“E vërteta nuk blihet me 6 milion dollarë”, Basha: Lidershipi është të sakrifikosh veten, jo partinë për hallin tënd. Sot opozita do ishte në pushtet nëse Berisha nuk do e përdorte për hallin e tij personal

Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në facebeook, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, iu përgjigj pyetjes se “pse tradhëtoi Sali Berishë”. Në përgjigje, Basha theksoi se nuk ka tradhëtuar asnjëherë Partinë Demokratike, duke shtuar se ka kontribuar në mënyrë vendimtare për forcimin e saj. Ai përmendi sukseset e tij, si fitimi i 7 mandateve në 2005 dhe 2009, dhe angazhimin e tij në betejën kundër Edi Ramës. Sipas tij, sakrificat për PD kanë qenë të mëdha dhe ka marrë vendime të vështira për të mbrojtur interesat e demokratëve, siç ishte edhe vendimi i vitit 2021 për të qëndruar në krah të SHBA-së.

Sipas tij, Sali Berisha sot paguan 6 milion dollarë për një vizë për të shkuar në Amerikë, ndërkohë që po të kishte ndjekur rrugën që vetë e premtoi të mospërfshirjes së PD në konfliktin me SHBA, sot do ishte në pushtet.

Basha gjithashtu iu përgjigj edhe pyetjes për marrëdhënien e tij me Edi Ramën. Ai theksoi se kryeministri është përfshirë në një skandal me McGonigal, i cili është dënuar për korrupsion. Sipas tij, Rama ka përdorur gjithçka për të luftuar opozitën, ndërkohë që ai vetë ka qëndruar i pastër dhe pa kompromentuar parimet dhe interesat e qytetarëve.

Basha tha se, kush është në krah të Ramës e tregoi votimi për amnistinë penale, për të cilën ai vet u shpreh kundër, ndërsa një pjesë e deputetëve demokratë votuan për të mbështetur të korruptuarit e Ramës. Ai bëri thirrje që në 11 maj, vota për Koalicionin Euroatlantik, numri 4, është një mundësi për të vazhduar luftën kundër korrupsionit dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Pjesë nga bashkëbisedimi:

Gjovalin Kolndrekaj: Na e thuj të drejtën, si ka mundësi dhe një arsye të vetme, pse tradhëtove ata që të mbanin në krye, Sali Berishën?

Basha: Gjovalin, ta marrim me radhë se ke dy pyetje:

Ta dish mirë që kryet e mi, s’i ka bërë Sali Berisha, i ka bërë nëna dhe baba im. Kështu që, nëse e ke fjalën për kontributin në partinë demokratike, pa kontributin tim, Sali Berisha nuk kishte për të ngritur krye aty ku ishte në 2005 apo në 2009 kur solla 7 mandate nga Elbasani, apo në betejën e drejtëpërdrejtë me Edi Ramën, në 2011. Mos i harro këto, Gjovalin. E ta dish mirë, jo vetëm që nuk e kam tradhëtuar sakrificën tuaj, mundin tuaj, por pikërisht për të shpëtuar atë sakrificë kam marrë vendimet më të vështira edhe ndaj vetes time se lidershipi I vërtetë është kur sakrifikon veten dhe jo të tjerët. Të sakrifikosh partinë demokratike dhe demokratët për hallin tënd e pastaj të pretendosh se je shpëtimtar ky është mashtrim. Çfarë bëra unë? Kërkova që partia demokratike, demokratët të vazhdonin të ishin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse vetëm kështu mund të garantohej një përballje e suksesshme me regjimin e Edi Ramës dhe një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sali Berisha ju tha se kjo s’është e vërtetë por sot paguan 6 milion dollarë për një vizë Gjovalin, ndërkohë që po të kishte ndjekur rrugën që vetë e premtoi të mospërfshirjes së partisë demokratike në konfliktin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të lejimit të partisë demokratike të vazhdonte përpara, përballjen me Edi Ramën, partia demokratike do të ishte në pushtet apo shumë afër pushtetit dhe hallet e tij nuk do të kishin nevojë për fatura të kripura, 6 milion dollarë për një vizë amerikane. Kjo, është e vërteta Gjovalin.

Pyetja tjetër: Pse ruan kaq miqësi e konfidencë me Edi Ramën?

Basha: Gjovalin, Edi Rama është kapur me presh në duar me mikun e tij McGonigal, duke u përpjekur me m’bë gropën mua, kryetarit të opozitës. Kjo është e faktuar sot. Kjo është e faktuar nga drejtësia amerikane. Gjovalin, McGonigal është në burg, i dënuar për korrupsion për atë që bëri kundër kryetarit të opozitës, kundër rivalit për kryeministër Lulzim Bashës. Kjo është e vërteta për konfidencialitetin tim me Edi Ramën. Gjatë gjithë kohës, ka bërë gjithçka për të më luftuar me mjetet më të pista, ndërsa unë, kam vazhduar t’ju shërbej ju pa kompromentuar asnjë minutë të vetëm, asnjë nga parimet, apo vlerat apo interesat tuaja, për interesa personale. Se kush bashkëpunon me Edi Ramën për interesa personale, kundër interesave tuaja, e tregoi vota në parlament për të liruar të korruptuarit, ndërkohë që mbaheshin akoma në burg apo në ndjekje penale protestuesit e partisë demokratike. Dhe ky, nuk isha unë Gjovalin, e di shumë mirë ti se kush ishte. Se kush bashkoi votat për të mbyllur listat e për të pamundësuar që të çonit në parlament atë që doni ju, e jo kështu që këdo që votoni ju, shkon në parlament Ilir Meta, Elvis Roshi me shokë, e di fare mirë se nga kush e ke peshqesh. Kështu që kthjellohu, shkundu, thirri mendjes, bëji sytë 4, dhe më 11 Maj, voto numrin 4, aty I shokët e vërtetë të sakrificave dhe jo ata që kanë bërë pazare me sakrificat, mundin dhe djersën tënde.

Artikulli paraprak“Sakrifica e demokratëve nuk mund të përdoret për të nxjerrë Metën nga burgu”, Basha i përgjigjet komentuesit: Te Koalicioni Euroatlantik janë demokratët që qëndruan në ditët më të vështira. Voto për veten, voto Nr. 4!
Artikulli tjetër“Ujë 24 orë” vetëm në premtime/ Mirela Karabina akuzon qeverinë për mashtrim elektoral në Elbasan