘Range Rover’ dhe një ‘Audi’ me ngjyrë të zezë. Jam i frikësuar!”.
Rezulton se telefonata është kryer në orën 16:20 dhe menjëherë i është shpërndarë sallës operative dhe zëvendësdrejtorit të policisë. Disa orë më vonë, sipas dosjes, një shërbim i patrullës “Shqiponja” ka konstatuar pranë tregut agroushqimor një makinë “Range Rover” që po udhëtonte në drejtim të kundërt. Pas ndalimit të këtij mjeti që drejtohej nga Ledio Zabeli, është konstatuar se ai mbante një radiomarrëse, thotë policia. Në këtë moment, thuhet më tej ka mbërritur një “Audi” i blinduar me xhama të zi që ka goditur makinën e policisë, duke rrezikuar jetën e katër oficerëve të Policisë së Elbasanit.
Zëvendësdrejtori, si njëri prej oficerëve që ndodhej në makinë shpjegon: “Si pasojë e goditjes, mjeti i policisë u zhvendos 90 gradë dhe në këtë moment, vura re se dera elektrike e tregut u hap dhe makina hyri brenda. Një oficer i patrullës ‘Shqiponja’ bërtiti ‘ndal, policia’ dhe më pas dëgjova të shtëna nga ana e policisë”.
Po ndërsa policia lokale e përshkruan autorin si një njeri të rrezikshëm që drejton një grup kriminal, të vakëta janë dëshmitë e oficerëve, të cilat nuk japin asnjë përshkrim mbi autorin që sipas tyre, ishte i panjohur. Madje, edhe zëvendësdrejtori i policisë nuk ka arritur ta dallojë. “Drejtuesi i mjetit, me sa vura re, ishte rreth 35-40 vjeç, me fytyrë të mbushur dhe kapele rrumbullake. Tjetër gjë nuk kam mundur të fiksoj, pasi ai ishte edhe me shpejtësi”. Por përveç dëshmive të policëve, të cilët nuk thonë asgjë, ajo që do të hedhë dritë të plotë mbi skenën se si ndodhi përplasja është një video e sekuestruar fare pranë një objekti dhe që pritet të merret në dorëzim nga Prokuroria.