Edhe 48 orë, Basha mesazh qytetarëve për votim masiv

Partia Demokratike ka mbyllur dje fushatën elektorale në Qarkun e Elbasanit, mes një entuziazmi dhe pjesëmarrje të pazakontë. Qindra mijëra qytetarë kishin mbushur sheshin qendror të qytetit, për të pritur kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ndoshta, një nga takimet me pjesëmarrjen më masive që ka njohur ndonjëherë qyteti, për të cilin Partia Demokratike gjatë qeverisjes së saj u investua ndoshta më shumë se në çdo qytet tjetër. Në fjalën e tij, kreu i PD-së kërkoi nga qytetarët e Elbasanit që atë entuziazëm që shfaqën në atë takim, ta zbrazin në ditën e votimit më 25 qershor. Basha tha se ashtu si më 2009, kur Elbasani e dërgoi në Parlament si deputet, këtë herë më 25 qershor do e dërgojë si kryeministër, për të mbajtur dhe një herë premtimet siç ishte ai për hapjen e tunelit të Krrabës. “Këtu kam qenë para 8 vitesh, qershor i 2009 kur premtova se do ta mposhtnim masivin e Krrabës, se do t’ia hanim zemrën dhe do ta shponim tunelin. Tuneli u bë, por nuk mbaruam dot rrugën. Herën e fundit më dërguan në Parlament si kryedeputetin tuaj, a jeni gati të më dërgoni kësaj radhe si Kryeministrin tuaj? Të mbështesni me çdo votë ekipin tonë fitues. Ky entuziazëm duhet të derdhet të dielën në çdo qendër votimi. Me planin tim ekonomik, Elbasani do të jetë dhe zemra e ekonomisë së fortë. Vagonin e rilindjes do ta çojmë tek furrnalta këtu për skrap. Vagoni i Rilindjes do të shkojë për skrap, por furrnaltën do t’ia ndezë Elbasani. Të dielën do merret një vendim i madh, nuk ka të bëj me batuta dhe barcaleta, por me fatet tuaja. Të dielën votohet për ekonominë. Ju që e keni ndarë mendjen tregojuani këto 2 ditë se për çfarë votojmë ditën e dielë”, tha Basha. Në fjalën e tij kreu demokrat u shpreh se, vetëm PD është ajo që ka planin ekonomik të kancelares Merkel, për ta nxjerrë vendin nga kriza, ndërkohë që nuk la pa përmendur dhe mbështetjen që Evropa dhe liderët e PPE-së i kanë dhënë opozitës shqiptare. “Vetëm PD e ka planin ekonomik me ndihmën e Angela Merkel që bashkë me liderët e PPE teksa mbërrita këtu ka lëshuar një komunikatë ku na uron fitoren e thellë. Ata e dinë dhe e thonë se jemi të vetmin me një plan të besueshëm që na nxjerr nga stanjacioni. Elbasani ka qenë gjithmonë bekim për Shqipërinë dhe mua”, tha Basha.
Por nga ana tjetër, Basha nuk la pa bërë dhe një herë paralajmërimin se çdo vjedhje vote do të marrë ndëshkimin që meriton. Nga ana tjetër, Basha nuk la pa ironizuar dhe takimin përmbyllës të Ramës në Tiranë, të cilin e quajti si funeralin e premtimeve të pambajtura: “O banditë ku jeni strukur? Se ky paragrafi është për ju dhe bosët tuaj politik: “Çdo ndërhyrje ose qëllim për të prekur zgjedhjet nuk do të tolerohet”. Asgjë nuk e ndal fitoren tonë, marshin e Republikës së re. Në Tiranë në këto momente janë ulur në karriget e shtrenjta të fushatës së shtrenjtë, por të pasuksesshme të njeriut që nuk mbajti asnjë premtim, janë ulur me zor anëtarë të administratës, njerëz që as vetë nuk e besojnë atë që po u thotë Edi Rama se edhe vetë Edi Rama nuk e beson. Sillet sikur është në opozitë. Të gjithë e dini se, nuk ka shkaktar përveç atij. Janë të ulur atje. Në mendjet e tyre, Rilindja ka vdekur. Janë ulur për fushatë, por në fakt është një funeral i premtimeve të pambajtura, i qasjeve të gabuara. Janë ulur atje dhe nuk kanë asgjë për t’u thënë më shqiptarëve. Ndaj refuzojnë debatin”. I bindur se një mëngjes i ri do të zbardhë mbi Elbasan dhe gjithë Shqipërinë të hënën e 26 qershorit, Basha përsëriti apelin: “Asnjë të mos mbetet pa votuar. Bashkojuni të gjithë. Do të jetë fitorja më madhështore, sa më e thellë fitorja aq më i shpejtë ndryshimi për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë”, përfundoi kreu demokrat.

