Edgardo Bauza trajneri i ri i Argjentinës

Edgardo Bauza i njohur edhe me epitetin ‘Paton’ është trajneri i ri i Argjentinës. Pas refuzimeve nga emra si Sampaoli e Bielsa, më në fund federata gjeti pasardhësin e Tata Martino-s. Zyrtarizimi u bë nga Armando Perez, presidenti i përkohshëm i Federatës Argjentinase. “Së bashku me kolegët vendosëm që Edgardo Bauza të emërohet trajner i ekipit Kombëtar. Shpresojmë që të arrijë sukseset për të cilat kemi nevojë. Nga të gjithë kandidatët që shqyrtuam, Bauza ishte më i miri”, u shpreh Armando Perez.
Në karrierën e gjatë në futboll, Bauza ka luajtur si mbrojtës në Argjentinë, Kolumbi dhe Meksikë, ndërsa ishte pjesë e përfaqësueses me Diego Armando Maradonën, që u rendit e dyta në Botërorin 1990.
Në vitin 1998, ai nisi karrierën si trajner, ku ka fituar dy herë Kupën Libertadores në vitin 2008 me Liga Universitaria të Quito-s dhe në vitin 2014 në krye të San Lorenzo-s. Me emërimin në krye të Argjentinës, Edgardo Bauza ka dy detyra tepër të vështira: të bindë Lionel Mesin të kthehet në përfaqësuese dhe t’i dhurojë ekipit “albiceleste” një trofe që mungon prej 1993-shit.
“Bauza do të paraqitet të premten dhe do të flasim për disa çështje mjaft të rëndësishme, të cilat duhet të zgjidhen. Më pas do të konfirmojmë edhe stafin teknik dhe natyrisht lojtarët, të cilët do të grumbullohen në skuadër. Mendoj që Bauza ka biseduar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Lionel Mesin, për ta bindur të kthehet në Kombëtare”, tha ai.

Exit mobile version