Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatović ka kritikuar paketën “anti-shpifje” të Qeverisë shqiptare, e cila është planifikuar të kalojë nesër në Kuvend.
Mijatović shprehet thellësisht e shqetësuar për këtë paketë të Qeverisë së Edi Ramës dhe kërkon ndërhyrje urgjente për përmirësimin e saj.
“Jam shumë e shqetësuar të mësoj se këtë javë Parlamenti shqiptar vazhdoi me shqyrtimin e dy projekt-ligjeve, të njohura si “paketa anti-shpifje”. Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësim. Disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ky draftprojektligj i qeverisë është pritur me kritika të forta dhe në vendin tonë, ku dhjetra shoqata gazetarësh e kanë cilësuar këtë iniciativë të Ramës, të paligjshme dhe që synon instalimin e diktaturës.