E vërteta është më e mirë se çdo tym plehrash që djeg Rama dhe Berisha bashkë

Nga Desada Metaj

Prej disa ditësh disa media në Shqipëri dhe më shumë jashtë Shqipërisë kanë publikuar lajmin e dy anijeve të ngarkuara me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga porti i Durrësit.

Fakt- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me një ngarkesë mbetjesh të rrezikshme që u nis në drejtim të Tajlandës. Referimi është bërë nga Drejtoria e Doganave dhe paraprakisht akuza është për “kontrabandë me mallra të rrezikshme.

“Bloomberg” pasqyroi i pari për këtë rast pas denoncimeve të bëra nga organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit ndërsa kompania Maersk ka vendosur të kthejë dy anijet që mendohet se janë të ngarkuara me rreth 800 tonë mbetje industriale nga Shqipëria.

Asnjë autoritet përgjegjës në Shqipëri nuk ka asnjë reagim zyrtar për këtë çështje delikate. Mbetet e paqartë origjina e 800 ton ngarkesë. Nëse janë mbetje të Shqipërisë apo të marra nga vende të tjera. Nëse janë nga Shqipëria të tilla sai prodhojnë vetëm furrat e KURUM apo ato të minierave.

Kompania që është marrë me transportin e mbeturinave të rrezikshme është e regjistruar me emrin “Sokolaj shpk”. Kompania ka leje për transportin e mbeturinave të rrezikshme të marrë në vitin 2022. Ndërsa dy vite më pas, në 2024, ajo angazhohet me transportin e 800 ton mbetjeve toksike. Një sasi e madhe kjo për një kompani me thuajse aspak eksperiencë në këtë fushë. Kompania nuk jep detaje se si i ka mbledhur dhe paketuar këto mbetje pasi ajo është autorizuar vetëm për transportin e tyre.

Opozita hesht. I vetmi që flet ështe Sali Berisha. Që spekulon me të vërtetën duke folur për “groposje në tunelet e vendit të helmeve”. Kjo tymnajë e rrezikshme largon vëmendjen nga e vërteta që ështe e qartë. Mjafton që mbështetësit e kryetarit të PD apo dhe deputetët e tij të lexojnë ato që shkruhen në median ndërkombëtare për këtë çështje.

Konkluzion- qeveria hesht, opozita hesht, kryetari i PD spekulon dhe e vërteta mbulohet me tymin e plehrave që e kanë origjinë nga bizneset shqiptare. Se cilat janë këto biznese, se kush fshihet pas tyre që të gjithë heshtin dhe Berisha e përdor si mashë për të trazuar zjarrin e opinionit publik, kjo mbetet për t’u parë.

Në respekt të qytetarëve kjo aferë ka nevoje së pari për transparencë. Së dyti për marrjen urgjente të masave për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve. Ne nuk mund të na konsiderojnë pa fund si njerëz të dorës së tretë, që për interesa klienteliste, pakujdesi apo banalitetet e politikës të na përplasin në fytyrë njëra palë heshtjen dhe tjetra spekulimin.

Më poshtë, disa nga shkrimet e mediave ndërkombëtare për transportin e lëndëve të rrezikshme.

https://www.intellinews.com/ships-allegedly-carrying-hazardous-waste-from-albania-barred-from-thai-ports-338759/

https://www.scmp.com/news/asia/southeast-asia/article/3274354/thailand-races-stop-100-cargo-ships-toxic-waste-reaching-its-shores

https://www.intellinews.com/ships-allegedly-carrying-hazardous-waste-from-albania-barred-from-thai-ports-338759/

https://safety4sea.com/thailand-tries-to-divert-containers-carrying-hazardous-waste/

https://www.maritime-executive.com/article/environmentalists-successful-in-getting-toxic-cargo-returned-to-europe

Exit mobile version