E vetmja alternativë e opozitës për Kryeministër!

Nga Ermal Peçi

Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj politika shqiptare ka luajtur një rol më shumë negativ se pozitiv në ambientin tonë social. Struktura politike ka deformuar strukturën sociale dhe kjo ka sjellë dëmin moral të shoqërisë.

Havel e ka përkufizuar mjaft mirë, vendet post-komuniste vuajnë nga ambienti moral i përlyer. Ky ambient moral i përlyer ka qenë dhe plaga më e madha që politika i ka krijuar shoqërisë shqiptare, pas asaj të emigracionit dhe korrupsionit masiv.

Si sot 32 vite më parë Partia Demokratike arriti fitoren më të madhe në historinë e pluralizmit shqiptar. Ishte falë mbështetjes së madhe së SHBA-së që PD të ishte fituese dhe Sali Berisha të bëhej President.

Shqipëria sot është përsëri në një moment po aq të rëndësishëm sa të viteve 91-92, por jo përballë Ramiz Alisë, por përballë Enverëve të rinj, Rama, Berisha, Meta.

Kjo treshe politikanësh janë shkaktarët kryesorë të deformimit të strukturës sociale, sepse lëvizjet e tyre për qëllime kryekëput pragmatiste e kanë fshirë nga fjalori moralin politik për të mbajtur përgjegjësi për fjalët dhe veprat e tyre.

Në këtë amoralitet politik dhe në këtë strukturë të çimentosur politike- ekonomike gjendet përballë përsëri në rrethana të vështira, por jo të pamundura PD-ja dhe Lulzim Basha.

Gjatë ditës së djeshme Lulzim Basha beri daljen e parë mediatike në Top Story ku shpjegoi me detaje qëndrimet e tij politike, çfarë kishte ndodhur brenda PD-së, mosmirënjohjen dhe pabesinë e bashkëpunëtorëve të tij, por gjithashtu dhe planin se si u rimëkëmb PD-ja.

Basha foli për një aleancë të madhe me shqiptarët, por dhe me parti, të cilat nuk mendojnë për karrige personale, por një aleancë për të zhbërë ndryshimet kushtetuese të 2008, pra marrëveshjen Rama-Berisha dhe për të sjellë një reformë zgjedhore, e cila lejon shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Në këtë aleancë janë dy pika që nuk mund të negociohen, mbështetja për drejtësinë dhe partneriteti me ndërkombëtarët, SHBA, Britani dhe Perëndim, në klimën e re politike këto janë dhe divizat më të mëdhaja të politikës e shoqërisë.

Diskursi i djeshëm i Lulzim Bashës ishte një diskurs mbi ide dhe parime për të hedhur ofertat politike në tryezë të diskutimeve, jo për interesa personale, por për të mirën e Shqipërisë, teza që diferencoi dhe vizionin e tij.

Nga vizioni për të realizuar shkatërrimin- kreativ brenda PD-së të cilit dhe koha i dha të drejtë, tashmë në një platformë politike për të ndryshuar Shqipërinë.

Me profilin e tij politik, vendimet e marra, marrëdhëniet me ndërkombëtarët edhe eksperiencën e vyer të betejave politike edhe formimin perëndim , Lulzim Basha është e vetmja alternativë për Kryeministër në opozitën shqiptare.

Exit mobile version