Nga Bato Kosova
Deklarata e SHBA-së ishte një tjetër thikë në trupin e plagosur të Sali Berishës, jo vetëm nga Amerika por edhe nga Britania e Madhe dhe drejtësia. Miti i Berishës ka rënë para çdo shqiptari. Ai e përdori pushtetin e demokratëve për të pasuruar familjen e tij.
Por thika e një dite më parë u ngul dhe nga grupi i të bashkuarve rishtaz, të cilët po investojnë që mbi kufomën e tij politike të ndërtojnë karrierën e tyre.
Pas deklaratës së SHBA-së: “Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”, me vrap nga zyrat e tyre u spinua lajmi se disa deputetë ishin takuar me ambasadën amerikane. Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë: Shqiptarët dhe demokratët duhet të merrnin mesazhin; “Problemi është Berisha, ai duhet të largohet.”
Jorida Tabaku, Kreshnik Çollaku, Tomorr Alizoti dhe Helidon Bushati ishin disa nga emrat e deputetëve që u lançuan me shpejtësi. Të gjithë këta janë deputetë që iu bashkuan Berishës së fundmi, pasi më herët kishin qenë kritikë të fortë të tij, duke e akuzuar se po e përdor partinë për interesa personale kundër SHBA-së.
Pjesë e takimit ishte edhe Oerd Bylykbashi, i rreshtuar pranë Berishës që në krye të herës, por për arsye aspak parimore: ai është i përfshirë në dosjen korruptive të “Klubit Partizani” dhe ka frikë se mund të jetë pjesë e sanksioneve.
Për të zbutur sado pak këtë evidentim, nga PD u spinua me shpejtësi lajmi se këta deputetë kërkuan qeveri teknike. Kjo u shndërrua shpejt në një aktakuzë, pasi të gjitha kërkesat duket se zerohen me faktin, që këta janë vënë në shërbim të interesave të Sali Berishës. Pra, për çdo kërkesë të tyre ka vetëm një përgjigje nga SHBA: “Nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.” Këtu tretën akuzat për korrupsionin galopant të Edi Ramës. SHBA nuk angazhohet për të luftuar korrupsionin e Ramës në shërbim të korrupsionit të Berishës.
Madje, të njëjtët deputetë që sot ankohen për Ramën, ishin pjesë e pazareve për të liruar të korruptuarit dhe për të mbyllur listat. Për karriget e tyre sakrifikuan reformën zgjedhore dhe nuk e kushtëzuan me qeverinë teknike. Atë që dorëzuan për një vend deputeti, sot duan t’ia japin në këmbim SHBA-së. Këtë gazbardhistët e Berishës e dinë mirë. Qëndrimi i SHBA-së u është bërë i ditur gjithmonë, si atëherë kur sulmonin Berishën në ambasadë dhe sot kur te të njëjtat ambasada shkojnë gjoja për të çuar mesazhet e tij. Prandaj, nxjerrja e menjëhershme e informacionit për takimin e deputetëve gazbardhistë me ambasadën amerikane, kishte për qëllim të evidentonte sërish Berishën si problemin e PD-së.
Mesazhi për PD është i qartë: Pa Berishën, SHBA do të punojë me të që ajo të vijë përsëri në pushtet; ashtu siç ka deklaruar që në krye të herës. Me Berishën, është e vetëkuptueshme se PD nuk do të vijë kurrë në pushtet. Lufta e gazbardhistëve është që të sigurojnë një karrige deputeti nga Berisha, dhe që pas zgjedhjeve të nisin lëvizjen “Berisha ik”, siç është premtimi i tyre në të gjitha takimet ndërkombëtare.
Siç është bërë e ditur, përfaqësues të SHBA-së në Tiranë janë takuar edhe me aktorë të tjerë të opozitës që i qëndrojnë përballë Sali Berishës. Dhe pikërisht se e konsideron Berishën dhe “kllounët” e tij si pjesë të kalbur të opozitës, SHBA rithekson: “Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë”./Alfapress.al