Brazili dhe Argjentina kurrë nuk kanë shkuar mirë bashkë në futboll dhe vështirë se mes dy kombëtareve është gjetur ndonjëherë ndonjë pikë e përbashkët ku ato mund të përputheshin. Por kur bëhet fjalë për lojtarë të mëdhenj dhe brazilianët duket se dinë si të solidarizohen me argjentinasit. Largimi i Lionel Messit nga përfaqësuesja është kthyer tashmë në një çështje ndërkombëtare dhe fushatës argjentinase për të bindur yllin e blaugranave që të rikthehet në përfaqësuese, ka dalë dhe trajneri i sapoemëruar i Brazilit, Tite.
Në një organizim të mbajtur në Porto Alegre, Tite, hodhi pas krahëve rivalitetin historik mes dy vendeve në futboll dhe shfrytëzoi praninë e mediave për të dhënë një mesazh për Leon: “Unë i bashkohem njerëzve që i kërkojnë Messit të mos e braktisë përfaqësuesen e Argjentinës. Besoj se futbolli ka nevojë që ai të vazhdojë të luajë për vendin e tij edhe pse në aspektin teknik, kjo është diçka e keqe për mua dhe kombëtaren braziliane”. Një javë më parë, pas dështimit në finalen e Kupës së Amerikës ndaj Kilit, Messi i dha lamtumirën përfaqësueses argjentinase duke deklaruar se nuk do të veshë më fanellën e la seleccion.