Sezoni pozitiv i zhvilluar në radhët e Avellinos në Serinë B dhe sigurisht grumbullimi i vazhdueshëm në kombëtaren shqiptare ka rritur kuotat e Berat Gjimshitit në tregun italian të futbollistëve. Me përfundimin e huazimit nga Atalanta, që zotëron kartonin e tij, mbrojtësi 24-vjeçar ende nuk e ka mësuar se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, megjithëse skuadrat e interesuara për të nuk mungojnë. Pas Beneventos, ekip i sapongjitur në Serinë A, edhe Chievo po studion mundësinë për të afruar shtatlartin shqiptar, i cili ka zhvilluar 35 ndeshje me Avellinon.
Gjimshiti vlerësohet si një mbrojtës shumë i fortë fizikisht, me eksperiencën e mjaftueshme në futbollin italian. Fakti që ka nënshtetësi të dyfishtë, shqiptare dhe zvicerane, është një avntazh i madh pasi konsiderohet futbollist komunitar.
Gjimshiti është nën kontratë me Atalantën deri në verë të 2019-ës, por klubi nga Bergamo ende nuk ka vendosur nëse do ta huazojë sërish. Gjithsesi për një lojtar 24-vjeçar të afirmuar në futbollin italian nuk do të jetë e vështirë për të gjetur një skuadër të re në Serinë A.