Ederson dëmtim horror, Mane dënohet 3 ndeshje

Tri ndeshje pezullim dhe një e çarë në fytyrën e Ederson që do të mbetet shenjë gjatë gjithë jetës së portierit si për t’i kujtuar se futbolli është edhe i tillë, i dhunshëm dhe ndonjëherë i rrezikshëm. Sadio Mane nuk do të luajë në tre sfidat e radhës për Liverpoolin, por krahasuar me atë që mund t’i kishte ndodhur kundërshtarit, kjo duket e keqja më e vogël. Mesfushori senegalez që u nxor me karton të kuq në humbjen 5-0 të “The Reds” në fushën e Manchester City mund t’i kishte shkaktuar një dëm më të madh brazilianit të “Citizens”. Në një foto të publikuar nga vetë portieri në rrjetet sociale duket qartë shkalla e dëmtimit të tij në pjesën e majtë të fytyrës.
Sipas “Daily Mail”, menjëherë pas ndërhyrjes, Ederson u ndihmua nga një maskë e oksigjenuar, ndërsa të çarat u qepën. U deshën 8 minuta që loja të rifillonte pasi Mane kishte vendosur takën e tij mbi fytyrën e portierit që u transferua në Manchester këtë verë për 35 mln paund. Në krahun tjetër, Liverpool e ka apeluar dënimin prej tre ndeshjesh. Menjëherë pas ndeshjes, trajneri Jurgen Klopp u shpreh madje se Mane nuk e meritonte të kuqin pasi ishte një faull i paqëllimshëm, sepse mesfushori i tij nuk e pa portierin në momentin e incidentit. “Ishte i pafat sepse portieri doli dhe Sadio pa vetëm topin”, theksoi Klopp, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe vendimin e klubit për të apeluar vendimin.

Exit mobile version