Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa ka ngritur alarmin për nivelin e korrupsionit në vend, ka dhënë dhe një propozim që ka ngritur debat.
Abdixhiku ka propozuar krijimin e një Prokurorie të Posaçme të dedikuar vetëm për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ose më saktë, një kopje e SPAK-ut në Shqipëri.
Abdixhiku theksoi se kjo kërkesë e tij vjen prej faktit se shpërndarja e burimeve publike në Kosovë po ndikohet nga lidhjet familjare dhe klienteliste të zyrtarëve të pushtetit aktual.
“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët, por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve. Kosovës duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë”, ka shkruar Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Sipas Abdixhikut, një strukturë e tillë do të ishte mekanizmi i duhur për të adresuar abuzimin me fondet publike dhe për të garantuar llogaridhënie për të gjithë.
Ky propozimi i Abdixhikut u prit me ironi nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet. Deputetja Fitore Pacolli e quajti idenë të pavend, duke e krahasuar me propozime të mëhershme të LDK-së.
“Pas termocentralit me gaz, LDK tani po na ‘befason’ me SPAK-un. Pikërisht ata që tentuan të bllokojnë Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, tani po flasin për drejtësi”, shkroi ajo.
Megjithatë, vlen të theksohet se LDK-ja e kishte përkrahur themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë në votimin e parë parlamentar.
Gjithashtu kujtojmë se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri u themelua në vitin 2019 si pjesë e reformës në drejtësi, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në pak vite, SPAK ka ndërmarrë hetime ndaj figurave të larta politike, përfshirë ish-kryeministra, ish-presidentë, ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë.
Mesa duket kjo qasje e SPAK-ut ndaj politikanëve të korruptuar po lakmon edhe Kosovën që të ndërmarrë një hap për krijimin e një institucioni të tillë.