Rreth një vit më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, deklaroi në një konferencë të posaçme për median ekzistencën e një dosje hetimore, në të cilën rezultonin të përgjuar e të përfshirë shumë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste dhe qeverisë së Edi Ramës në afera korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe bashkëpunim me grupe kriminale.
Lulëzim Basha foli në atë kohë për përfshirjen e drejtëpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për deputetë të rëndësishëm të së majtës, si edhe, ndër të tjerë, edhe për milionat që një grup i rrezikshëm kriminal kishte fituar në mënyrë abuzive nga tenderat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), të drejtuar nga Ardian Çela.
Disa muaj më pa, deklaratat e Bashës u konfirmuar plotësisht, në detajet që gjenden në dosjen “339” të Prokurorisë për Krime të Rënda. Bazuar në hetimet e kësaj dosjeje, u zhvillua operacioni “Vol-vo 4”, ku, krahas “Avdulajve” të Shijakut u arrestuan edhe ish-deputetët Arben Ndoka e Arben Çuko, ky i fundit për korrupsion në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i Burgjeve.
Nga dosja hetimore rrodhën një seri informacionesh-bashkëpunimi i Vangjush Dakon me Avdulajt, ndërhyrjet e deputetëve të rëndësishëm dhe pjesëtarë të kabinetit të Edi Ramës për punësime të paligjshme.
Por, i vetmi element që nuk ka “rrjedhur” nga kjo dosje dhe që nuk ka folur askush është dyshimi mbi bashkëpunimin e Ardian Çelës së OSHEE me “Avdulajt”. Lulëzim Basha e përmendi emri e tij një vit më parë, së bashku me shumë të tjerë.
Thuajse të gjithë emrat e cituar nga Basha në atë kohë, rezultuan që ishin në dosjen “339”.
Pra, është e qartë që lideri i opozitës e ka pasur informacionin shumë të saktë, përfshirë edhe rolin e Administratorit të OSHEE-së, Ardian Çela në përcaktimin e tenderave të “miqve” të grupit kriminal “Avdulaj”.
E megjithatë, emri i Çelës nuk është zbuluar ende deri më tani, siç edhe gjithashtu nuk është përmendur kompania apo kompanitë që kanë vepruar në emër të Avdulajve për të fituar tenderat e OSHEE-së.
Burime nga Prokuroria për Krime të Rënda flasin me siguri që emri i Ardian Çelës gjendet në përgjimet e dosjes “339”. Po ashtu, në dosjen hetimore, sipas burimeve, gjenden edhe i përfituesve, lidhja e tyre me Avdulajt. Madje, burimet flasin edhe për përfshirjen e një kompanie shumë serioze dhe të rëndësishme, e cila ka bashkëpunuar me “miqtë” e Avdulajve për të fituatr miliona në tenderat abuzivë të OSHEE-së.
Por ky informacion, me shumë mundësi, gjendet ende i mbyllur në faqet e pahapura për publikun të dosjes “339”. Njerëz pranë Ardian Çelës flasin me bindje se ai ishte shumë i shqetësuar ditët e operacionit “Vol-vo 4”, ku u arrestuan Avdulajt e Shijakut, Arben Çuko, Arben Ndoka, si edhe iu afruan prangat edhe Vangjush Dakos.
Por, me kalimin e javëve, situata e Çelës duket se u normalizua, pavarësisht se, duke vlerësuar seriozitetin e burimeve të tij, “Boldnews.al” ka shumë arsye për të besuar se emri i Ardian Çelës dhe bashkëpunimi i tij me Avdulajt gjendet në fashikujt e dosjes hetimore “339”.
“Boldnews.al”