E vetmja Prokurori në botë që bën komente për hetimet, pse nuk publikon letërporositë?

Prokuroria vazhdojë të bëjë politike me hetimet e stisura dhe të urdhëruara nga shefi politik i akuzës, Rama. Prokuroria ka bërë një deklaratë për të sqaruar pozicionin e saj në lidhje me hetimet që po zhvillon mbi financimin e fushatës së PD.

Ndryshe nga sa pritej, Prokuroria nuk ka bërë publike përgjigjet e letërporosive të ardhura mbi këto hetime nga SHBA dhe Britania. Kryetari I PD, Basha i bëri thirrje Prokurorisë sot të bënte publike përgjigjet e pyetjeve, por Prokuroria ka vendosur të vazhdojë të keqpërdoret politikisht duke bërë thjesht komente mbi hetimet.

Mund të jetë e vetmja Prokurori sot në botë që bën komente mbi hetimet dhe nuk zbardh për publikun të vërtetën. Ajo që duhet të dijnë këta prokurorë politikë është se me hetimet politike nuk mund të shpëtojnë Ramën dhe as të mjegullojnë të vërtetën.

Prokuroria deklaron se objekt i hetimit të saj është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera prej PD gjatë fushatës elektorale të vitit 2017.

Sipas Prokurorisë, në fushatën elektorale të vitit 2017 PD ka deklaruar shpenzimin e 25 000 dollarëve dhe jo shumën prej 650 000 mijë dollarësh të përdorura gjithashtu.

Komentet e Prokurorisë

Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë janë marrë në pyetje ditën e sotme me date 25.03.2019, shtetasit Lulzim Basha, Gazment Bardhi, Ilir Dervishi, dhe Arben Ristani.

Duke marrë shkak interesimin e medias për hetimin që po zhvillohet bëjmë me dije se objekt I hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën elektorale të vitit 2017.

Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh.

Sipas akteve të ardhura nga letërporositë, e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin.

Marrja në pyetje e shtetasve të mësipërm është një proces normal në rrjedhën e zhvillimit të hetimeve dhe në kohën e çmuar si të përshtatëshme në raport me provat e administruara. Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD.

Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë garanton hetim objektiv dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje, duke u bazuar në prova dhe në ligj, si dhe të pandikuar nga deklaratat mediatike.

Artikulli paraprakBanesat sociale në Vlorë mes ujërave të zeza: ”Ku t’i jap fëmijëve për të ngrënë”?
Artikulli tjetërAksi gjermano-francez, miniparlamenti i ri i Europës