Korça voton për ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë

Lulzim Basha u tha qytetarëve korçarë se me 25 qershor, është mundësia për të votuar për një ekonomi të fortë me vende pune, taksa të ulëta, para për fermerët e stazhe për të rinjtë. Ai tha se plani i tij ekonomik lind nga nevojat e tyre dhe u mbështet nga ekspertët e ekonomive të zhvilluara. “Jo më miliarda lekë për zyra, për luks, për makina, për udhëtime. Qindra miliona euro të shkuara dëm, por paratë do të shkojnë për fëmijët tanë, për pensionistët tanë, për fermerët tanë dhe për rininë tonë. Me 10 mijë stazhe të paguara çdo vit do t’i japim mundësi studentëve të jenë pjesa më vitale e tregut të ri të punës që do krijojë plani ynë ekonomik. Me 25 qershor, këtë të dielë, nuk do të votojmë për lojërat, tekat dhe qefet e Edi Ramës dhe as për justifikimet e tij. Mbajeni mend. Me 25 qershor, votojmë për ekonominë dhe vetëm për ekonominë, për punësimin, për taksat e ulëta pa të cilat nuk ka ekonomi të fortë. Në këto zgjedhje ka vetëm një plan për ekonominë e fortë. Eshtë plani ynë, është plani im me mbështetjen e ekspertëve më të mirë që lindi nga nevojat që prekëm mes jush në këto vite të vështira në qytetin e Korçës, në tregun e Korçës, në sipërmarrjen e Korçës, tek fermerët e Korçës”, tha Basha. Kreu i demokratëve tha se në datën 25 qershor do të bashkohen mijëra qytetarë të heshtur, duke votuar numrin 6, sepse ka vetëm një zgjedhje për të votuar, ekonomia. “25 qershori është basti për jetën tuaj, familjeve tuaja dhe fëmijëve tuaj. Jo kuq apo blu, por basti është për një çështje të vetme edhe për ju votues të pavendosur, se mijëra të tjerë të heshtur e di që do vijnë bashkë me këtë bashkim të zëshëm të Korçës, mijëra votues të heshtur që do të votojnë për të vetmin plan ekonomik, për të vetmen rrugë, ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë. Ju që akoma nuk e keni ndarë mendjen, dhe që mund të jeni hutuar nga propaganda e shfrenuar e mashtruesit që e solli Shqipërinë në këtë ditë, kijeni të qartë; ka vetëm një çështje. Me 25 qershor votoni vetëm për 1 çështje, për ekonominë, për ekonominë, për ekonominë. Votoni Republikën e Re dhe planin ekonomik. Votoni numrin 6”, tha Basha. Ai e përqendroi fjalimin e tij tek plani ekonomik i Partisë Demokratike për ekonomi të fortë. Basha e cilësoi 25 qershorin si bast për jetën e shqiptarëve, ndërsa thirrjen e veçantë për votuesit e pavendosur. Basha: 25 qershori është basti për jetën tuaj, familjen tuaj. Jo kuq apo blu, por basti është edhe për ju votues të pavendosur. Mijëra votues të heshtur që do të votojnë për të vetmin plan ekonomik, për të vetmen rrugë, ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurt. Por edhe ju që akoma nuk e keni ndarë mendjen dhe që mund të jeni hutuar nga propaganda e shfrenuar e mashtruesit që e solli Shqipërinë në këtë ditë; ka vetëm një çështje më 25 qershor, votoni vetëm për një çështje, për ekonominë, për ekonominë, për ekonominë, votoni për Republikën e re, republikën e korçarëve. Do të jetë republika e mundësive të vërteta, ndryshimi i vërtetë që kemi pritur dhe merituar për 27 vite. Votoni, votoni, ndryshimi nuk vjen pa votuar. Mbushni qendrat e votimit ditën e dielë, merrni miqtë tuaj, rini merrni prindërit dhe mos i lini pa votuar. Të papunë, ndëshkoni republikën e vjetër. Ndëshkoni të gjithë. Unë jam gati! A jeni gati? Korça është gati. Zoti e bekoftë fitoren tonë më 25 qershor.

Arben SHAHINI

Exit mobile version